Debati i parë Trump-Biden shumë i ndezur dhe tensionuar

0
103

Nga VOA

 

Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden u përballën në një debat të ndezur të martën, që u karakterizua nga sulme të ndërsjellta, shpesh me ndërprerje fjale e në disa raste me ofeza direkte. Dy pretendentët në zgjedhjet presidenciale amerikane u angazhuan në shkëmbime me tone luftarake në debatin e tyre të parë presidencial.

Debati u zhvillua në sallën “Sheila and Eric Samson” në mjediset e universitetit “Case Western” në qytetin Klivland të Ohajos, ndërkohë që mbeten pesë javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Chris Wallace
Chris Wallace

Debati u drejtua nga gazetari i kanalit Fox News, Chris Wallace. Këtë radhë, siç ka ndodhur që nga viti 1988, debati po sponsorizohet nga Komisionki i Debateve Presidenciale.

Pak sekonda pas fillimit të debatit, Presidenti Trump ndërpreu rivalin Joe Biden, ndërsa gjatë debatit,dukshëm i irrituar, nënpresidenti Biden e quajti presidentin “palaço”.

COVID-19

“Presidenti nuk ka plan,” tha zoti Biden, duke folur për reagimin e administratës ndaj pandemisë. “Ai e dinte se ishte sëmundje vdekjeprurëse dhe nuk iu informoi ju (popullin amerikan)”.

Presidenti Donald Trump tha se tubimet e tij për fushatë nuk kanë pasur ndikim negativ tek pjesëmarrësit që nuk ndjekin rekomandimet për distancim fizik.

Ai u shpreh se nuk është kundër maskës, duke nxjerrë një maskë nga xhepi dhe duke thënë “Unë vë maskë kur është e nevojshme”.

Por ai shtoi se në aktivitetet e tij vijnë “35 mijë deri në 40 mijë pjesëmarrës,” duke shtuar se rivali i tij Joe Biden zhvillon aktivitete të papërfillshme “ku i vijnë vetëm tre vetë”.

Zoti Biden ka zhvilluar aktivitete më të vogla fushate, ku njerëzit qëndrojnë në distancë fizike nga njeri-tjetri. Duke e cilësuar presidentin “plotësisht të papërgjegjshëm” në ragimin ndaj COVID-19, zoti Biden tha se presidenti “është budalla në këtë temë” dhe shtoi se zoti Trump mendonte për maskë vetëm kur ishte për interes të tij dhe jo të tjerëve.

Gjatë diskutimit lidhur me temën e vendit bosh në Gjykatën e Lartë, debati devijoi tek COVID-19 dhe presidenti tha, pa ofruar prova, se 2 milionë njerëz do të kishin vdekur nëse Joe Biden do të kishte qenë president gjatë pandemisë.

Drejtuesi i debatit, gazetari Chris Wallace iu lut disa herë Presidentit Trump të ndalte komentet për COVID, meqë ajo temë do të diskutohej më pas. Ai e pyeti presidentin nëse do të zëvendësonte planin për kujdes shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama.

Presidenti tha “Së pari, më duket se debatin po e zhvillojmë ne të dy, dhe jo unë e Joe Biden. S’ka problem. Nuk më vjen çudi”.

Zoti Biden shpesh qeshte nën buzë gjatë komenteve të presidentit, por në disa raste dukej qartë i irrituar.

“Fakti është se çdo gjë që thotë ai (presidenti) është thjeshtë gënjeshtër. Nuk kam ardhur këtu për t’u marrë me gënjeshtrat e tij. Të gjithë e dinë se është gënjeshtar”.

Gjatë një tjetër momenti kur presidenti po ndërhynte, zoti Biden tha “Ia ka njeri idenë se çfarë po bën ky palaço?”

Trazirat Sociale/ Grupet Ekstremiste

Gjatë diskutimit të trazirave të fundit sociale, i pyetur nga drejtuesi i debatit, Chris Wallace nëse do të dënonte supremacistët e bardhë dhe grupet e tjera ekstremiste, presidenti nuk dha një përgjigje të qartë:

“Do të thoja se thuajse të gjitha problemet që shoh janë shkaktuar nga e majta, jo nga e djathta,” u përgjigj presidenti. “Jam gati të bëj çdo gjë. Dua të shoh paqe”.

Pas ngulmimit të gazetarit Wallace, zoti Trump tha “Si doni ju që t’i quaj. Ma thuaj, më jep një term”.

Më në fund, presidenti tha “Përmbahuni, qëndroni gati “Proud Boys”. Në fakt, duhet të bëjmë diçka në përgjigje të Antifa-s sepse ky nuk është problem i së djathtës, por i së majtës”.

“Proud Boys” është një organizatë e ekstremit të djathtë, ndërsa Antifa është grupim që përfaqëson grupe e individë të kahut të majtë.

Pasuesit e Antifa-s kanë marrë pjesë në protesta me thirrjet kundër racizmit, por nuk ka prova të konsiderueshme që mbështesin pretendimet e republikanëve se anëtarët e Antifa-s kanë qenë pas akteve të dhunshme në protesta.

Vota Afrikano-Amerikane

Dy konkurrentët u përpoqën gjatë debatit të tërheqin votën e komunitetit afrikano-amerikan. Zoti Biden ngriti pyetjen me një ton ironik: “Ky burrë është shpëtimtari i afrikano-amerikanëve? Ai nuk ka bërë praktikisht asgjë”. Ish-nënpresidenti demokrat tha se 1 ndër 1000 afrikano-amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi dhe nëse presidenti nuk vepron menjëherë, shifra do të rritet në 1 ndër 1500.

Presidenti e zhvendosi diskutimin nga COVID-19, tek ligji kundër krimit i miratuar në 1994, në të cilin zoti Biden ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë, i cili forconte ndëshkimet për persona që kapeshin me drogë.

Presidenti tha “Unë po i nxjerr njerëzit nga burgu,” duke shtuar se zoti Biden i kishte trajtuar afrikano-amerikanët “më keq se kushdo tjetër në këtë vend”.

Në​ Shenjestë​r Anë​tarë​t e Familjes

Presidenti Donald Trump dhe ish-nënpresidenti Joe Biden nuk kursyen as sulmet që shënjestronin persona të familjes.

Kur zoti Biden po thoshte se marrëveshjet tregtare të administratës Trump me Kinën nuk kishin dhënë rezultatet e dëshiruara, presidenti i preu fjalën duke përmendur pretendimet e ngritura më parë ndaj djalit të rivalit të tij, Hunter Biden dhe kontratave të tij me kompani të huaja.

Presidenti tha se Hunter Biden ka fituar miliona në mënyra të pandershme nga Kina dhe kompani të huaja, duke rigjallëruar akuza që janë diskredituar. “Nuk është e vërtetë,” tha zoti Biden, duke shtuar “Mund të vazhdojmë gjithë natës me gjërat që ka bërë familja e tij”.

Presidenti e ndërpreu duke u përgjgijur se fëmijët e tij kishin lënë punë me fitime të mëdha për të shërbyer në qeveri “që të ndihmojnë popullin” gjë që u pasua nga ndërhyrja e gazetarit që u përpoq të kontrollonte shkëmbimet gjatë debatit.

Zoti Biden iu drejtua kamerave me një koment për votuesit, gjë që bëri disa herë gjatë debatit, duke u shprehur “Këtu nuk bëhet fjalë për familjen time apo të tij (të presidentit. Por për familjet tuaja”.

Taksat e Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump nuk pranoi të thoshte nëse do të bënte publike dokumentet fiskale, siç pat premtuar.

Gjatë debatit, presidenti u pyet lidhur me një artikull kohët e fundit ngaThe New York Times se ai ka paguar vetëm 750 dollarë taksa për të ardhurat vitet e fundit. Megjithë premtimet, presidenti nuk dha një date specifike për datën e publikimit.

Rivali demokrat e sulmoi presidentin, duke thënë se ka shfrytëzuar kodin fiskal për të paguar taksa më pak se një mësues shkolle. Presidenti tha se të gjithë binzesmenët e bëjnë një gjë të tillë, “veçse nëse janë budallenj”.

Kontrasti në​ Stilin e Debatit

Debati bëri të qartë edhe stilet shumë të ndryshme mes dy rivalëve: Presidenti Trump me një stil agresiv, duke e ndërprerë zotin Biden, gjë që u pasua shpesh me komente dhe kritika nga gazetari Chris Wallace për thyerjen e protokollit të debatit.

Zoti Biden ndoqi një stil më komunikues me shikuesin, duke iu drejtuar kameras disa herë me fjalët “ju që na ndiqni nga shtëpia” me komente për votuesit amerikanë.

Toni i debatit, me ndërprerje, me komente të bëra njëkohësisht nga të dy kandidatët, shpesh duke e bërë të pamundur të kuptohej argumenti i njërit apo tjetrit, bënë që të ngrihej supozimi që ishte e pamundur të bëhet një debat pasues. Por duket se të dyja kampet rivale janë të gatshme për një debat të dytë presidencial.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here