Kryemadhi në Durrës: Një shtet i dobët çon drejt inekzistencës një komb, ndryshimi në 25 prill domosdoshmëri

0
109

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit në Durrës

Sot si ditë e diel për ne në fakt është një privilegj që juve na jeni përgjigjur, duke pasur  parasysh ristrukturimin dhe riorganizimin e gjithë LSI-së, së Durrësit. Jo vetëm ndihem e surprizuar, por ndihem edhe mjaft e respektuar, jo si  Monikë por si Kryetare e LSI. Qyteti i Durrësit tashmë është një qytet që është kthyer jo në prioritet por është kthyer në trendy  përsa i përket LSI për shkak të angazhimit të shumë grave dhe vajzave por edhe djemve të qytetit të Durrësit që politika deri tashmë i ka lënë jashtë përfshirjes dhe jashtë angazhimit. Ne prej shumë kohësh kemi pasur shumë gra dhe vajza të cilat janë rritur dhe janë bërë nëna në LSI por hapja e dyerve dhe zgjerimi i strukturave të LSI-së së Durrësit nuk është thjeshtë një metodë e cila bëhet gati përpara zgjedhjeve por është e domosdoshme për LSI.

LRI dhe LGI janë dy shtyllat kryesore të LSI e bën akoma dhe më të fortë  fuqinë e LSI sepse sot në jetën e çdo qytetari, në jetën e çdo familjeje, gruaja është elementi, i cili jo vetëm krijon vazhdimësinë e familjes por është një element i cili edukon fëmijën, i del për Zot familjes, i del për Zot bashkëshortit, i del për Zot prindërve të saj sepse është vetë tradita e familjes shqiptare që gruan e ka element të domosdoshëm por dhe shumë të fuqishëm. Ashtu si në një familje gruaja është e domosdoshme edhe një parti politike gruaja është jo vetëm e domosdoshme por është avangarde në gjithë ecurinë e jetës politike dhe vizionit të partisë politike. Prezenca juaj sot , pjesa më e madhe dhe ne jemi fokusuar më shumë për të thirrur anëtarësime të reja por dhe shumë gra dhe vajza të cilat kanë dëshirë të jenë pjesë e vendimmarrjes, tregon jo vetëm që rezultati  që tha Kontjana do të jetë  i jashtëzakonshëm por unë nuk prirem shumë te rezultati sesa do të më pëlqente shumë te angazhimi, i secilës nga ju për të ndryshuar realitetin. Për mua nuk ka rëndësi vota sesa ka rëndësi mirëqenia në familjes tuaja. Sesa ka rëndësi rikthimi i normalitetit në qytetin e Durrësit.

Për mua nuk ka rëndësi vota sesa ka rëndësi përfshirja e të rinj dhe të rejave dhe ndalimi i shpopullimit dhe i largimit të fëmijëve  tanë nga shtëpia. Sot jo pa qëllim dhe slogani Shqipëria Shtëpia jonë, Durrësi shtëpia jonë, nuk është thjesht politik por është e domosdoshëm sepse sot një nga plagët më të mëdha që kemi është shpopullimi i Shqipërisë, largimi i të rinjve dhe të rejave. Unë  dje isha në Fier, kam qenë gjithë ditën në takime dhe një nga plagët më të mëdha që  kishin ishte largimi i fëmijëve të tyre të cilët nuk kishin dëshirë për tu kthyer. Ndërkohë që takova gratë naftëtarë që ishin prej 35 vjetësh që punonin në rafinerinë e naftës dhe paradoksi më i madh që ndodhte në Ballsh ishte që më shumë se 20 muaj atyre grave nuk i ishin paguar pagat dhe nëse dy ditë me vonesë nuk paguanin dritat apo ujin ju ndërpritej energjia elektrike apo uji i pijshëm në çezmat e shtëpisë pra asimetria, ose strabizmi i sjelljes politike të qeverisë ndaj qytetarëve të saj është i jashtëzakonshëm. Dhe çfarë kërkoni gratë naftëtare? Pagat e tyre dhe rifillimin e punës. Sepse nafta shqiptare çohet jashtë shtetit për një kafshatë bukë dhe ndërkohë shqiptarëve jo vetëm që nuk iu jepet mundësia për të punuar, por përkundrazi edhe çmimi i naftës është më i shtrenjti në Ballkan, të mos them edhe më tutje për vendet e tjera.

Por ajo që ndiejmë sot ne dhe e shikojmë herë pas here, që e kemi folur edhe me Kontjanën, apo me qytetarë dhe profesionistë të qytetit të Durrësit, është që për hir të së vërtetës politika shqiptare asnjëherë nuk ka pasur një plan për Durrësin. Cili ka qenë vizioni i politikës shqiptare për Durrësin? Vizioni i vetëm që ka pasur politika, ka qenë grabitja e pasurive të Durrësit, përdorimi i Durrësit për të ardhur në pushtet, për t’iu imponuar jetës politike shqiptare dhe më pas për të lënë jetim komplet qytetin dhe banorët e tij.

Sot Durrësi është një nga qytetet, jo vetëm i uzurpuar, por ju e dini shumë mirë që në administratën e Durrësit vijnë nga qytete të tjera për të punuar dhe durrsakët nuk janë pjesë. Mjafton të shikosh  portin e Durrësit, zyrat e hipotekave apo edhe shumë institucione të tjera, vijnë nga qytete të tjera për të punuar, ndërsa qytetarët durrsakë nuk janë të përfshirë. Jo se bëhet fjalë për çështjen e 100 vendeve të punës, por bëhet fjalë për dashurinë, respektin apo njohjen e problematikave që ka sot Durrësi. Vjen dhe shikon rrugë të bllokuara nga betoni, thjesht për të krijuar iluzione tredimensionale, por po të futesh në rrugicat e qytetit, do të shikosh që janë jo vetëm të pashtruara, por mjafton që të bjerë një shi, që të shikosh sesi fëmijët e klasave të para që shkojnë në shkollë, e kanë të pamundur për të kaluar pragun e shkollës, sepse pellgjet e ujit janë si të ishin liqene.

Nga ana tjetër, mungesa e vizionit të punësimit dhe krijimit të klimës së biznesit, jo vetëm për gratë dhe vajzat në Durrës, por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë, jo vetëm që e ka kthyer Durrësin në një burg të rrethuar nëpërmjet injorancës apo zaptimit filozofik, por edhe ekonomik, por nga ana tjetër është bërë e pamundur për të krijuar hapësira dhe zhvillime të reja. Ajo që duam të theksojmë dhe që është shumë e rëndësishme, është që duam t’i japim Durrësit komplet hapësira të tjera, imazh të ri, por jo thjesht imazh politik, por imazhin dhe vizionin e duhur, përfshirja e secilit nga ju do t’i sillte meritokraci jo vetëm partisë në të cilën ne aderojmë, por edhe shumë vlera qytetit të Durrësit.

Ne duam që përfshirja juaj të mos jetë thjesht politike, por të jetë në vendimmarrje, të jetë në angazhim, të jetë në përfshirjen e përditshme për  hartimin e politikave për të ardhmen e Durrësit. Ajo që ne duam dhe që kërkojmë prej jush është jo vetëm thjesht votën për LSI-në, por për të na dhënë kontributin tuaj duke krijuar ide dhe duke dhënë vizion sesi të zhvillojmë dhe të hartojmë program dhe një plan të qartë për zhvillimin e qytetit të Durrësit. Unë e kam thënë dhe në mbledhjen e Kryesisë, që në kohën që unë isha fëmijë vija këtu te vajza e tezes sime dhe Durrësi ishte pika e parë e kontaktit me botën jashtë. Sepse nëpërmjet Durrësit ne shikonim se çfarë ndodhte në Italinë e famshme, pasi shikonim Rai1, Rai2. Ndërkohë që në Tiranë ishte e pamundur sepse na vendosej zhurmuesi, ndërsa këtu në Durrës komunikimi me Italinë, por edhe kontakti me Portin ishte ai që e sillte në Shqipëri Durrësi dhe më pas zhvillohej më tej.

Njerëzit më të shquar të Durrësit kanë ngelur Mirush Kabashi dhe Fadil Hasa, që mbajnë mend brezi im apo edhe më vonë, por faktikisht që pas tranzicionit Durrësit nuk ka prodhuar më as art, as kulturë, jo vetëm prej izolimit, por edhe prej marxhinalizimit të rritjes profesionale dhe artistike.

Ky qytet që është i ndërtuar mbi monumente kulture, sot çdo ditë e më shumë po shkatërrohet, jo vetëm nga ana ndërtimore, por edhe nga ana profesionale, e ndërtimit të elitave, të cilat janë të domosdoshme për qytete të rëndësishme siç është qyteti i Durrësit.

Nuk dua të zgjatem shumë në fjalën time, pasi dua që të bashkëbisedojmë, sepse në fund të fundit duke qenë grua vetë, edhe bashkëbisedimin tonë e bën edhe më komod. Unë e di që për një grua sot në politikë është shumë e vështirë, por di të them që një grua sot në politikë e ka obligim për fëmijët e saj për të luftuar dhe për ta ndryshuar realitetin politik që për hir të së vërtetës është mjaft i hidhur.

25 Prilli është një ditë e domosdoshme, jo thjesht për të votuar për një forcë politike, por është një ditë e domosdoshme për të biseduar me çdo qytetar për të shkuar për të votuar kundër Edi Ramës si fenomen, i cili ka grabitur çdo ditë të jetës së qytetarëve, por edhe kundër sektit të tij, që është kthyer tashmë në një element grabitës dhe që nuk lejon zhvillimin përpara.

Një shtet i dobët çon drejt inekzistencës një komb, kështu që ndryshimi është i domosdoshëm, jo për të sjellë në pushtet një forcë politike, por për të rimëkëmbur jo vetëm krenarinë kombëtare, por edhe identitetin dhe integritetin tonë.

Një Kryeministër, i cili bën Pazar me vendin e tij, me kufijtë, me jetën e qytetarëve të vendit të tij, nuk është më Kryeministër, por është një sharlatan, i cili duhet larguar një orë e më përpara.

Ajo që për mua është shumë e rëndësishme është angazhimi i të rinjve, sidomos vajzave të reja, por edhe i djemve të rinj, studentëve dhe gjimnazistëve, sepse fëmijët janë ata që na detyrojnë edhe ne të jemi më aktivë, por edhe për të mos bërë kompromise. Unë nuk di ndonjë nënë që të bëjë kompromise në kurriz të se ardhmes së fëmijëve të saj. Dhe ky mendoj që është misioni ynë kryesor për të mos bërë asnjë lloj kompromisi me këdo, sado të afërt ta kemi në kurriz të së ardhmes së fëmijëve tanë.

Fëmijët tanë dhe fëmijët e shqiptarëve janë akoma më të rëndësishëm sesa karriera politike e Edi Ramës, apo edhe i kujtdo tjetër. Prandaj edhe misioni ynë është për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e familjes shqiptare, pasi duke u kujdesur për fëmijët dhe për familjen, ne kujdesemi  për të ardhmen e kombit tonë.

Një komb nuk ka qëndrueshmëri po nuk pati një familje të qëndrueshme, po nuk pati një rini të qëndrueshme e cila aspiron për të ecur përpara dhe për të qenë pjesë e jetës sonë të përditshme. Ne jemi një vend i bekuar nga Zoti me thënë të drejtën. Dhe sa herë themi ne jemi një vend mesdhetar, po thotë Maqedonia ne jemi vend mesdhetar që nuk ka asnjë pikë deti po themi dhe ne nuk e themi. Por ajo që mendoj unë nuk është thjesht pozicioni gjeografike. Është tek pozicioni i secilit nga ne për të ndryshuar realitetin  dhe mbi të gjitha për ta kthyer të gjithë këtë situatë absurde ne favor të ndryshimit të ekonomisë, të jetës së përditshme të qytetarëve të Durrësit dhe jo pa qëllim vendosja e Kontianës ishte për të krijuar një situatë komplet tjetër.

Ne e kemi ndjerë dhe shikojmë se si njerëzit ndihen të çliruar për sa i përket krijimit të hapësirave të reja dhe afrimit të shumë grave dhe vajzave, por edhe të shumë intelektualëve duke u bashkuar të  gjithë bashkë me ato struktura të cilat jo vetëm i kanë mbijetuar këtyre 4 viteve të opozitës, apo tundimit, apo kërcënimit të njerëzve pervers që mendojnë se me forcën e pushtetit mund të intimidojnë dikë, por për të gjithë ata themelues dhe kontribuues të LSI-së të cilët i kanë dhënë gjithmonë vlera LSI, e kanë rritur atë dhe bashkë me LSI janë rritur dhe ata. Unë ju uroj suksese të gjithave ju. Ju uroj suksese dhe zoti ju ruajt ju, familjet tuaja, fëmijët tuaj dhe të na e bëjë mbar të gjithave sepse në fund do i japim dorën njëra tjetrës për të ecur përpara për hir të fëmijëve tanë sepse duam që ata të kthehen në Shqipëri, të jetojnë në Shqipëri, të punojnë në Shqipëri sepse jam e bindur që Shqipëria është shumë me e bukur se shumë vende të tjera ku fëmijët tanë janë emigrantë atje. Faleminderit dhe ju ruajt Zoti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here