Virusi si psikovampir, njeriu  dhe “nervozizmi social”…

0
108

Nga Gëzim TUSHI*

 Është krejt normale që në situatën që jemi, të bëjmë arsyetime të domosdoshme për të parë lidhjen midis ngjarjes së pandemisë dhe ndikimeve të thella të saj në ndryshimet që po ndodhin në logjikën sociale të shoqërisë dhe sidomos në jetën mendore të tronditur të individit. Duke e gjykuar nga përmasat e pandemisë, intensitetin dhe agresivitetin e pashëmbullt të zgjerimit, si dhe thellësinë e dëmeve njerëzore në saje të kësaj patologjie, mund të themi se si shoqëri por dhe si individë po kalojmë një nga krizat më të mëdha njerëzore. Aq më tepër kur gjërat janë akoma të panjohura deri në detaje diagnostikuese e terapeutike. Psikovampiri Covid 19 ka sjellë shumë paranoja të paqarta e tejet shqetësuese. Njerëzit janë nën peshën e të situatave të pakuptueshme dhe të pashpjegueshme deri në fund, për shkaqet dhe kurbën e vazhdimësisë së Covid 19-të, i cili tashmë ka dimensioned e zgjeruara të një “psikovampiri global”.

Gjëja e parë që po përjetojnë njerëzit tanë në këtë situatë janë frika dhe pasiguria, të cilat janë aq të mëdha, sa kanë forcë për ta bërë njeriun të duket i “vogël” para forcës shkatërruese të këtij virusi. I cili edhe pse është mikroskopik, por është njëkohësisht tejet i rrezikshëm dhe vdekjeprurës. Frika në kohë pandemie është një ndjesi e natyrshme njerëzore. Të mos kesh frikë nga rreziku i virusit vrastar do të thotë që nuk je në rregull mendërisht. Por kur frika nuk duhet ekzagjeruar. Ndryshe ajo bëhet irracionale, shndërrohet në një vampir dhe shoqërohet me situate paniku që trondit tërë qënien dhe personalitetin e njeriut. Ky është rreziku më i madh dhe me dimension të pakrahasueshëm me patologjinë e Covid 19, sepse kështu ai kthehet në një psikovampir kolosal, që mund të paralizojë dhe të thithë energjitë pozitive të individit dhe shoqërisë.

Padyshim një nga “qëllimet” e virusit Covid 19 është të ndikojë në zgjerimin e prirjeve degraduese të jetës. Në një hark kohor prej gati gjysëm viti, shoqëria shqiptare është përballur me disa dukuri me karakter material dhe psikologjik të zgjatur që janë të lidhura organikisht dhe në mënyrë simbiotike me influencat e virusit. Sepse përballë një virusi të frikshëm, të panjohur dhe të paqartë, është e natyrshme që njerëzit në moment të caktuara kur marrëdhëniet personale apo familjare me virusin bëhen shqetësuese e problematike, mund të jenë natyrshëm të përfshirë nga paniku, ankthi, frika, pasiguria. Madje tani edhe me një ndjenjë sociale të zgjeruar të hutimit social, që buron nga e sotmja e paqartë dhe e nesërmja e panjohur.

Sociologët kanë parashikuar se koha dhe shoqëria postmoderne ka plot gjëra të mira, por ka njëkohësisht shumë rreziqe, befasi sociale e të papritura individuale. Ky është një ekuacion që në këtë shekull me sa duket do të bëhet gjithnjë e më shumë i pasigurt, në të dy skajet e tij: Lirisë dhe Pasigurisë.

Kjo është situate që e ka bërë Covid 19 një psikovampir patogjen, që duke qënë jashtë faktorit fiziologjik, synon me të gjithë stratagjemat të intervenojë në “kështjellën njerëzore”, ta paralizojë, ti mpijë energjitë dhe po mundi ti marrë edhe jetën. “Objektivi shumëplanësh” i virusit, në se nuk i kuptojmë synimet e dukshme dhe të fshehta të tij, synon të thithë energitë pozitive të njeriut dhe shoqërisë, duke i paralizuar ato së bashku në vorbullën e frikës dhe pasigurisë. Kjo nuk është gjë e lehtë, sepse natyra psikovampire e covid 19, ka rrezik dhe synon ta katandisë njeriun në atë situate, që ai të humbasë kuptimin e jetës personale ose ta deformojë atë nën presionin e rrezikut virusal.

Sociologët kanë kohë që kanë parashikuar se ky shekull e ka bërë botën dhe shoqërisë më “likuide”, të turbullt dhe me rreziqe të shumta natyrore, planetare, medikale e sociale. Dhe me sa duket tani jemi përballë faktit, që shumë gjëra po bëhen dhe do të bëhen më të paqëndrueshme, më të pasigurta se më parë. Padyshim fare pa pritur dhe në mënyrë mbase të paparashikuar në kohë, Covid 19 na ka shpënë në një epokë, që do sjell ndryshime të dukshme, madje thelbësore në strukturën dhe funksionet sociale të shoqërisë. Tërmeti i 26 nëntorit por sidomos epidemia aktuale, e vërtetuan tezën sociologjike se shoqëria dhe njerëzit do të përballen me ngjarje që janë tipar i Epokës së lulëzimit të psikovampirëve që kanë efekteve të menjëhershme mbi njeriun dhe shoqërinë.

Kjo është arsyeja pse sot duhet kujdes i shtuar, sepse agravimi I fenomeneve të tilla si pandemia ka rrezik të cojë në dobësimin e “frenave”, që duhen për të garantuar “normalitetin social” dhe funksional të shoqërisë. Kjo na detyron që duke jetuar në këtë kohë të re, duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet sociale, mjekësore e individuale në mënyrë që të jemi të përshtatur në formën më bashkëkohore me të.

Nuk ka dyshim që situata e pandemisë ka sjellë humbje të mëdha, në statusin e sigurisë sociale që ekzistonte në shoqërinë tonë para shfaqjes dhe përhapjes së saj. Situatë që e shoqëruar me elementët e llojit “psikovampir” po mundohet dhe në mënyrë të natyrshme ka sjellë një tension të ri social të fortë dhe mbi të gjitha të paparashikuar. Jo vetëm në aspektin e garantimit të shëndetit nga rreziku infeksionit, por dhe për arsye të tjera. Nuk është e lehtë, fjala vjen, fakti që janë mijra njerëz që kanë humbur vendet e punës. Kjo situatë është vërtetë ushqyes i një psikovampiri tjetër, që përvec anës materiale, është shoqëruar me shfaqje të depresionit. Situata e pandemisë synon të japë dy efekte negative. Nga njëra anë ajo synon të demoralizojë dhe të sjellë një lloj falimentimi shpirtëror të njerëzve. Kjo është njëra anë e problemit. Problemi I dytë është rreziku i një lloj krize ekonomike e financiare.

Megjithatë koha kërkon që duke luftuar me sukses për tu mbrojtur nga virusi, në të njëjtën kohë duhet të gjejmë rrugën dhe besimin e patundur për jetën. Pavarësisht se jemi të dëshpëruar dhe në ankth nga rreziku Covid 19, por ky nuk është argument i mjaftueshëm, për të hapur zonat e interferimit të llojeve të ndryshme të psikovampirëve, duke rënë përfundimisht në pesimizëm kronik. Padyshim në këtë periudhë ka patur përjetime të ndryshme për virusin. Kjo e lidhur jo vetëm me patologjinë e rrezikshme, por edhe me rrethanat, nënkulturën në të cilën jetojnë njerëzit tanë. Sidomos kjo, e lidhur edhe me vecoritë, guximin, optimizmin dhe forcën tërësore të personalitetit individual.

Padyshim që në shumë njerëz dhe grupe sociale pandemia është shoqëruar me gjëndje ankthi, kriza paniku, nuance pesimizmi individual dhe të dëshpërimit social. Dinakëria dhe “inteligjenca” morbide e virusit, ka synuar të thyejë qëndresën, rezistencën e shoqërisë në tërësi dhe të individëve, sidomos të atyre që shfaqin dobësi në vecanti. Dhe për hir të së vërtetës, në shoqërinë tonë ka patur dhe ka herë pas here, situata depresioni, mungesë të administrimit të duhur të vetes përballë rrezikut të vërtetë e të natyrshëm të virusit. Objektivi sëmundjes është fare i thjeshtë, i qartë dhe i lexueshëm. Ai është në mënyrë të sigurt një psikovampir patologjik, që synon të sjellë “shëmbjen e brendshme” të njeriut.

Në këto kushte thelbësore është zbatimi i masave mbrojtëse të përcaktuara nga mjekësia, vecanërisht nga protokollet universale të OBSH, të cilat kërkojnë të merret parasysh ndikimi i pasojave të jashtëzakonshme të këtij risku. Natyra prej psikovampiri e virusit Covid 19 synon mbi të gjitha të bëjë “gjëmën sociale” në mënyrë që të paralizojë njerëzit dhe spostojë ata të demoralizuar dhe pa energji në “zonat negative” të jetës. Nuk është zgjidhje, që njeriu nga presioni i këtij psikovampiri të burgoset në vetmi sociale apo të mbyllet në subjektivitetin e ngushtë. Mëndja e njeriut në këtë rast ka nevojë për koherencë dhe siguri.

Qëllimi është lufta individuale dhe sociale në mënyrë që virusi të mos ketë atë forcë sociale dhe virulencë mjekësore, që ti bëjë njerëzit të humbasin “drejtpeshimin social”. Beteja me këtë psikovampir kërkon vullnet, forcë, guxim. Këto janë në dorën e njeriut. Aleate është paketa e energjive pozitive, që njeriu duhet të vërë në lëvizje.

Pandemia është patologji intensivisht e rrezikshme. Por ajo nuk e ka mundësinë e “dëshiruar” të një psikovampiri, që të na bëjë idiotë, njerëz të paaftë për të menduar dhe vepruar. E pamundur që ai të këtë forcë që të na vërë në ato zona “negative” të jetës, në të cilat njeriu mbytet nga dëshpërimi, frika, paniku apo vetmia vetëvrasëse…

*Sociolog, Mjeshtër i Madh

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here