Standard.al

SHKRESA/ Drejtori i Policisë Ardi Veliu pranon se e dinte për “terrorin e Lefter Zhidrut” por “e menduam të zgjidhur”

0

 

Policia ka qenë në dijeni se 71 vjeçari Lefter Zhidrut ishte tip problematik dhe një rrezik për komunitetin e banorëve që jetonin në atë pallat në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan.

Letrat ankesa drejtuar autoriteve vendore por dhe policisë, si dhe dëshmitë të shumta të banorëve tregojnë se shqetësimet e tyre nuk ishin marrë parasysh deri ditën e djeshme kur ndodhi edhe ngjarja e rëndë.

Sipas një e-maili të siguruar nga Ora News, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka qenë në dijeni për njeriun problematik jo një herë, ndërsa policia nuk ndërhynte.

E-maili mban datën 8 maj 2020.

“Sot përsëri erdhi policia e cila nuk bëri asgjë. Duam ndihmën tuaj, dhe nëse nuk na jepni një zgjidhje për këtë gjë do i drejtohemi mediave. Ju lutem pres një përgjigje”, lexohet në e-mailin drejtuar kryepolicit, siguruar nga Ora News.

Por disa orë pas publikimit të lajmit nga RTV Ora dhe Ora News, vjen edhe reagimi i Policisë së Shtetit.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia shprehet se, pasi ka marrë e-mailin, me urdhër të Veliut ankesa I është përcjellë strukturave përkatëse.

“Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës. Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit”, thuhet në sqarimin e Policisë së Shtetit.

Sqarim i Policisë së Shtetit

“Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media se një shtetase nga lagjja “11 Nëntori”, Elbasan, i ka dërguar e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për t’i kërkuar ndihmë për një konflikt që kishte me shtetasin Lefter Zhidru, sqarojmë opinionin publik se:

Më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it policiaeshtetit@asp.gov.al, është dërguar e-mail nga zonja, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me këtë shtetas. 

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse.

Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës.

Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.

Policia e Shtetit fton çdo media ta kontaktojë zyrtarisht, për të shmangur informacionet e pasakta, si dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim me shpejtësi dhe profesionalizëm“.

Ditën e djeshme, për rreth 5 orë, 71-vjeçari Lefter Zhidru ngriti në këmbë të gjitha strukturat e policisë dhe terrorizoi lagjen “11 Nëntori” në Elbasan.

Duke mos pranuar të dorëzohej ai u ekzekutua nga forcat RENEA. /A.R, OraNews

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.