Standard.al

Taksimin progresiv nuk e shpëton dot as Rama…

0
Nga Vehap Kola 

Taksimi nuk është një instrument juridik për të ndëshkuar krimin. Ky është një parim që duhet mbajtur vath në vesh kur flasim apo shkruajmë rreth politikave fiskale. Pasuritë e vëna me mënyra të paligjshme trajtohen nga legjislacioni anti-mafia, krimi ekonomik, etj. Taksat në këtë drejtim nuk ndihmojnë, përkundrazi mund të shërbejnë si strategji legjitimimi të pasurive dhe të ardhurave me origjinë krimin, trafiqet dhe terrorizmin. Veçanërisht progresistët do t’i dëgjoni shpeshherë që të propozojnë si zgjidhje për ekonomitë kriminale legalizimin dhe taksimin e lartë mbi to.

Një ndër debatet më të fundit, ai për taksën e sheshtë 9% të propozuar nga Lulzim Basha në kuadër të programit ekonomik të Partisë Demokratike, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek progresistët. Një ndër pakënaqësitë që shprehin ata është pretendimi se taksimi i sheshtë do të rrisë pabarazinë ekonomike ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Kur ata ballafaqohen me shifrat që demonstrojnë se periudhat me taksim të sheshtë janë edhe periudhat me zbutjen më të madhe të dallimeve ekonomike, ndërsa periudhat me pabarazi më të thella janë ato të aplikimit të taksimit progresiv, progresistët rimarrin një argument të përdorur nga tregu i gabit i progresizmit.

Njësoj siç një pjesë e tyre ia vënë fajin për katastrofën e diktaturës të ashtuquajturit keqzbatim të socializmit në rastin e Shqipërisë, duke shfajësuar socializmin dhe duke kërkuar ta provojmë përsëri, edhe progresistët e sotëm fajin për thellimin e pabarazive ia vënë ‘keqzbatimit’ të tatimit progresiv nga ana e Ramës. Duke përqafuar të njëjtën mënyrë arsyetimi, ata bien në të njëjtin gabim logjik si të parët, pasi të dhënat statistikore nuk u ofrojnë atyre asnjë rast të suksesit të tatimit progresiv në Shqipëri.

Duket, pra see progresiszmi është i infektuar nga një komplot kapitalist që e bën politikën fiskale progresive të dështojë sa herë që zbatohet. Po çfarë e bën taksën e sheshtë të ketë sukses? Me siguri, faktorë të tjerë, konjuktura ekonomike globale dhe, mbi të gjitha, ndonjë konspiracion kapitalist që ndihmon jo vetëm ekonomitë, por edhe vetë qeveritë e djathta që të ngrenë mekanizma të tjerë bashkëshoqërues që e bëjnë taksën e sheshtë të prodhojë efektet e kundërta me ato që parashikojnë nobelistët progresistë dhe yjet e konsulencës së tempujve neo-liberalizmit: të prodhojë shoqëri më të barabarta.

Ky mallkim që përndjek tatimin progresiv në Shqipëri ndodh edhe për shkak se kjo politikë fiskale përqafohet përherë nga njerëz të korruptuar, me vizion shkatërrimtar për vendin, që duhet të jenë se s’bën pjesë e komplotit kapitalist ndaj socializmit.

Prandaj, të majtët kërkojnë ta zhvendosin debatin në fushën e praktikës dhe politikës. Nuk dihet saktësisht se çfarë dallimi ka ndërmjet statistikave nga INSTAT dhe praktikës që ata i referohen, por me siguri nuk duhet të jetë ndonjë aplikim i kthesës praktike në shkencat humane të propozuar nga filozofë social(istë) si Bordieu, de Certau, Deleuze apo Giddens. Taksa e sheshtë, pretendojnë të majtët, është një marifet praktik dhe politik për të transferuar oligarkët nga Edi Rama tek Lulzim Basha.

Siç duket, progresistët kanë pritur që vjedhjen me ligje antikushtetuese dhe kontrata korruptive (siç janë PPP-të e Ramës me oligarkët e tij), Lulzim Basha duhet ta trajtojë me taksa të larta. Në një farë mënyrë, ai nuk ka pse të zhvillojë një betejë ligjore me këto tendera anti-ligjorë me afat nga 10 deri në 35 vjet. Pra, oligarkët më mirë pranokan të shkojnë në gjykatë dhe të përballen me kthimin një më një të parave që kanë marrë në mënyrë të paligjshme nga buxheti i shtetit, madje të shkojnë edhe në burg për rolin e tyre në këto vepra penale, dhe nga ana tjetër të tatohen me 9% mbi fitimet që mund të realizojnë në këto kushte, se sa të durojnë për shumë vite të tjera zgjedhën e tatimit progresiv.

Duket e plani i Bashës është keqkuptuar. Ai nuk e ka premtuar taksën e sheshtë 9% për të luftuar konçesionet, as monopolet, as oligarkinë. Ai ka ofruar uljen e taksave për sipërmarrjen dhe trajtimin e barabartë nga shteti. Për të shpëtuar Shqipërinë nga barra e tenderave shumëvjeçarë dhe të paligjshëm të quajtur PPP, vendi ka kod penal, ligj anti-mafia, institucione të drejtësisë dhe vullnetin politik të opozitës për të kryer hetimin administrativ.

Ndërsa për të luftuar monopolizimin e tregjeve, vendi ka ligje anti-monopol, anti-kartel dhe institucione që mbikqyrin strukturën e konkurrencës në të gjithë sektorët e ekonomisë. Mosfunksionimi i tyre nuk zgjidhet me politika fiskale progresiste, por me forcimin e shtetit ligjor dhe luftën ndaj mafias dhe organizatave të krimit të organizuar që pengojnë zbatimin e ligjit.

Profecitë e errëta të progresistëve për një shoqëri që do të bëhet edhe më e pabarabartë kanë si alternativë vetëm ruajtjen e status quo-së me Edi Ramën, taksën e tij progresive dhe oligarkinë e PPP-ve të tij. Tashmë që edhe FMN ka vlerësuar suksesin e taksës së sheshtë në vitet 2007-2013 dhe ka rekomanduar kthimin e saj, ka shumë mundësi që, edhe nën presionin e programit ekonomik të Bashës, Rama ta përqafojë edhe vetë atë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.