Bizneset e mëdha: Një karantinë e dytë do të jetë fatale për ekonominë

0
105

Me rritjen e rasteve të infektimit nga koronavirusi, shumë shtete po shikojnë mundësinë e rikthimit të kufizimeve.

Në Shqipëri, nga dita e sotme të gjithë do të duhet të vënë maska, edhe në ambientet jashtë, si një masë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Kryeministria Rama, pak ditë më parë, kur bëri publike këtë vendim, tha se “Ishte parashikuar që me ardhjen e vjeshtës numrat do të fillonin të rriteshin, por ndërsa në disa vende po rikthehen masat shtrënguese dhe po rishfaqet kërcënimi i një karantine të përgjithshme ajo që ne duhet me çdo kusht të përpiqemi dhe të parandalojmë është një karantinë e përgjithshme.

Një karantinë e përgjithshme e dytë do të ishte tejet e vështirë për vendin, ekonomitë e shumë familjeve dhe shtetin”.

Vetëm nga një mbyllje prej gati 3 muajsh, nga mesi i marsit deri në mes të majit, ekonomia shqiptare pati pasoja të rëna.

Në tremujorin e dytë, rënia e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ishte -10% me bazë vjetore. Humbjet në vlerë absolute vetëm në këtë tremujor ishin 500 milionë euro dhe duke përfshirë edhe marsin arritën në 570 milionë euro.

Ekonomia pritet të bjerë të paktën me -7.5% këtë vit, sipas FMN-së, -8.4% sipas Bankës Botërore dhe -9% sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke shënuar tkurrjen më të madhe nga kriza e piramidave në 1997-n.

Vetëm për 6 mujorin e parë të vitit, zyrtarisht rreht 50 mijë persona mbetën të papunë, pjesa më e madhe e tyre të rinj të moshës deri në 29 vjeç.

Disa prej përfaqësuesve të bizneset më të mëdha në vend, të intervistuar nga Monitor, kanë paralajmëruar se një mbyllje e dytë do të kishte pasoja mjaft të rënda, në mos fatale për ekonominë.

“Një karantinë e dytë, do ta dëmtonte shumë biznesin, konsumin dhe prodhimin dhe do të jetë fatale për ekonominë”, tha Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum.

Kompania më e madhe e prodhimit të çelikut në vend dh eksportuesi i dytë në vend u detyrua të ndërpriste për disa javë aktivitetin gjatë periudhës së karantinës, çka solli humbje të mëdha.

Edlira Muka, Drejtoreshë e Përgjithshme e grupit BALFIN, më i madhi i pakicës në vend pohon se në lidhje me ecurinë e bizneseve, nëse do të kishte një mbyllje tjetër të ngjashme me atë të pranverës, mund të themi që situata do të bëhej mjaft e zymtë.

“Shumë biznese, dhe jo vetëm në rajonin tonë, do ta kishin të vështirë të përballonin një përsëritje të mbylljes. Kjo do të vinte edhe vetë shtetet në vështirësi të mëdha, pasi do të rritej papunësia dhe do të uleshin të ardhurat e shtetit nga taksat si pasojë e mbylljes së bizneseve. Edhe më e vështirë do të ishte rindezja e motorëve të ekonomisë, pas një mbylljeje të dytë. Jo të gjithë bizneset do t’ia dilnin të rihapeshin.

Pra, nuk do të ishte e lehtë për askënd, por gjërat duhen gjykuar rast pas rasti dhe në varësi të situatës shëndetësore, duke shpresuar gjithnjë për më të mirën”, ka pohuar znj. Muka.

Pasojat do të ishin të mdha edhe në sistemin financiar.

“Do të jetë mjaft e vështirë për të tejkaluar koston financiare të ndonjë mbylljeje të re, por mund të shohim hapa të ngjashëm të marra nga vendet e tjera me masa shtesë apo kufizime të reja. Është e vështirë të jesh indiferent nga trendi global.

Karantina është mundësia e fundit për menaxhimin dhe duhet të shmanget derisa të provohen të gjithë zgjidhjet e tjera të mundshme”, thotë z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare, më të madhes në vend.

Zëvendespresidenti i Kastrati Group, z. Leonard Kastrati, kompanisë më të madhe në vend, sipas të ardhurave, është pak më optimist.

Ai pohon se në kushtet normale, çdo ndërprerje e aktivitetit ndikon në ecurinë e biznesit në tërësi.

“Një ndërprerje e dytë, ndryshe nga ajo e para, ndonëse nuk do të kishte efektin ‘shock’, do të rriste pasiguritë dhe pasojat e saj do të vareshin nga kohëzgjatja.

Çdo pasiguri dhe çdo shtyrje në kohë e planeve të rikuperimit, do të kishte pasoja negative për ekonominë.

Projeksionet tona janë për një normalizim dhe mosmbyllje. Të gjitha të dhënat flasin për një ecuri normale dhe një përmirësim të shpejtë të të gjithë indikatorëve të biznesit, dhe më kryesorja, kompensim të kohës dhe energjive të humbura”, pohon ai./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here