Kompania e lidhur me një zyrtar shqiptar, “ekspeditë” biznesi në Afrikë

0
131

Një kompani e vogël farmaceutike në pronësinë e vëllait të një zyrtari të lartë shqiptar u bë zanafilla e një furtune politike në Zimbabve këtë verë, ku ministri i Shëndetësisë, Obadiah Moyo dhe tre zyrtarë të tjerë po përballen me akuza për korrupsion.

Moyo akuzohet se tentoi të favorizonte kompaninë Papi-Pharma, disa muaj përpara se qeveria e Zimbabves të lidhte kontrata prej miliona dollarësh me kompanitë Drax Consult Sagl dhe Drax International në pronësi të emigrantit shqiptar, Ilir Dedja.

Papi-Pharma është një kompani e vogël e tregut shqiptar të farmaceutikës, e cila numëronte vetëm dy punëtorë dhe të ardhura prej rreth 7 mijë dollarësh në vitin 2018.

Por në pranverën e vitit 2019, ajo u bë gati të nënshkruante një kontratë prej 15 milionë USD në Zimbabve, si pjesë e një oferte për furnizimin e vendit me medikamenteve dhe pajisje mjekësore.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Papi-Pharma zotërohet nga 27-vjeçari Taned Bllako, pa ndonjë rekord të mëparshëm në fushën e farmaceutikës.

Bllako është i angazhuar gjithashtu në një biznes të hershëm familjar në prodhimin e birrës dhe njihet si vëllai i vogël i drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, AKUM, Alqi Bllako.

Oferta e Papi-Pharma në Zimbabve u refuzua në verën e vitit 2019, pasi kompania dështoi të kalonte një proces due diligence.

Megjithatë, procedurat e ndjekura në emër të saj zunë vend në akt-akuzën e ngritur ndaj ish-ministrit Moyo, si pjesë e një skeme më të gjerë të ndikimit politik dhe abuzimit me detyrën në shpërndarjen e tenderave të ilaçeve dhe pajisjeve kundër COVID-19 në shtetin jugor të Afrikës.

Taned Bllako e konsideroi një praktikë normale biznesi ofertën e bërë në Zimbabve, ndërsa përjashtoi çdo lidhje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Obadiah Moyo dhe çdo dijeni mbi akuzat e ngritura kundër tij.

“Sa kohë që unë nuk kam asnjë kontratë me shtetin e Zimbabves, nuk ka sesi akuzat ndaj tij të jenë të lidhura me kompaninë time apo me mua si individ,” tha ai në një komunikim në Whatsapp me BIRN.

Papi-Pharma në Afrikë

Kompania Papi-Pharma u themelua në qershor të vitit 2018 nga Erlis Sulkaj, 27 vjeç –djali i njërit prej biznesmenëve në tregun shqiptar të farmaceutikës, Përparim Sulkaj. Taned Bllako e bleu atë më 28 mars 2019 -pothuajse në të njëjtën kohë me dorëzimin nga kompania të një oferte në Zimbabve.

Sipas hetimeve të kryera nga njësia antikorrupsion e Zimbabves, oferta e Papi-Pharma iu dorëzua ish-ministrit Moyo nga biznesmeni Delish Nguwaya –i lakuar për lidhjet e tij me djemtë e presidentit Mnangagwa.

Kompania u regjistrua gjithashtu zyrtarisht në regjistrin e prokurimeve të Zimbabves, me person kontakti zyrën avokatore të Z. Nguwaya.

Biznesmeni Nguwaya u vendos gjithashtu nën hetim këtë verë si pasojë e përfaqësimit prej tij të një grupi të vogël kompanish në pronësi të qytetarëve shqiptarë –të cilat u bënë pjesë e një ekspedite biznesi në Afrikë, në kërkim të kontratave prej miliona dollarësh. Ai është aktualisht nën akuzë për mashtrim.

Përveç kompanisë Papi-Pharma, Nguwaya përfaqësoi edhe kompanitë Drax Consult Sagl dhe Drax International në pronësinë e Ilir Dedjes. Ai ishte gjithashtu i pranishëm në dy takimet që biznesmeni i lidhur me koncesionet e inceneratorëve, Mirel Mërtiri zhvilloi në Harare me presidentin Mnangagwa dhe ministrin Moyo.

Sipas akuzave të ngritura ndaj Moyo, Papi-Pharma u klasifikua me ndërhyrjen e tij për lidhjen e një kontrate me blerje të drejtpërdrejtë me Natpharm – kompania farmaceutike shtetërore në Zimbabve, në fund të majit 2019. Por në mesin e qershorit, ajo e gjeti veten jashtë biznesit.

Arsyet e skualifikimit të kompanisë së Bllakos shpjegohen në akuzë me një përgjigje kundërshtuese të sekretarit për Punët dhe Tregtinë e Jashtme, ambasador J.Manzou – i përfshirë në procesin e due diligences.

Sipas përgjigjes së Manzou, drejtori i kompanisë Papi-Pharma ishte Klodian Allajbeu, i përshkruar aty si i lidhur me lëvizjes Gulen, e cila akuzohet nga Turqia si një organizatë terroriste.

Emri i Allajbeut nuk gjendet në ekstraktet e kompanisë Papi-Pharma, por ai rezulton si ortak biznesi me Taned Bllakon në kompaninë Alned 91, me adresë në një fabrikë të prodhimit të birrës në Ersekë.

Klodian Allajbeu mohoi kategorikisht çdo lidhje me kompaninë Papi-Pharma dhe ofertën e saj në Zimbabve në një bisedë telefonike me BIRN, ndërsa shtoi se emri i tij ishte keqpërdorur në mënyrë të qëllimshme.

“As vetë nuk e di se kush ka qenë nevoja që emri im të përdorej në këtë histori qëllimisht,” tha Allajbeu, administrator i spitalit Amerikan në Tiranë, duke shtuar se kjo histori i kishte shkaktuar shqetësime të shumta.

Allajbeu mohoi gjithashtu të kishte lidhje biznesi me Taned Bllakon, ndonëse emrat e tyre gjenden si bashkaksionerë në ekstraktet e kompaninë Alned 91.

“Unë njoh Alqin dhe jam përfshirë në atë kompani në kohën që ai ishte ende në Presidencë, “ tha Allajbeu. “Sot bëj zero biznes me këta persona,” shtoi ai.

Alqi Bllako, 33-vjeçar me një karrierë të vrullshme në Shqipëri, la të kuptohej se nuk kishte asnjë lidhje me bizneset e të vëllait në një komunikim me Whatsapp me BIRN.

Bllako ka punuar si sekretar i Përgjithshëm i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka në vitet 2013-2017, kohë gjatë së cilës është angazhuar edhe me procedurat e tre koncesioneve të trajtimit të mbetjeve urbane – të fituara nga kompanitë e lidhura me Mirel Mërtirin.

Pas vitit 2017, Bllako punoi si sekretar i Përgjithshëm i Presidencës, ndërsa në fillim të vitit 2019 ai u emërua nga qeveria “Rama” në krye të AKUM -një agjenci e re që koordinon dhe monitoron aktivitetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.

“Vëllai im nuk ka qenë asnjëherë të vetme në Zimbabve apo Afrikë, kjo lehtësisht e verifikueshme, ndaj nuk ka si të ketë ndikuar ndaj askujt, aq më tepër që kontrata nuk ekziston,” tha Alqi Bllako për BIRN.

Ai tha gjithashtu se Allajbeu ishte mik i hershëm i tij, por pretendoi se në biznesin e prodhimit të birrës ishte angazhuar me të vëllanë.

Edhe Taned Bllako e përjashtoi të vëllanë nga aktivitetet e tij të biznesit, duke ofruar si bazë ekstraktet në QKB.

“Nuk e di dhe jam i paqartë se çfarë roli mund të luajë vëllai im në një biznes të ndërtuar nga babai ynë kur ai ishte 4 vjeç,” tha Taned Bllako, duke iu referuar kompanisë Alned 91. “Me Z. Allajbeu kemi bashkëpunuar për ndërtimin e një fabrike birre si vazhdim i biznesit familjar që ju përmendni,” shtoi ai.

Bllako pretendoi gjithashtu se nuk kishte lidhje me Nguwaya dhe avokatët e tij dhe nuk iu përgjigj pyetjes nëse Z. Mërtiri kishte luajtur ndonjë rol në ofertën e bërë nga kompania e tij në Zimbabve.

Ai nuk shpjegoi gjithashtu nëse Allajbeu kishte pasur rol në kompaninë Papi-Pharma, ndërsa pretendoi se aplikimi në Zimbabve ishte bërë nëpërmjet një kompanie partnere në Turqi.

Ndryshe nga Bllako, Allajbeu ishte i drejtpërdrejtë rreth lakimit të emrit të tij në Zimbabve, ndërsa tha me humor: “Po të kisha qenë unë i përfshirë, të siguroj që nuk do të ishte një histori kaq e trashë”! BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here