Standard.al

Arsimi dhe Rindërtimi/ Qeveria refuzon kërkesat për informacion për shkollat e dëmtuara nga tërmeti

0

Më 14 shtator, asnjë nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti që u premtuan nga qeveria se do ishin gati, nuk ka përfunduar rindërtimin. Kur Faktoje iu drejtua për të disatën herë ministrive të Rindërtimit dhe Arsimit me kërkesë për informacion, për numrin e shkollave që do rindërtohen dhe kur do të jenë gati, nuk morëm përgjigje. Ministria e Rindërtimit prej muajit mars ka refuzuar t’u përgjigjet 7 kërkesave për informacion nga Faktoje, mbi transparencën për proceset e pastërmetit të 26 nëntorit.

Pas tërmetit të 26 nëntorit dhe identifikimit të ndërtesave të shkatërruara, përfshirë edhe shkollat, qeveria ka ndryshuar jo vetëm afatin për rindërtimin, por edhe numrin e tyre.

Në fillimi të muajit shkurt, Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë kur vlerësimi i dëmeve ishte ende në proces. Si përgjigje morëm nga ky institucion një listë me 54 shkolla të cilat ishin pjesë e programit të rindërtimit. Gjatë periudhës që pasoi, sidomos një muaj para fillimit të vitit të ri shkollor, kryeministri Rama i është referuar vazhdimisht një numri prej 143 shkollash, pra trefishi i atyre që deklaroi Ministria e Arsimit në shkurt.

Më 18 gusht, ne iu drejtuam sërish Ministrisë së Arsimit me një kërkesë për informacion ku interesoheshim për listën e plotë të 143 shkollave të planifikuara për t’u rindërtuar, si dhe numrin e shkollave që do të ishin gati në 14 shtator, sipas premtimit të kryeministrit Rama.

Më 26 gusht Ministria e Arsimit, nuk na dha asnjë informacion, por na sugjeroi  t’i drejtoheshim Ministrisë së Rindërtimit për pyetjet.

Image

Më 31 gusht ne iu drejtuam Ministrisë së Rindërtimit me të njëjtën kërkesë për informacion që i kishim dërguar më parë Ministrisë së Arsimit.

Image

Edhe pse ka përfunduar afati zyrtar, Ministria e Rindërtimit nuk ka kthyer përgjigje.

Që prej muajit mars, Faktoje ka dërguar të paktën 7 kërkesa për informacion, për të cilat nuk kemi marrë përgjigje nga institucioni, të cilat në këtë mënyrë po shkel ligjin për të drejtën e informimit.

Faktoje ka mbajtur në vëzhgim ecurinë e procesit të zvarritur të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, nga ku rezulton se vetëm në Durrës, një nga zonat më të prekura nga dëmet e tërmetit, thuajse gjysma e institucioneve arsimore u dëmtuan rëndë nga tërmeti  duke lënë mbi 13 mijë nxënës pa ndërtesë ku të mësojnë./faktoje.al/

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.