Virusi patogjen dhe “kriza” e shoqërisë së qejfit…

0
98

Nga: Gëzim TUSHI

 

 

Padyshim ka kaluar një kohë jo e vogël, në të cilën shoqëria shqiptare është e detyruar të bëjë ndryshime të thella edhe në tipologjinë e pranuar të “Shoqërisë së Qejfit”, duke reflektuar ndryshimet e domosdoshme në strukturat sociale aktuale të kënaqësive individuale e sociale. Gradualisht dhe jo pa “dhimbje” për shkak të natyrës tejet patogjene të virusit, jemi duke i ridimensionuar në formë dhe përmbajtje, “strukturën e qejfeve” dhe të kënaqësive  me kushtet e rrezikut të virusit Covid 19. Sociologjikisht është e sigurt, por edhe në aspektin social nuk ka dyshim, që Covid 19 është një “virus kompleks”, polyvalent. Duke qënë se në të njëjtën kohë ai është patogjen” por edhe “virus social”, që ka filluar të ndikojë dhe akoma më shumë në të ardhmen do të ndikojë në ndryshimin thelbësor të “sistemit e vjetër” të vlerave, qejfeve dhe mënyrave si I kemi realizuar si shoqëri kënaqësitë humane.

Kjo është njëra nga arsyet, pse të gjithë jemi të shhqetësuar për situatat që po sjell Covid 19 në jetën tonë të përditshme. Në pjesën private e intime të të kënaqësisve dhe veprimtaritë e natyrshme të qejfeve njerëzore. Nganjëherë duket sikur për shkak të këtij mikrobi “mikroskopik”, shoqëria shqiptare, por jo vetëm, është detyruar të pranojë disa tendenca të reja, të cilat duket sikur qytetërimin liberal që ka në themel të vet “shoqërinë e qejfit dhe kënaqësisë” po e bëjnë gati “asketik” duke u bërë më shtrëngues se më parë.

Mbase në emër të jetës Covid 19 ka dhënë sinjal të fortë për domosdoshmërinë e këtij ndryshimi shtrëngues, duke na detyruar që format e sjelljes, të qejfit dhe kënaqësisë t’i adoptojmë me esencën e ndryshuar, performancën e transformuar të shoqërisë. Në të vërtetë unë besoj se periudha e tanishme dhe ajo post-covidjane, do të shoqërohet me cënim të përmbajtjes, moduleve sociale dhe formave estetike të veprimtarive njerëzore të qejfit dhe kënaqësisë. Qofshin ato të ngushta e intime apo me mas-shtabe të gjëra sociale.

Ndryshimet që po ndodhin, që mund të bëhen të vazhduara e tipike do jenë sjellje përcaktuese të fenomenologjisë së shoqërisë dhe natyrës së qytetërimit, që është i detyruar të reflektojë determinimin që vjen nga mbrojtja e detyruar e parimeve, që janë të parat e mbi të gjitha “qejfet” sepse i shërbejnë në rradhë të parë shëndetit individual dhe publik. Qoftë edhe me koston e një shoqërie mbase pak më pak e dhënë pas dimensioneve superliberale të qejfeve dhe kënaqësisë

Sigurisht do ketë disa vështirësi të përshtatjes dhe adoptimit social të njerëzve me kornizat e ndryshuara, modulet gati të përbysura të mënyrave të “vjetra” të qejfit dhe kënaqësisë. Kjo pse ato duhet të zhvillohen në respekt dhe në emër të “distancimit social” apo ‘distancimit fizik”. Ndoshta në pamje të parë këto restriksione, nuk janë fort të natyrshmë të pranohen nga njerëit individualisht apo të adoptohen si shoqëri. Situata e “kufizimeve të qejfit”, mund të na krijojnë idenë, se do jetojmë në një shoqëri e cila pikërisht nga këto kufizime, mund të na japë idenë se do jetojmë të detyruar në një shoqëri që mund të “sëmuret shpirtërisht”.

Por besoj se një arsyetim racional më i thellë duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm, për raportet e reja të ndryshuara nga influenca e Covid 19 të qejfeve individuale dhe kënaqësitë sociale. Kufizime të cilat kanë prekur të gjithë qejfet zakonore, festat komemorative, ritualet e dasmave, gëzimit apo hidhërimit social. Por ne jemi qënie racionale dhe dimë të rindërtojmë drejt raportet që duhen vendosur, midis qëllimeve humane, qoftë edhe të qejfit dhe kënaqësisë në raport me mjetet, modulet dhe mënyrat si i realizojmë ato.

Jeta e njeriut dhe e shoqërisë është qëllimi madhor, ndërsa qejfet dhe kënaqësitë janë të rëndësishme, por mbeten thjesht”mjete” që i shërbejnë cilësisë dhe bukurisë së jetës njerëzore. Por do të ish individualisht qëndrim irracional dhe idiotësi sociale, në se vendosim mjetet (qejfin dhe kënaqësistë sociale apo të personalizuara) kundër qëllimit, që është “cmimi i jetës” njerëzore. Në se duam ti biem murit me kokë, atëherë fare kollaj mund të bëjmë mjetet e kënaqësisë sociale dhe të qejfeve individuale si qëllim kryesor të jetës, dhe për pasojë jetën e kthejmë në një gjë pa cmim dhe vlerë. Ky qëndrim është fatal!

Ky qëndrim i ri në raportin e ndryshuar midis jetës nga njëra anë dhe qejfit dhe kënaqësisë në anën tjetër, është një imperativ që duhet vlerësuar seriozisht, dhe në asnjë rast nuk duhet nëpërkëmbur. Ky është një nga mësimet e shumta që pandemia po i jep shoqërisë dhe qytetërimit tonë urban. Padyshim disa nga mënyrat dhe domosdoshmëritë e vjetra të festive dhe kënaqësive do të ndryshojnë. Mbase si fillim nga efekti i pandemisë, por më vonë ato mund të bëhen paradigma të reja, të festive dhe kënaqësive më të disiplinuara numerikisht, më restriktive nga pikpëpamja e frekuencës dhe shpeshtësisë.

Duke gjykuar situatën që kalojmë, pakujdesistë hedonistike të shfaqura në mënyrë të crregullt e kaotike, si duke vlerësuar reflektimet nën ndikimin friksues të pandemisë, besoj se në mënyrë të sigurt situata që lidhet me qejfet dhe kënaqësitë do të rikonceptohet dhe ridimensionohet. Doemos do të shoqërohet me ndryshime evidente të moduleve të tyre. Edhe pse për të qënë i vërtetë deri në fund me veten, duke njohur natyrën recidiviste të njerëzve tanë, në raport me kënaqësitë personale dhe qejfet individuale, nuk jam i sigurt në se këto ndryshime do të vazhdojnë të kenë efekt social, pasi të largohet shkaku (Covid 19). Sociologët që janë marrë me analizën e dukurive sociale të pandemisë, janë të mendimit se ajo ka sjellë dy pasoja të rëndësishme. Nga njëra anë distancimi social dhe fizik është bërë një mjet për “kufizimin dhe përkufizimin” e hapësirës individuale dhe marrëdhënieve sociale, dhe nga ana tjetër distancimi i lidhjeve në hapësirë ka bërë të mundur që njerëzit të kenë më shumë “kohë vetjake”. E cila duhet shfrytëzuar në mënyrën më optimale dhe të dobishme, pa e kthyer ne vanitet dhe mërzi.

Megjithatë është e udhës të besojmë se njeriu është qënia më e fortë dhe më e aftë, që të organizojë edhe në kushte të tilla “kohën e brendshme” që lidhet me qejfet dhe kënaqësistë. Por kjo do të bëhet në mënyrë të matur, të kujdesshme dhe shpirtërisht të dobishme. Sepse nuk mund të neglizhojmë faktin, që virusi Covid 19 është shumë patogjen, krejt në kundërshtim me shëndetin individual dhe publik, me modulet e vjetra të qejfit dhe sistemin tonë të trashëguar të kënaqësive sociale. Pandemia kërkon ndryshim të moduleve të qejfit dhe kenaqësise…

 

*Sociolog, Mjeshtër i Madh

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here