Totalitarizmi demokratik i listave të hapura…

0
119

Nga Redi Shehu

Ndryshimet kushtetuese të 30 Korrikut, futën proçedurat e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në një hulli të re. Me anën e opozitës parlamentare, maxhoranca arriti të sigurojë 106 vota për të kaluar ndryshimet kushtetuese të cilat, vulosën përfundimisht pamundësinë e koalicioneve parazgjedhore. Opozita jashtë parlamentare, e cila është edhe bartësja morale e spektrit opozitar, ishte krejt kundër kësaj inciative të maxhorancës. Problemi i vetëm në gjithë këtë mesele, është se opozita duke hequr dorë vullnetarisht nga të qënurit zyrtarisht opozitë, iu pamundësua efekti bllokues që ajo mund të kishte në parlament për të frenuar që ndryshimet kushtetuese të mund të merrnin formën e sotme. Interesi i maxhorancës socialiste, që këto ndryshime të mund të realizoheshin, ishte tek fakti se ata shpresojnë se do dalin forcë e parë në zgjedhejt e 25 Prillit. dhe kështu duke i dhënë mundësinë vetes të jenë ata të parët të kenë të drejtën për të formuar qeverine e re. Një marifet ligjor ky, i cili u realizua në një kohë çudirash politike në Shqipëri, ku edhe ka parlament por edhe s’ka moralisht parlament, edhe ka opozitë, por edhe s’ka moralisht opozitë. Një kohë çudirash e cila është e destinuar të prodhojë çudira të reja, koston e të cilave sigurisht do ta paguajë si gjithmonë ai që shpesh politikanët betohen, dmth popoulli.

Një thënie e vjetër thotë se, sasia e të vërtetës në botë është gjithmonë e njëjta, e palëvizshme. Ajo që ndryshon në rritje të vazhdueshme është gjithmonë gënjeshtra. Koha në të cilën jetojmë, është më shumë se kurrë e prirur për të pakësuar sasinë e palëvizshme të të vërtetës, sepse ajo nuk përfaqëson më nocionin e një standarti objektiv, sepse për të, nuk ka diçka absolute dhe e vërteta nuk është më sovrane. Gjithçka është thjesht çështje interpretimi, dhe e vërteta e palëvizshme transformohet në një nocion relativ që shton gjithnjë e më tepër sasinë e gënjeshtrës. Për këtë, duhen promovuar ide, informacione si dhe sjellje irracionale që në formë instiktive e shtyjnë individin drejt humbjes së sensit të reales drejt besimit gati mitologjik, se sasia e të vertetës është thjesht çështje përceptimi.

Edhe e vërteta politike tek ne sot i ngjan një besimi mitologjik i cili e bën atë thjesht çështje përceptimi, duke i humbur asaj thelbin e vet të patjetërsueshëm. Thelbi i të vërtetës tone, është se votuesi dhe vullneti i tij duhet të arrijë realisht të përcaktojë qeverisjen. Kthimi i saj në mitologji, është kur partitë politike, maxhoranca kryesisht, hiqet sikur vërtet po e realizon këtë proçes, pra po i jep zë vullnetit të popullit. Pra, një iluzion të një “sfere publike politike” ku në mënyrë imagjinare publiku ushtron funksione dhe presione mbi të. Pikërisht, për shkak të transformimit të debatit publik për të mirën e interesit të përgjithshëm, drejt një propagande publike për të mirën e interesit të një kaste të caktuar, sot, kemi dështuar në strukturimin e një shoqërie e cila të jetë njëkohësisht e dominuar dhe e lirë.

Në thelb, si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike, LSI po e po, nuk janë të interesuara për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Kjo hapje, nëse do të bëhëj në mënyrë të drejtë, pra me rend alfabetik dhe secili te marrë aq vota sa i takon prej elektoratit të tij, do të arrinte ta kthente përfaqësimin politik në rrugën e duhur pas zallamahisë së dakortësisë kushtetuese të 2008-tës. Por jo, nuk mund të ndodhë kështu. Partia Socialiste, ofron një draft në të cilin listat edhe janë të mbyllura edhe janë të hapura, ashtu siç është edhe parlamenti ynë, edhe me opozitë edhe pa opozitë, ashtu siç në thelb është edhe politika jonë, edhe ujku i ngopur edhe delet tamam. Drafti socialist i sjellë në Këshillin Politik, flet për një të tretën e listës së kandidatëve e mbyllur dhe pjesën tjetër të hapur. Vetëm se, pjesa e mbyllur e listës, pra njerëzit e caktuar nga kryetari i partisë, do të jenë të parët në rreshtimin e listës se kandidatëve për deputetë, duke bërë që shanset e fitores së emrave të përzgjedhur të jenë shumë më të mëdha se sa pjesa tjetër e hapur e listës, për të cilën popullli do të duhej të shprehej direkt.

E bukura e kësaj është se edhe pse PD është shprehur për hapje 100% të listave, ajo së bashku me opozitën e bashkuar, nuk kanë sjellë një projekt tjetër alternativ për ta kundërshtuar. Kjo do të thotë se i gjithë lidershipi politik, është i interesuar që pusheti i kryetarit të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur dhe përcaktues në raport me të gjithë proçesin. Është pikërisht këtu ku propaganda e fjalëve tëvpolitikanëve përpiqet të bindë publikun se të vërtetat e këtij grupi janë të vërtetat e gjithë shoqërisë, se privatja e tyre është publikja e të gjithëve. Miti i pjesmarrjes dhe angazhimit politik si pasurim i demokracisë është shndërruar në atë, se ata që përfshihen në debatet politike, më shumë tentojnë të konfirmojnë idetë e tyre se sa të ofrojnën seriozisht një të mirë të vërtetë publike.

Pra, edhe duam të hiqemi të hapur me votuesin duke bërë thirrje se po dëgjojmë zërin e popullit për hapjen e listave, por edhe pushtetin tonë politik duam ta mbajmë të pacënuar. Kjo hipokrizi e establishmentit tonë politik, është jo vetëm brënda kufinjve të hipokrizisë por e ka transformuar sistemin tonë në atë që Jakob Talmon e quan “demokraci totalitare” me anë të së cilës, përfaqësuesit politikë mund të zgjidhen saktë ligjërisht, por ama zgjedhësit e tyre pastaj, kanë pak ose aspak mundësi të bëhen pjesë e proçeseve të vendimarrjes, pikërisht për shkak të transformit dhe keqpërdorimit të votës së tyre. Në raste të tilla, lidhja mes një përfaqësimi të drejtë juridiksht dhe pasja e një elektorati fasadë, i cili nuk mund të ketë më fuqinë për të ndryshuar e përmirësuar gjërat, duhet të bëhet përmes një mekanizmi i cili edhe proçesin politik nuk e dëmton, pra i jep legjitimitet demokratik atij, por edhe masën e votuesve e mpin dhe e neutralizon. Ky mekanizëm i përdorur gjërësisht, është pikërisht propaganda.

Populli i thjeshtë, të mirën e të cilit klasa politike me aq entuziazëm e kërkon, është një masë heterogjene përkatësisht dhe identitetesh të cilat variojnë nga forma se si ato janë shtresëzuar në shoqëritë përkatëse. Propaganda, e cila duhet pikërisht të punojë me “popullin e thjeshtë” duhet së pari të ndërtojë një opinion publik të unifikuar mbi këto përkatësi heterogjene, një opinion, siç Gjuro Shushnjiq në “Peshkatarët e shpirtrave njerëzorë” e quante, “opinion artificial” i cili shkon drejt manipulimit të identiteve të cilat transformohen në identitete të manipuluara dhe identitetet e manipuluara në fund të fundit nuk janë gjë tjetër veçse identitete artificiale. Pra, në formë të përmbledhur mund të themi se që një demokraci të transformohet në demokraci totalitare duhet të përdorë propagandën me qëllim që të ndërtojë identitete artificiale zgjedhësish në shërbim të paaftësimit, mpirjes dhe paralizimit të fuqisë së tyre elektorale dhe transformuese.

Pikërisht këtë bën sistemi i ri i “listave të hapura”, transformon vullnetin e zgjedhëve nga vota e preferuar për një kandidat të preferuar, drejt kandidatit të kryetarit që ndodhet në fillim të listës. Kështu, edhe ligjërisht jemi në rregull se kemi hapur listat dhe praktikisht ushtrojmë kontroll total ndaj kësaj demokracie. Ky është rasti tipik ku edhe demokracia dhe totalitarizmi bashkohen në një pikë, në demokracinë totalitare si absurd politik, me justifikimin se e gjitha bëhet për të mirën e popullit të thjeshtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here