Peter Handke: Serioziteti i jetës

0
140

Sjellja

Ngrihesha në këmbë kur në dhomë futej ndonjë epror. Nuk mungoja pa arsye.

Kur rrija në krevat si i sëmurë, ngrija lart termometrin për të treguar se e kisha zënë shtratin me të drejtë. Kur doli moda që të vizatoje me shkumës kryqin e thyer në pëllëmbën e dorës dhe pastaj t’u rrihje supin atyre që s’e dinin këtë, zakonisht, ai që e pësonte isha unë. Gjatë orës së mësimit, dimrit, nuk guxoja t’u hukasja arabeskave të akullit në xhamat e dritares. Hera – herës lexoja poshtë bankës. Kur ndodhte të më pikasnin mësuesit, përpiqesha t’ua ktheja vështrimin NDERSHMËRISHT dhe HAPUR. Kur urdhërohesha, i vendosja menjëherë duart mbi tryezë. Zakonisht, lidhëset e këpucëve i mbaja aq të shkurtra sa të mos i lidhja dot.

Feja

Ngandonjëherë besoja te Zoti, tek i Gjithëfuqishmi, krijuesi i qiellit dhe i tokës. Gjatë meshës, prisja ndryshimet e lëvizjeve, para se të lexohej ungjilli, prisja ngritjen në këmbë, para predikimit, prisja uljen, para shndërrimit, prisja gjunjëzimin. Kur ipeshkvi erdhi për vizitë në konvikt, me të hyrë në sallën e leximit, ai mori drejt e tek unë dhe më pyeti si quhesha. Meqë ime më priste një fëmijë, unë u betova para DRITËS SË PËRJETSHME se, po të shkonte gjithçka mirë, do të bëhesha me të vërtetë prift. Fillova të shkoja me dëshirë në kishë dhe të trilloja mëkate. Kardinalit të Hungarisë iu desh që për t’i shpëtuar komunistëve të kërkonte MBROJTJE në Ambasadën Amerikane. Mësova emrat e të gjithë librave të Testamentit të Vjetër dhe u njoha me arkitekturën e Tempullit të Salomonit. Kur dhëmbët e mi preknin osten, trembesha. Një misionar i dëbuar nga Kina rrëfente për vuajtjet e europianëve atje dhe shfaqte diapozitiva. Martin Luteri, kështu na thonin, bashkëjetonte me një murgeshë manastiri. Përktheja histori pasioni nga gjermanishtja në latinisht. Dalangadalë nisa të mos e përfytyroj dot më se si ishte ferri. Në shtrat, kur sillja ndër mend fotografi grashë lakuriq, shqiptoja pareshtur lutjen Atuynëqëjenëqiell, por për të nuk më vinte ndërmend asnjë fotografi. Shkrova një vjershë për Hyjëlindësen. Kur na thuhej se përpara Zotit të gjithë njerëzit ishin të barabartë, të bardhë, të zinj, çifutë, kinezë, më erdhi mendimi se mos kjo fjali, në të vërtetë, bënte të mundur të kundërtën e kësaj fjalie. Në vitin njëmijëenëntëqindepesëdhjeteshtatë, kur gjunjëzoheshim në kishën e errët dhe i luteshim Kurorës me trëndafila, kisha frikë nga pasditja e së shtunës.

Gjeografia

Mësova se erërat e merrnin emrin sipas drejtimit prej të cilit vinin. Zonat pak të populluara ishin shënuar në hartë thuajse me të bardhë: atje doja të isha. I dija përmendësh të gjitha kryeqytetet e të gjitha shteteve. Në koren e tokës mund të shfaqeshin të çara në çdo çast. Për orën e gjeografisë solla nga shtëpia një hartë me kufijtë e vjetër të Gjermanisë, e cila pastaj mbeti në kabinetin e hartave. Bluja e thellë e Oqeanit Paqësor ishte më kërcënuesja. Natën dëgjoja me kënaqësi zhurmën e trenave që kalonin. Vatikani ishte shtet më vete dhe kishte qytetarët e tij. Kur qëllonte të humbisja rrugën, mund të orientohesha sipas pozicionit të diellit. Nëpër hartat gjeografike kërkoja nyjet rrugore. Rrugën që kishte shkelur kapiteni Skot drejt Polit të Jugut në kthim e pashë se mbaronte me një kryq në akullin polar. Meqenëse të gjitha njollat e të çarat ekzistonin, tash e tutje mund t’i KRAHASOJA me shtete dhe lumenj, nuk kisha pse të ëndërroja më për to.

Historia

Historia për mua ishte një lëndë mësimi. Kënaqesha me emrat e traktateve të panumërt të paqes. Në të tashmen flitej për  ngjarje që kishin ndodhur në të kaluarën. Luftrat, kështu thuhej, u sillnin popujve vuajtje të parrëfyeshme. Mark Aureli qe një filozof në fronin perandorak. Strategët qenë TRIMA dhe sundimtarët qenë MENTARË. Hunët kalëronin mbi mish të butë nën shalë, kishin mustaqe të frikshme dhe krahasoheshin me hordhi karkalecash. Në mesjetë bota ishte ende një tërësi. Papa Piu II, i cili erdhi më vonë, qe ndër të parët që zbuloi të mirat e alpinizmit. Për të konkretizuar historinë lexoja balada. Në të gjitha korridoret e kështjellës së vjetër ku qëndruam, duhej të zbuloja gjurmët e së kaluarës. Beteja e Lechfeld-it kremtonte përvjetorin e saj të dymijtë. Shën Bonifac-i preu me dorën e vet lisin e Donar-it (1) dhe ktheu kështu në fenë e krishterë paganët e fundit të trevës gjermane. Romakët, kur nuk mund të hanin më, e ngacmonin me pupël qiellzën që të villnin e pastaj të mund të hanin përsëri. Kryengritja e hungarezëve një vit më parë nuk kishte hyrë ende në histori.

Gjuhët

Puna me gramatikat e huaja më pengoi të merresha me të tjera. Luaja me variantet e fjalëve. Më mësuan që t’i përbuzja gjuhët dhe t’i dashuroja ato…Një pakicë njerëzish te ne, të cilët kishin mësuar një gjuhë sllave qysh  në fëmijëri, u këshillua prej nesh, të tjerëve, që të shkonte në vendin ku këtë gjuhë e fliste shumica. Meqenëse në gramatikën greke ua merrja të gjithëve, edhe ndjehesha më i fortë se ata.

HARTIMET

Meqënse ndërkaq i kisha harruar përvojat e mia të fëmijërisë, në hartime tregoja me fjalë të reja për përvojat e mësuara. Kur më duhej të përshkruaja një përjetim, nuk shkruaja për përjetimin siç kish qenë, por përjetimi ndryshohej nëpërmjet faktit që unë shkruaja për të, ose shpesh ai lindte vetëm kur shkruaja hartimin për të dhe pikërisht përmes formës së hartimit që më kishin mësuar: madje edhe një përjetim vetiak më dukej ndryshe kur shkruaja një hartim për të. Në hartimet për besnikërinë dhe bindjet shkruaja si në hartimet për b. dhe b., në hartimet për një ditë të bukur vere, shkruaja si në hartimet për një d.t.b.v, në hartimet për fjalën e urtë “pika e ujit shpon edhe gurin”shkruaja si nw hartimin për fjalën e urtë “p.e.u.sh.e.g”, derisa përfundimisht, në një dië të bukur vere, nuk përjetova ditën e bukur të verës, por përjetimin për një ditë të bukur vere.

SHTETI

I këndoja të gjitha strofat e himnit federal. I doja prindërit e mi si qelizën embrionale të shtetit, e doja vendilindjen time, e doja landin federal ku kisha lindur, e doja atdheun tim të dashur. Jo shteti, por fjalët për shtetin më ngacmonin për t’i përdorur ato. Për shkak se ekzistonte një shtet, ne të gjithë ishim të lidhur ngushtë me njëri – tjetrin. Dy vjet më parë, ishte njoftuar se, falë një traktati me Fuqitë Pushtuese, më në fund ne ishim TË LIRË: por duke qenë se deri tani nuk ka ndryshuar asgjë përveçse është futur një festë shtetërore, ndërkohë që dëgjojmë vazhdimisht se jemi TË LIRË, dalëngadalë shprehjet “i lirë” dhe “jo i lirë” fillova t’i mbaj mend për lojra fjalësh. Shtetin e shihja vetëm te shenjat e sigurisë që kanë dokumentat. Pikërisht sepse pas fjalës “shtet” nuk mund të përfytyroja asgjë, isha i mahnitur me të. Gjithçkaje që nuk mund të përfytyroja doja t’i gjurmoja rrënjët. Mahnitesha pas gjithçkaje që mund të KËNDOHEJ.

LOJA 

Turresha tek automati i futbollit të vendosur në sallën e caktuar enkas për lodra. Dhe doemos që më vinte turp se kisha ENDE dëshirë të luaja. Mësova të mos kisha frikë nga topat e rëndë gjimnastikorë që m’i hidhnin nga afër, dhe t’i kapja ato mu para gjoksit, edhe pse detyrohesha të zbythesha pakëz. Kujdestari ynë shpirtëror, i cili një pasdite të tërë na bëri talim përpjetë e tatëpjetë kodrës, e quajti edhe atë lojë. Nervozohesha për rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i lejoheshin moshës sonë t’i dëgjonte në radio. Nga qejfi i lojës, merrja hapur anën e partisë socialiste, e cila nuk shihej me sy të mirë në konvikt. Ditët e ushtrimeve shpirtërore, ku ishim të detyruar të heshtnim, nuk kapja dot fjalë të mjaftueshme. Problemet e vështira të aritmetikës i zgjidhja me të njëjtin zell që lexoja historitë me vrasje.

Serioziteti i jetës

Më vinte turp shpesh. Sapo zgjohesha, dëshiroja sakaq të ishte përsëri mbrëmje. Doja të STRUKESHA ngado. Në shtrat e mbuloja menjëherë kokën me jorgan. Fotografive u prisja pjesën e pasme të kokës, se më vinte rëndë prej saj. Karrigen, ku ulesha në sallën e leximit, e afroja sa më pranë bankës dhe trupin e fshihja sa më poshtë saj. Thonjtë e gishtave i kisha gjithmonë të pistë. Shpesh, gjatë meshës, pushoja së kënduari me të tjerët, se mbaja vesh zërin tim të brendshëm. Gishtërinjtë e priftit që më vinte osten në gjuhë mbanin erë vere. Në nevojtore rrija shumë më tepër se ç’duhej. Isha i kënaqur që banka kishte një kapak, i cili hapej aty ku unë mund të fshihja sytë nga salla e madhe. Mu në mes të një beteje me mbeturina mollësh, filloja të qaja si idiot. Kur dilja nga kisha, stërpikja me ujin e bekuar nishanin që kisha në ballë. Për herë të parë vura re se djersija.

Më dukej se të gjitha fjalët me parashtesa të këqija kishin të bënin me mua. Dielli më pështirosej, por kur jashtë binte borë, kisha diçka që mund ta sodisja. Në titujt e mëdhenj e të zinj të gazetave më ra në sy fjala “vjeshtë”, sepse vjeshtën e kaluar Izraeli kishte bombarduar Egjiptin: që atëherë bombat kanë për mua formën e titujve të mëdhenj e të zinj të gazetave. Nuk i trembesha më aq vdekjes, sikundër në fëmijëri, por tani më shumë mosvdekjes dhe shëndetit. Nuk më pëlqenin kujtimet dhe në të folur e përdorja rrallë kohën e shkuar. Më pëlqente të mendoja për të ardhshmen. Nëse dikur dëshiroja që të mund t’u THOJA diçka të tjerëve, kjo kishte të bënte me dëshirën që të mund t’u URDHËROJA diçka të tjerëve: u druhesha dhe i admiroja ata që kishin për të THËNË diçka në këtë mënyrë. Këpucët e kujdestarit KËRCISNIN prapa dikujt. BOTA E JASHTME imagjinare, në të cilën unë jetoja, konvikti, ishte në të vërtetë E BRENDSHME, një botë e brendshme e futur nga jashtë dhe e brendshmja vetiake ishte e vetmja mundësi për t’u gjendur sadopak në BOTËN E JASHTME. Kur shëtisja, nuk ma mbante aspak të kapërceja kufijtë e caktuar: syri im rrokte vetëm KUFIJ. Frika ndaj kishës ishte si frika ndaj të ftohtit. Edhe pse nuk kisha qenë kurrë jashtë shtetit, prapëseprapë isha gjithmonë JASHTË SHTETIT. Çdo përgjigje që jepja më tingëllonte si rrëfim. Mollët e rrëzuara përtokë në livadhin  përreth konviktit i VIDHJA. Vetëm oas një viti erdhi rasti, që, me arsyen se doja të shkoja te dentisti, udhëtova me autobus për në qytetin aty pranë, të cilin e shëtita plot kureshtje dhe së fundi, po me kureshtje, bleva një libër: me t’u kthyer ma morën menjëherë, por unë tashmë e kisha lexuar.

Përktheu: Dr. Elda GJANA-BORIÇI

Bio: Romancieri, poeti dhe dramaturgu Peter HANDKE u lind në Grifen të Austrisë më 1942. Ai mbahet si shkrimtari më i rëndësishëm postmodern pas Beketit. Studioi drejtësi në Universitetin e Gracit. Më 1966 tërhoqi vëmendjen e publikut, kur ndërmorri një sulm të paparë kundër letërsisë bashkëkohore gjermane gjatë një seminari në Universitetin e Prinstonit. Ka jetuar në Grac, Dyseldorf, Berlin, Paris, Salcburg, në Shtetet e Bashkuara. Shavili i Francës është bërë tashmë shtëpia e tij. Jeton si shkrimtar me profesion të lirë. Ka marrë një sërë çmimesh ndërkombëtarë për letërsinë.

Mes veprave të tij më të spikatura veçohen: Sharja e publikut (1966); Kaspari (1967); Bota e brendshme e botës së jashtme të botës së brendshme (1968); Kronika e ngjarjeve rrjedhëse (1970); Pesha e botës (1977); Historia e lapsit (1982); Pasditja e një shkrimtari (1987); Ndarja e ëndërrimtarit nga vendi i nëntë (1991); Viti im në gjirin e askujt (1998) dhe Një natë të errët u largova nga shtëpia ime e heshtur (1999).

https://arteka.al/peter-handke-serioziteti-i-jetes/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here