Nuk na rrezikon pandemia, por sjellja jonë!

0
93

Nga Gëzim Tushi

Tani nuk ka njeri normal që të mos besojë se pandemia e Covid 19-të duam apo nuk duam, na ka vënë në një situatë të re sociale dhe individuale. Horizonti I ndryshimeve të detyruara socale, ka filluar të shfaqet qartë. Në këtë kontekst është fare e udhës që të mendojmë individualisht por dhe si shoqëri në tërësi, për të kërkuar, kuptuar dhe gjetur piketat e reja të orientimit të sjelljes sociale. Padyshim që jemi të detyruar të pranojmë pa hezitim se Covid 19 po sjell një “revolucion social”, që kërkon një rishikim të kujdesshëm të “mullarit” të madh të zakoneve dhe sjelljeve tradicionale, të tipologjisë së lidhjeve sociale dhe paradigmave etike interpersonale.

Duket qartë që bota, nën ndikimin e efekteve të pandemisë do të ketë nevojë për “piketa të reja” të orientimit social të sjelljes individiuale. Meqënëse pandemia ka shtuar risqet e sjelljes së pakujdesshme, atëhere lufta për korrektimin e shëndetshëm të sjelljes individuale, mbetet kushti kryesor për zvogëlimin dhe kontrollin e riskut. Në mënyrë të sigurt, sjellja personale e kujdeshme do të bëhet barrikada kryesore mbrojtëse dhe mbase nuk është e tepërt të themi, që ajo po kthehet në qëllim thelbësor dhe condite sine qua non për mbrojtjen e jetës së njeriut.

Sociologët mendojnë se mënyrat e komportimit social, sjelljet traditat e së kaluarës nuk mund të jenë më sikurse kanë qënë më parë. Madje nuk dimë dhe nuk jemi të sigurt, se cfarë do të na sjellë e ardhmja. Megjithatë situata që kalojmë, na ka bërë të vetëdijshëm për rreziqet e sjelljes personale në kushtet e pandemisë. Unë besoj se në vlerësimin sociologjik të situatës, pasojave që duken apo që nuk duken, të atyre që janë prezent apo që do shfaqen në të ardhmen, duhet të jemi të vëmendshëm. Kjo do të thotë se është e nevojshme që në shoqëri të organizojmë një debat të madh, dialog social të fuqishëm, për ato gjera që duhet të ndryshojnë në mënyrën e të sjellurit tonë, për sot dhe në të ardhmen.

Me sa duket pandemia na ka futur në një zonë sociale delikate, kur duhet të ndryshojmë disa gjëra në mënyrën e sjelljes, që na vijnë si trashëgimi kulturore e zakonore nga e kaluara. Sociologjikisht kur shoqëria është në situata të tilla eruptive, me rreziqe të reja e pasoja të paparashikuara, është e detyruar të “rishikojë veten” dhe të bëjë “ripërkufizime” të disa normave apo koncepteve të sjelljes sociale. Tronditja që po kalojmë si shoqëri, ka të bëjë me nevojën e disa ndryshimeve të thella. Nevoja e këtyre ndryshimeve duhen njohur, kuptuar dhe pranuar. Sidomos lidhur me raportet dhe marrëdhëniet e reja të sjelljes personale në raportet midis përgjegjësisë publike dhe qëndrimeve private.

Në këto kushte gjërat që bëjmë apo që do bëjmë në të ardhmen, janë të lidhura me arsyet që tashmë i njohim.Beteja sociale me Covid 19 është mbase një nga më seriozet që kemi kaluar këtë shekull. U bë gati gjysëm viti që shoqëria shqiptare është duke u përballur me këtë “armik” të egër, të padukshëm dhe dinak. Nga kjo distancë e luftës së përditshme me Covid 19, është e mundur të nxjerrim shumë konkluzione. Jo vetëm me vlerën e protokolleve mjekësore, por sidomos në aspektin e ndikimeve dhe ndryshimeve që duhen bërë në mënyrën si sillemi dhe ndërtojmë marrëdhëniet në jetën e sotme sociale.

Besoj se nuk ka njeri dyshim që tani kemi nevojë për të bërë disa ndryshime thelbësore në modelet kulturore, modulet etike dhe paradigmat e vjetra të sociale. Më sakt, duhen përmirësime imediate, me efekte të menjëhershme si mjet për të ndërtuar “mburoja mbrojtëse” përballë këtij virusi kokëfortë dhe tejet rezistent. Në thelb edhe pse mbase duken si kërkesa më shumë empirike, por janë të vetmet të pranuara universalisht si të domosdoshme, sikurse janë rishikimi i mënyrave të sjelljes që respektojnë parimin e sigurimit të distancimit social dhe fizik, mbajtjen e maskës dhe sigurimin e një higjene permanente.

Natyrisht nuk është e lehtë, madje nuk është as sforcim i vogël beteja për të ndryshuar shumë norma të sjelljes sociale apo mënyra të rindërtimit ndryshe të “stilit” të vjetër të jetës. Por ja që këto ndryshime duhen, janë jetike e të domosdoshme. Me sa duket shumë nga traditat sociale të së kaluarës nuk mund të rifitohen më.

Mbase jemi në fillimet e shfaqjes së efekteve sociale detyruese e ndikuese të pandemisë, që kërkojnë me do kusht ndryshimin e disa moduleve të sjelljes. Kjo do të thotë se mbarë shoqëria njerëzore në përgjithësi dhe shoqëria jonë në mënyrë të veantë, tani ndodhen në një etapë të reflektimit të integruar, mbase në kushtet e një “revolucioni social”, për rishikimin me vendosmëri të tërë mjeteve, arsenalit të vjetër të sjelljeve dhe zakoneve të mbingarkuara e supersociale, moduleve të ndërtimit të marrëdhënieve dhe sjelljeve etike të ndryshuara. Duhet një vlerësim i kujdesshëm i mënyrave të sjelljes individuale, shoqëruar edhe me një rishikim radikal të zakoneve të jetës tradicionale. Kjo sepse kostoja e këmbënguljes dhe pasojat e këtij qëndrimi janë fatale e të pakorrigjueshme. Koha po tregon se edhe përballë këtij virusi shumë të rrezikshëm, njeriu po e tregon veten qënie të aftë, që po i përballon vështirësitë e pandemisë. Padyshim, situata e zgjerimit të pandemisë do të ketë ndikime të gjëra në zgjerimin e prirjeve të sjelljeve individualiste. Qoftë si parim biologjik apo edhe si realitet social. Situata e pandemise do të jetë me siguri nja faktor shtesë, i cili prirjes së natyrshme që vjen nga realiteti shoqërisë postmoderne për individualizëm të theksuar, mund ta bëjë edhe më të vrazhdë.

Pandemia do ndikojë në ndryshime thelbësore, jo vetëm në dramaturgjinë e përgjithshme sociale, por dhe mënyrën e sjelljes, komportimit dhe teatrit të sjelljes individuale. Kjo do të thotë se pandemia po na detyron që ti japim fund disa tipareve të vjetra të teatralitetit etik tradicional.

Njeriu postmodern ka kohë që është kundër peshës absolute të zakoneve të vjetra sociale. Jo se nuk i do, por në këto situata më shumë se kurrë disa prej tyre jo vetëm janë kundër “parimeve të shëndetit”, por mbi të gjitha pesha e tyre është deformuese, shtypëse e Un-it të njeriut si individ i përvecëm. Me sa duket epoka e post-pandemisë, do të sjellë rivendosjen e raporteve të reja në sjelljen dhe marrëdhëniet midis Un-it, Vetes dhe Tjetrit. Covid 19 u bë faktor shtesë dhe i paparashikuar në thellimin e “hendekut social”. Që në këto momente ka filluar të zbehet lidhja dhe interesimi i njeriut për të tjerët.

Sidoqoftë është e udhës që të shikojmë dhe analizojmë, si do të reflektojë ndryshimi i sjelljes zakoneve tradicionale nën ndikimet determinante të pandemisë. Sepse sjellja dhe zakonet janë elementë të rëndësishëm të organizimit të jetës sociale, sjelljes individuale dhe mënyrës së organizimit të jetës personale. Ne jemi të ndërgjegjshëm se shumë sjellje, zakone dhe forma arkaike të socialitetit, në situatat që kalojmë jo vetëm që e humbasin vlerën e tyre si “piketa” të sigurta të orientimit social të sjelljes njerëzore, por akoma më keq ato mund të marrin formën dhe trajtën e veseve të rrezikshme për jetën e njeriut. Besoj se koha na ka dhënë disa mësime me vlerë mjekësore e sociale, të cilat me siguri që do të marrin trajtën e normave të reja të sjelljes personale e publike. Kjo do të thotë që është prioritare që në këtë situatë  të bashkojmë sjelljes sociale dhe individuale një tjetër lloj “etike personale”. Nevoja për një rrishikim të modaliteteve të lidhjeve dhe marrëdhënieve personale, më sakt ndryshimi dhe përmirësimi i “ekonomisë së sjelljes” në kushtet e pandemisë, ka nevojë për këshillat dhe ndërhyrjet e reja të ekspertëve të sjelljes humane. Sepse patologjia e Covid 19 është komplekse dhe e ndërlikuar.

Ajo ka konstruksionin e vet patologjik që është nën vëzhgimin, kontrollin dhe ndërhyrjen e mjekësisë, por nga ana tjetër pandemia shfaq edhe nevojën e ndërhyrjeve në “konstruksionin social”. Kjo do të thotë se përvec karakterit patogjen e medikal, pandemia ka një shfaqje të dukshme si konstruksion social të lidhur ngushtë me sjelljet sociale dhe individuale. Aspekti i nderlikimeve të pandemisë në formën e një lloji të sëmundjes shoqërore, duhet vlerësuar me kujdes nga cdo njeri në sjelljen e vet personale. Në situata të tilla ka vetëm një imperative të sigurt: Njeriu me sjelljen e vet të kujdesshme, konform me parimet e shëndetit, është “arkitetkt i sigurt” për mbrojtjen e jetës vetjake përballë kërvënimit të përgjithshëm të pandemisë.

Padiskutim kufijtë e lirisë individuale, janë të kondicionuara nga nevoja e administrimit të domosdoshëm të pandemisë. Të vërtetat e jetës duhet ti themi ashtu sikurse janë apo shfaqen. Thellimi I tendencës për më shumë vetmi, izolim, ndarje ka brenda saj edhe rrezikun e agresivizimit të egoizmit njerëzor. Por nuk kemi cfarë të bëjmë. Është ligjësi që gjëndjet mendore të njerëzve janë pasqyrim i situatave sociale. Pandemia ka impakte të gjëra në ndryshimin e shumë gjërave. Qoftë edhe të atyre që janë të natyrës emocionale, që duken në lidhjet humane të natyrshme e të domosdoshme të njeriut. Sinjalet detyruese të ndryshimit të sjelljes njerëzore, kërkojnë të përshtasim më mirë një ekuilibër të ndryshuar emocional, që vendoset ndryshe tani në raportet midis Vetes dhe të Tjerëve. Edhe kur pandemia të largohet nga ne (ajo një ditë do kalojë si gjithë pandemitë e tjera), nuk duhet të harrojmë kërkesat dhe imperativat e saj. Është krejt kundërproduktive rezistenca ndaj ndryshimeve në sjelljen sociale dhe individuale. Ato duhet dhe do të bëhen patjetër!

*Sociolog, Mjeshtër i Madh

*Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës “Standard”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here