Kollomoqi që na jep çdo ditë Qeveria…

0
87
Nga Klodian Tomorri

Gjatë viteve 80’, teksa “ZIS-at” e Partisë transportonin në autokolonë, misër nga Lushnja në Berat, njëri nga magazinierët e rezervave të shtetit në Lushnjë, pyet i habitur shoferët: Kaq shumë derra paska ky Berati?!

Shoferët ia plasën të qeshurit.

Misri, që shpesh qe i krimbur apo i mykur, ishte për njerëzit.

Ndërkohë që njerëzit hanin kollomoqin e mykur për pjesën më të madhe të vitit, sekretarët e Partisë dhe zyrtarët e regjimit, krenoheshin se sërish Partia ia kishte dalë të siguronte bukën e popullit me forcat e veta.

Por vetë, asnjeri prej tyre nuk hante misrin e derrave e madje as i nënshtroheshin regjimit të tollonave.

Qeveritarët e sotëm ngjajnë shumë me sekretarët e Partisë qëmoti.

Fundja, të gjithë kanë të njëjtën prejardhje. Politikisht nga mëma Parti, gjenetikisht shumica e tyre janë bijtë e etërve.

Çdo ditë ministrat e sotëm lëvdojnë reformat dhe arritjet e Shqipërisë në arsim, por fëmijët e tyre i shkollojnë jashtë. Propagandojnë progresin në shëndetësinë publike, por veten dhe familjarët e tyre i kurojnë jashtë.

Mburren me transformimin e Tiranës, por jetojnë në periferitë e shtrenjta, larg zhurmës, trafikut dhe mbi të gjitha ndotjes që po vret me mijëra njerëz çdo ditë.

Shkurt, këta janë të vetmit kuzhinierë në botë, që nuk e provojnë asnjëherë çorbën e tyre.

Lindita e Arsimit do të mbahet mend si Ministrja e vetme e Arsimit në botë, që krenohej njëkohësisht për arritjet në arsim dhe me faktin se vajza e saj studionte në Francë.

Besa do të mbahet mend për rekordin, që fëmijët e saj nuk hëngrën asnjë ditë çorbën që gatoi mamaja me shkollat publike.

Beqja i reformave të mëdha në shëndetësi do të kujtohet si ministri që edhe gripin e kuronte në spitalet private.

Erjoni, që çdo ditë ndërton një pallat dhe mbyll nga një rrugë në Tiranë, si pashai i Kodrës së Diellit, ndërsa shefi i të gjithë këtyre do të mbahet mend si burri që i bëri nënën arsimit, shëndetësisë dhe të gjithë vendit.

Për ta bërë edhe më groteske, ka dhe një ngjashmëri tjetër. Në kohën kur shumica e popullit hante kollomoqin e mykur të Partisë, Shqipëria merrte çmimin e parë nga OKB për ushqimin.

Sot, që arsimi dhe shëndetësia publike janë në ditën e tyre më të errët, Banka Botërore e klasifikon Shqipërinë në 10 vendet me përmirësimin më të madh në botë për këta dy sektorë, ndërsa Bashkia e Tiranës merr çdo javë nga një çmim të parë ndërkombëtar. Idem. Ndryshimi i vetëm është se në atë kohë, çmimin e tërhiqte Sofokli Lazri, kurse sot i tërheq Erjoni.

Çmimet ndërkombëtare ngrohin propagandën e qeverisë dhe ndoshta edhe xhepin e atyre që i japin.

Çështja është si do t’ia bëjmë me kollomoqin e mykur që po na jep çdo ditë Rilindja?!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here