Imzot George Frendo: Na duhen politikanë që mendojnë për shoqërinë, jo për të mirën personale dhe atë të partisë

0
99

Arkipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, në bisedë me Deutsche Wellen, thotë se Nënë Tereza është shenjtorja e parë shqiptare pas shumë shekujsh dhe vlerësimi për figurën dhe veprën e saj duhet të shërbejë si shtysë për shoqërinë shqiptarë.

Imzot George Frendo i sheh zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, në pranverën e ardhshme, më 25 prill, si një mundësi e mirë që shoqëria dhe politika të kthejnë më shumë sytë tek të varfrit dhe shtresat në nevojë. “Në Shqipëri ka ende shumë të varfër, edhe pse situata në krahasim me 25 vite më parë është përmirësuar. Ka shumë diferenca dhe pabarazi sociale. Edhe në Shqipëri po rendet pas fitimit personal dhe harresës ndaj botës së varfër. Jetojmë në një  botë të trazuar, me mentalitet konsumist, materialist, që ka korruptuar edhe politikën”,- shprehet ai.

Dëshira e Imzot Georg Frendos me afrimin e zgjedhjeve parlamentare 2021: “Uroj që politikanët të jenë më të vetëdijshëm për ekzistencën e botës së të varfërve dhe të interesohen jo vetëm për të fituar votat e saj, por edhe për të respektuar dinjitetin e njerëzve të kësaj bote, për të kontribuar që të varfërit të kenë një jetë më të denjë si qenie njerëzore.”

Ai citon Papa Françeskun t’i ketë përkufizuar shoqëritë e sotme si “globalizim të diferencës”. “Politikanët në Shqipëri duhet të hapin mirë sytë për të zbutur diferencat sociale, përmirësuar situatën e të varfërve, anonimëve, të mënjanuarve nga shoqëria përmes politikash mbështetëse dhe integruese”, thotë Imzot George Frendo.

Kleriku i lartë katolik ka këndvështrimin e tij edhe për politikanët që i duhen Shqipërisë. “Kemi nevojë për politikanë të pastër, të matur, në qeveri dhe Parlament. Kemi nevojë për politikanë që nuk kërkojnë as të mirën personale, as të mirën e partisë por të mirën e shoqërisë. Shoh që në Shqipëri ka luftë për të fituar autoritet, por autoriteti është shërbim. Fjala Ministër, është fjalë latine, me origjinë nga greqishtja, që do të thotë shërbëtor, njeri në shërbim të publikut. Një shtet i korruptuar është rrezik i madh për shoqërinë. Në një shtet të tillë të pasurit paguajnë dhe fitojnë gjithçka, të varfrit që s’kanë para humbin dhe vuajnë,” thotë Imzot George Frendo.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here