Kur të vret Policia e Shtetit!

0
122

Nga: Silva Caka

E ndjera Jetmira Hasani u vra në prezencë të vajzës së saj të mitur. Armën e ka shkrepur vëllai i ish-bashkëshortit të saj, por lejen për këtë vrasje, e ka marrë pa diskutim nga Policia e Shtetit.

E ndjera kishte marrë një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, kundrejt kunatit e megjithatë ky urdhër nuk i thotë asgjë Policisë, e cila nuk e merr mundimin të kontrollojë një herë të vetme situatën mes 2 personave, të cilët kanë një konflikt të hapur me njëri-tjetrin.

Përpos kësaj, ajo çfarë e bën më skandaloze këtë ngjarje, është dëshmia e kunatës së Jetmirës, dëshmitare okulare, prezente gjatë zhvillimit dhe përshkallëzimit të konfliktit, e cila konfirmon se policia ka mbërritur në shtëpinë ku zhvillohej ngjarja dhe është larguar 5 minuta përpara se të ndodhte makabriteti që i mori jetën në sytë e vajzës.

Dëshmitarja deklaron gjithashtu se vrasësi nuk pranoi të shkonte në Polici!?

Së pari, në kushtet kur ekziston një urdhër mbrojtjeje, pse nuk raportohen dhe zgjidhen konfliktet mes palëve (të cilat në këtë rast, sipas dëshmitares, paskan qenë të vazhdueshme) dhe pse policimi në komunitet dështoi frikshëm në këtë rast? Apo mos ndoshta policimi në komunitet shërben vetëm për spiunlliqe partiake dhe për të identifikuar përkatësinë partiake të banorëve?

Së dyti, qëkur shoqërimi në Polici qenka bërë fakultativ? Nëse Policia ka konstatuar sjellje të papërshtatshme të një personi, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, pse nuk e ka shoqëruar në ambientet e Policisë?

Së treti, për çfarë dreq arsyeje Policia është larguar nga banesa, duke lënë në grindje 2 persona që konfliktoheshin vazhdimisht me njëri-tjetrin? Apo mos ndoshta i shkoi orari i vaditjes së parcelave të kanabisit?

Nuk është hera e parë që ndodhin vrasje mes personave që ndahen me urdhër mbrojtjeje, por është e disata herë që nuk kemi asnjë përgjegjës nga strukturat e Policisë për neglizhencën e treguar në raste të tilla.

Nëse do të kishim një shtet normal, deri tani duhet të shkarkoheshin dhe të ndiqeshin penalisht minimumi gjithë efektivët që kanë patrulluar në vendin e ngjarjes edhe pse mendoj që vrasjet e paralajmëruara si kjo, kanë më shumë se një përgjegjës.

Nëse do të jetonim në një shtet normal, tani duhet të kishim çdo organizatë të të drejtave të gruas në dyert e Policisë së Shtetit, duke kërkuar llogari e duke organizuar protesta.

Por ne jetojmë në Shqipëri!

Jetojmë aty ku Kryeministri i bën thirrje policëve që të heqin kapelet e të mbledhin vota për Rilindjen, ku Ministri i Brendshëm vihet nën akuzë penale për organizimin e trafikut të drogës, ku drejtorët e Policisë shërbejnë si roje të parcelave me hashash, ku Policisë i jepen uniforma me kapele 350€, por akoma nuk iu janë paguar rrogat dhe honoraret, ku Policia helmon me gaz dhe mbyt në dru protestuesit, por nuk kap dot kriminelët që kryejnë vrasje mafioze ditën e natën, ku sa më shumë shtohen strukturat e Policisë, aq më shumë shtohet krimi, ku falsifikohen konkurset për pranim e për marrje gradë, ku paguhet nën dorë për t’u futur në Illyrian Guard, ku Ministri firmos për tendera pa garë e me ofertën më të lartë, ku Policia rreh pleq e fëmijë, ku Ministri blen makinë 150 mijë euro dhe ku Drejtori i Përgjithshëm I Policisë përgojon kë t’i dalë para.

E në fund, meqë mori përsipër të vinte fytyrën e tij në veprimet e policëve: Sandër, na dole edhe vrasës, po nga ata më të këqijtë, nga ata që vrasin me paramendim!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here