Zgjedhja e kandidatëve, Çollaku tregon për fazën tjetër: Komisioni i Verifikimit të lexojë drejt verdiktin e demokratëve

0
112

Në një intervistë për Ora News, anëtari i Kryesisë së PD, Kreshnik Çollaku ka komentuar procesin e votimit të kandidatëve për deputetë brenda anëtarësisë demokrate.

Zyrtari i selisë blu ka treguar se cilat janë fazat që do të ndiqen tashmë që procesi u mbyll në të gjithë vendin.

“Me votimin e djeshëm të Tiranës, në të gjitha degët, përfundoi faza më e madhe dhe më kryesore por edhe më sfiduese e këtij procesi. Praktikisht, me mbylljen e votimeve në Tiranë, të gjitha degët në vend kanë mbyllur procesin e konsultimeve, të votimit, të konfirmimit apo kontestimit të kandidatëve të propozuar nga vetë ata, të kaluar dy herë në filtrat e e Komisonit të Verifikimit dhe dje ka qenë akti fundor i përcaktimit të votës së çdo anëtari të PD.

Pas këtij momenti, ka një fazë tjetër të rivlerësimit të këtyre emrave që nga vota e anëtarësisë së PD është përzgjedhur. Detyra kryesore e Komisionit të Verifikimit nuk është vetëm të vlerësojë kriteret por të bëjë një analizë të kapaciteteve, të aftësisë, të maksimalizimit të votive. Pra, Komisioni i Verifikimit duhet të lexojë drejt atë që ishte verdikti i demokratëve në të gjithë vendin.

Pasi të kryhet edhe kjo fazë, emrat përfundimtarë, më të përzgjedhurit, do ti paraqiten Kryesisë së PD për miratimin dhe përcaktimin e fundit”, u shpreh Çollaku.

Sipas Çollakut, procesi i zhvilluar në PD është unikal jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit, ndërsa e barazoi me primaret e famshme në SHBA.

“Ajo çka ndodhi me PD në këtë proces, jo nuk është e rrallë me atë që bën politika këto 30 vjet por është rast unikal në politikën shqiptare në këto 30 vjet. Do tju thoja se është rast unikal edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit. Nuk ka asnjë parti në Ballkan që ka aplikuar në këtë dimension, që PD pati kurajon për ta aplikuar, një proces të tillë I cili praktikisht është proces I ngjashëm, simetrik, në kushtet  tona, me ato që partite më të fuqishme të globit, Konservatorët britanikë, Republikanët amerikanë por edhe parti të tjera aplikojnë. PD realizoi ato që në Amerikanë janë “primaret”.

Ishte një eksperiencë e re dhe si çdo eksperiencë e re kishte sfidat e saj”, u shpreh ndër të tjera anëtarësi i Kryesisë së PD, Kreshnik Çollaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here