Nga Gëzim Saliu/ Një hap hileqar, por mjeran! Në 25 prill vulosin qytetarët, jo Kodi Zgjedhor!

0
203

Përmes një akti arbitrar dhe në kundërshtim të plotë me traditën politike të marrëveshjeve për reformën zgjedhore, Partia Socialiste dhe një pjesë e opozitës parlamentare votuan sot në Kuvend ndryshimet e Kodit elektoral. Synimi kryesor i mazhorancës socialiste për heqjen e koalicioneve të përbëra, u përmbush me ndryshimet e reja, ndërsa listat e shumë premtuara, mbetën në duart e kryetarit të partisë. Hapja, as e pjesshme e tyre, ishte ndoshta tallja më e madhe e PS-së dhe kryeministrit Rama me këtë çështje, duke vënë në lojë së pari qytetarët shqiptarë dhe më pas vetë opozitën parlamentare. Kjo e fundit për shumë kohë, ka luajtur në Parlament rolin e patericës së shumicës, duke votuar ligje për të cilat një opozitë normale nuk do jepte kurrë votën. E megjithatë, një kauzë për të cilën debatoi fort publikisht deri më sot ishte ajo e listave të hapura. Sot e humbi dhe keqazi!

Parlamenti sot rrëzoi praktikisht “5 Qershorin”. Përtej retorikës politike të kryeministrit dhe benjaminit të tij ‘elektoral’ Damian Gjiknuri, ndryshimet e sotme të votuara në Parlament shkelin një pjesë të neneve të votuara me konsensus mes palëve në Këshillin Politik dhe për më tepër nën garancinë e ndërkombëtarëve. Këta të fundit sot, u ndanë në dy pjesë. Kishte nga ata që u mjaftuan vetëm me keqardhje dhe madje folën për ndryshime që nuk prekën ‘5 Qershorin” dhe nga ana tjetër kishte dhe nga ata që e dënuan haptazi këtë hap të ndërmarrë nga Kuvendi si një vendim që shkon në kundërshtim me aspiratën evropiane të vendit.

Përtej çdo kritike të drejtë mbi këtë votim krejtësisht të njëanshëm nga ana e Parlamentit, vlen të theksohet se në demokraci vendos vota dhe jo sistemi apo kodi zgjedhor.

Në 25 prill nuk ka skemë që e shpëton mazhorancën aktuale nga përballja me qytetarët për përmbushjen e premtimeve.

Në 25 prill nuk ka sistem që e shpëton mazhorancën aktuale nga përballje me qytetarët për mjerimin që ka shkaktuar, duke zbrazur xhepat e të ndershmëve e mbushur ato të oligarkëve.

Në 25 prill nuk ka Kod që e shpëton mazhorancën aktuale nga dhënia e llogarisë para qytetarëve për shkaktimin e eksodit më masiv të shqiptarëve jashtë vendit, duke vrarë shpresën për një të ardhme më të mirë.

Në 25 prill 2021, një gjysh apo gjyshe, nënë apo baba,  djalë apo vajzë, nip apo mbesë, para se të hedhë votën në kuti, do të kujtojë se ishte pikërisht kjo qeveri që në dy mandate shkaktoi largimin e të dashurve të zemrës jashtë vendit.

Në 25 prill nuk ka Kod që e shpëton mazhorancën aktuale nga llogaridhënia për ‘malin’ e korrupsionit shtetëror, që kulmoi me koncensionet e PPP-të.

Në 25 prill… dhe lista mund të vazhdojë pa fund duke marrë me radhë, borxhin publik që ka shkuar mbi 80 %, fermerët dhe bizneset që po falimentojnë çdo ditë, rendi dhe siguri që janë në ditët më të këqija etj…

Bilanci i mësipërm është shkatërrimtar për çdo mazhorancë që pretendon të mbesë sërish në pushtet.  Ka shumë faje që kjo shumicë duhet t’i shlyejë, faje që kanë rënduar thellë në familjet shqiptare.

Sipas çdo sondazhi paraprak, mazhoranca aktuale i ka fare të pakta shanset për një mandate të tretë, për të mos thënë, fare afër zeros. Opozita e Bashkuar, edhe pse ju hoq ‘arma’ e koalicionit të përbërë, nuk ka asnjë shkak pse të ndjehet e trysnuar. Qytetarët po kërkojnë me ngulm ndryshimin, kjo ndjehet çdo ditë në terren.

Se kush do qeverisë vendin pas zgjedhjeve, do e vendosë vota e qytetarëve dhe jo Kodi Zgjedhor! Andaj, sadisfaksioni i sotëm i socialistëve është vetëm një  ‘eksitim’ i përkohshëm, deri në përballjen fatale të 25 prillit 2021.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here