Listat janë të hapura, deputetët janë të mbyllur!

0
150
Nga Ermal Mulosmani 

Reforma Zgjedhore ishte një nga kushtet kryesore që Bundestagu Gjerman i vuri Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimi të ëndërruar në Bashkimin Evropian. Dukej që kjo Reformë, nën kujdesin e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e një Këshilli Politik gjithpërfshirës (pjesëmarrja e PD-së në këtë këshill ishte shenja e parë e bashkëpunimit institucional pozitë-opozitë pas një viti të tmerrshëm ndarjeje, protestash, bojkoti dhe votimesh pa zgjedhje), do të ishte edhe shenja e parë e kthimit në një normalitet politik.

Pas shumë peripecive, me ndërmjetësimin e Ambasadores së SHBA-së që i ftoi të gjithë përfaqësuesit politikë në ambientet e Ambasadës (një turp më vete ky), u arrit të firmosej një dokument i dakortuar nga të gjitha palët e përfshira në proces, përfshir përfaqësuesin e PS-së dhe deputeten Rudina Hajdari që përfaqësonte opozitën parlamentare.

Opozita u ngut atëherë për ta shpallur nënshkrimin e asaj marrëveshjeje si një fitore të saj, Ambasadorja Yuri Kim ishte entuziaste,  në kancelaritë evropiane po përshëndetej marrëveshja.

Në këtë atmosferë hareje, dikush po nënqeshte. Ishte pikërisht hanxhiu, ai i cili gjithmonë ruan të drejtën për t’u tallur me entuziasmin e çdo marrëveshjeje, Kryeministri.

Për të bllokuar atë që ishte arritur, sigurisht, do të shfrytëzonte kartën e deputetëve “opozitarë”…

Opozita parlamentare me në krye deputetin Myslym Murrizi deklaroi që “Ne nuk e votojmë marrveshjen pa lista të hapura”- paçka se përfaqësuesja e tyre në Këshillin Politik, Rudina Hajdari, e kishte firmosur atë!

Kryeministri dukej i brengosur, i duheshin 84 vota ndërkohë që kishte vetëm 74. Ku do t’i gjente edhe 10 të tjerë? Opozita parlamentare kërkonte haraçin e saj…

Në negociata “të gjata” me Murrizin & co, i mbushi mendjen këtij të fundit që “Ti voto marrëveshjen e 5 Qershorit dhe unë të premtoj se do të miratoj ndryshimet kushtetuese që zhdukin koalicionet parazgjedhore dhe do të hap listat e deputetëve”. Praktikisht do të hidhte në erë gjithçka ishte arritur me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, do të hidhte në erë kushtin kryesor të Bundestagut gjerman për Reformë konsensuale.

Dhe e bëri pa iu dridhur qerpiku.

Ndryshimet kushtetuese nën okelion e “kërkesës mbarëpopullore të listave të hapura” vendosën të heqin mundësinë e koalicioneve parazgjedhore dhe hapjen e listave të kandidatëve, “të paktën në dy të tretat e tyre”.

Thënë të drejtën, nëse nuk llogarisja pafytyrësinë e Kryeministrit për të tallur Bundestagun, SHBA-në, BE-në, Opozitën etj, vendimi për të hapur listat më pëlqente. Mirëpo kishte diçka që më brengoste, një hile ndjehej në këtë hapje gjysmake. Pse dy të tretat e jo 100%?

Atëherë u tha që “ detajet se sa % përcaktohen në Këshillin Politik me konsensin e Opozitës”. Pra, askush nuk e ndalonte askënd që t’i hapte 100%. Kishte vetëm një merak, të ruheshin kuotat gjinore (kjo ishte krejt e zgjidhshme pasi ekziston opsioni i zgjedhjes paraprakisht të 30% të femrave më të votuara).

Erdhëm kështu në ditën e djeshme në propozimin e PS për Kodin Zgjedhor. Fillimisht u tha: “100% lista të hapura”, një ndjesi pozitive më kaploi. Madje shkruajta edhe një status në Fb ku falenderoja Myslym Murrizin e co që, pavarësisht arsyeve nga të cilat janë nisur, finalja e arritur është për t’u përgëzuar. Të gjithë e dimë se listat do t’i bëjë Kryetari i Partisë por elektorati ka në dorë të thotë mendimin e tij brenda atyre listave. Në fund fare, po mendoja që edhe ato ndryshime kushtetuese u bënë mirë, hapja e listave të deputetëve më bënte që t’i harroja të tjerat…

Mirëpo entuziasmi im ishte krejt jetëshkurtër. Ustai po tallej me elektoratin, me Opozitën, me Murrizin me të gjithë. Pasi thoshte “Listat janë të hapura 100%”, shpjegonte se “janë të hapura për votim por jo edhe për numërim”. Dmth në numërim nuk fitonte mandatin ai që merrte më shumë vota. Joooo. Merrte mandatin ai që caktonte Kryetari më lart në listë.

“Po normal more” – do thoshte ish-Minsitri i tenderit të Unazës së re dhe mjeshtri i tërmetit të Dibrës- “Listat do të ruajnë edhe stabilitetin e Partisë por nga ana tjetër vlerëson me peshë çdo kandidat. Nëse ti ke peshë të caktuar mund të ndryshosh renditjen”.

Gjithë problem aty është pra, te pesha e caktuar. Pesha e kërkuar është e barabartë me Numrin e votive të partisë në qark/numrin e deputetëve të fituar.

Sistemi i Gjiknurit përcakton që votuesi ka të drejtë të zgjedhë fillimisht Partinë që preferon dhe pastaj VETËM 1 kandidat nga lista e deputetëve të asaj Partie. Pra, nga lista e 35 kandidatëv të Tiranës fjala bie, zgjedhësi ka vetëm një mundësi zgjedhjeje. Që këtu lista është e mbyllur automatikisht. Mundet që shumica e zgjedhësve të preferojë të njëjtin emër dhe do të kishim një rezultat qesharak (i preferuari mund të merrte 200 mijë vota ndërsa i dyti e me radhë nga 500 vota. Kjo është qesharake. Numri i kandidatëve që do qarkohen duhej të ishte minimalisht 3. Kosova e ka 5 dhe e nxjerr rezultatin për Partitë brenda nate e për deputetët për 3 ditë. Nuk ka asnjë vështirësi teknike.

Por më e bukura qëndron në shansin që një deputet i cili gjendet poshtë renditjes së Kryetarit të bëhet deputet. Po sqaroj atë që thotë Gjiknuri me një shembull.

Nëse votat e partisë Socialiste në një qark janë 100,000, të shpërndara sipas kësaj mënyre:

5 deputetët e parë në listen e Kryetarit kanë marrë secili nga 2 mijë vota

5 deputetët e renditur në vendet 6-10, në listën e Kryetarit, kanë marrë secili nga 18 mijë vota, atëherë, në Parlament do të futen të 5 të deputetët e parë dhe do mbesin jashtë tij ata që kanë marrë nëntëfishin e votave.

Sepse, që një deputet jashtë listës së kryetarit t’i zërë vendin një deputeti të renditur në listën fituese sipas Kryetarit, duhet të ketë të paktën 20 mijë vota (1/5 e votave të Partisë).

Kjo është gjithçka përveçse listë e hapur. Ky është votim i hapur me deputetë të mbyllur. Mishërimi i përkryer i thënies së Stalinit “Nuk ka rëndësi se si votojnë por si numërojmë”!

E keqja më e madhe është që PD –së i vjen mjaft për shtat ky draft e nuk do t’a kundërshtojë… Të gjitha palët flasin për lista të hapura dhe ëndërrojnë mbylljen e tyre. Ato i do veç elektorati

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here