Ja si lexohet ‘jargavitja’ e Edi Ramës për Fatos Nanon!

0
108

Nga Gëzim Saliu

Krejt papritur, kryeministri Rama u shfaq sot me një shkrim special për Fatos Nanon, në përvjetorin e 68-të të datëlindjes së kryetarit historik të PS. Të gjithë e kanë të njohur historinë e marrëdhënieve mes Ramës e Nanos, se si qeveria e këtij të fundit në vitet 2004-2005, ju desh të përballej jo vetëm me opozitën e kohës, por edhe me sulmet e brendshme. Këto të fundit, vinin nga ushtarët e Ramës brenda partisë dhe nga jashtë përmes Erion Veliaj që luante lojën e kryeministrit aktual.

Ishte Fatos Nano ai që e solli Ramën në jetën politike shqiptare, madje e bëri ministër dhe më pas e kandidoi për bashkinë e Tiranës, post të cilin Rama e mbajti për 11 vite. Nga ana e tij, Rama e “shpërbleu” Nanon duke i marrë partinë dhe shndërruar PS-në në Rilindje.

Por pse pikërisht tani ky mesazh i Ramës për Nanon?!

“Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialistmerita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtare nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës…”, shkruante Rama me vlerësime të larta për rolin e Nanos në modernizimin e PS-së dhe vendit.

Kush mendon se Rama ka ndryshuar mendim për Fatos Nanon dhe anasjelltas, e ka tërësisht gabim. Kryeministri ka të njejtin mendim që edhe e ka cituar në librin e tij “Kurban” për liderin historik të socialistëve, ku shkruhet : “Fatosi ia punoi Shqipërisë keq”. Por sot më shumë se kurrë, Ramës i duhen socialistët tradicionalë, të cilët për vite me radhë i përbuzi, duke marrë pranë vete rilindasit që i shërbenin me devotshmëri dhe sipas interesave klienteliste.

Në dijeni të sondazheve që e nxjerrin në humbje të thellë përballë opozitës së bashkuar, Rama po tenton më së paku të thithë votat e socialistëve të thjeshtë pa pushtet, ku siç vërtetoi 30 qershori i 2019-ës, e kanë braktisur në masë.

Kryeministrit i duhet më shumë se kurrë nostalgjia e socialistëve të vjetër për ta përdorur atë elektoralisht. Prandaj edhe ai dje zgjodhi të përdori gjuhën e ëmbël me Nanon, duke synuar rikhtimin e mbështetjes ndaj tij nga baza socialiste. Kjo e fundit, në 7 vite pushtet ka qenë më shumë se kurrë e braktisur, pa asnjë vlerësim dhe mbështetje. Kontributorët e vërtetë të partisë, socialistët tradicionalë , u lanë për vite me radhë në fund të rreshtit. Ndërsa në krye të tij, Rama zgjodhi servilët pranë tij, ata të cilët nuk do guxonin të shprehnin një mendim apo kundërshti për secilin vendim të ndërmarrë në këto vite pushtet, qoftë ai në kundërshti të plotë me interesat e qytetarëve dhe Kushtetutën.

Sot Rama ndodhet në pikën e fundit të pushtetit të tij. Ka prekur limitet dhe nuk sheh kurkund dritë në fund të tunelit. Shpresat për elektoratin gri i ka zero.  Mundësitë e minimizimit të humbjes së projektuar nga sondazhet, së pari e sheh te taktikat malinje, si ajo e heqjes së koalicioneve parazgjedhore, dhe së dyti, te rikhtimi i mbështetjes së socialistëve tradicionalë. Ndaj letra e tij mallëngjyese dhe e ndjerë për Fatos Nanon duhet lexuar thjeshtë si një taktikë elektorale dhe asgjë më shumë.

Ndërkohë në të njejtën ditë me urimin e Ramës, në rrjetet sociale qarkulloi një video e diku 16 viteve më parë, ku shfaqej ish-kryesocialisti Fatos Nano duke dhënë ‘konsideratat’ e tij për Edi Ramën. “Edi Rama ka një problem moral: E kam marrë me thonj të pa prerë, si refugjat nga Parisi dhe e kam sjellë të bëjë pjesë në ekipet tona qeverisëse dhe përfaqësuese. Unë mund të kem bërë shumë gjëra, por e nxora nga bataku i fyrjeve, nga refugjat dhe shitës i ikonave të vjedhura në kohën e Saliut në ministër dhe kryetar të bashkisë më të madhe të Shqipërisë”.

Edhe sot, Nano padyshim ndan të njejtin mendim si 16 vite më parë. Vetëm se për shkak të disa interesave që përfliten gjerësisht si klienteliste, në këto vitet e fundit ish-kryeministri socialist ka heshtur dhe ka zgjedhur të luajë rolin e mbështetësit në hije të Ramës.  Një e dhënë e fortë mbi armiqësinë e përhershme mes tyre është edhe mos pjesëmarrja e Nanos në Kongresin e fundit të Partisë Socialistë të mbajtur në 23 mars 2019. Pavarësisht se u buçit në media për pjesëmarrjen e tij të sigurt pas ftesës publike , ish-kryeministri socialist zgjodhi, si në çdo Kongres që kur ka ardhur Rama në krye të PS , të mos ishte edhe në atë rast, i pranishëm.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here