Dështimi i Ramës, i deklaruar nga FORBES

0
122
Nga Kastriot Islami 

Në një studim të gjatë e të hollësishëm, lidhur me efikasitetin e menaxhimit të krizës sanitare COVID-19 në 215 shtete të botës, të kryer nga fondacioni FORBES, qeveria Rama është klasifikuar e fundit në Europë. Ky studim ia hedh në tokë të gjithë bojën e mburrjeve përmes të cilave Rama tentoi të krijonte përshtypjen se ai është menaxheri më i suksesshëm në Europë i krizës sanitare! Dështimi do të merrte edhe vulën e FORBES!

Rama vazhdon të mburret me menaxhimin e krizës sanitare për qëllime elektorale, pavarësisht se fondacioni FORBES e klasifikoi të fundit në Europë përsa i përket “efikasititetit qeveritar” për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Pavarësisht se shifrat, qoftë edhe të manipuluara prej qeverisë Rama, flasin qartë për dështim “olimpik” të qeverisë dhe veçanërisht të “virusologut të Surrelit”. Pavarësisht se qytetarët në shumicë e akuzojnë atë se e kanë provuar mbi kurrizin e tyre këtë dështim…

Rama vazhdon të gënjejë e mashtrojë… Sepse e gjithë propaganda e tij mbështetet në parimin gebelsian “një gënjeshtër e madhe duhet përsëritur vazhdimisht, sepse në fund të fundit do të mbetet diçka”. Kjo është edhe këshilla e një këshilltari të huaj… Ndiqni me vëmendje të gjithë daljet e tij në media dhe do të dalloni lehtësisht jo vetëm gënjeshtrat e tij të mëdha, por edhe faktin se ai nuk heq dorë nga përsëritja e tyre, pavarësisht se qytetarët e madje edhe ai vetë e kuptojnë që po përsërit si i marrë gënjeshtra të pabesueshme… Nuk heq dorë dhe nuk ka për të hequr dorë nga ky stil, nga përsëritja e gënjeshtrave e mashtrimeve..

Përse i përsërit gënjeshtrat e mashtrimet…? Ai dhe këshilltarët e tij huaj, të paguar majmërisht, mendojnë se ndonëse kjo nuk ngjit te shumica e qytetarëve, ajo ndikon në motivimin e fanatikëve rilindas që duke marrë dozën e “gënjeshtrave ditore të përsëritura”, fillojnë t’i besojnë ato si të vërteta. I besojnë kështu liderit të tyre dhe për rrjedhojë janë gati të hidhen në zjarr për të dhe të ndeshen për jetë a vdekje me kundërshtarët… për të përfituar racionin e rilindjes.

A funksionon kjo teknologji me fanatikët e tij? Deri më sot duket se ka funksionuar, mjafton të kujtoni disa personazhe groteskë, që kanë bërë “karriere” dhe pasuri me këtë stil dhe që Rama i ka promovuar dhe vazhdon t’i promovojë… Por kjo teknologji ka filluar të mos funksionojë dhe sa më shumë vjen fundi, aq më shumë ajo do të dështojë… madje duke u kthyer në të kundërtën… Madje njerëz të promovuar prej tij si besimtarë të gënjeshtrave kanë filluar të tallen dhe ta përqeshin pas shpine “liderin” e tyre, të neveriten me mashtrimet e kaporalit, e madje kanë filluar ta abandonojnë…

T’i kthehemi shifrave dhe realitetit për të provuar dështimin e Ramës dhe të qeverisë së tij në menaxhimin e pandemisë…

Rastet aktive përcaktohen nga numri i të infektuarve që trajtohen çdo ditë. Ky është një numër që jepet çdo ditë në media… Nëse pandemia shkon drejt fundit, ky numër shkon drejt zeros, domethënë numri i qytetarëve të infektuar që janë në trajtim shkon drejt zeros. Në Shqipëri kjo jo vetëm s’ka ndodhur, përkundrazi ky numër është rritur në mënyrë të frikshme. Gjë që tregon se qeveria e Surrelit deri më sot ka dështuar më “sukses”.

Bazuar në shifrat e publikuara nga vetë qeveria, që janë të pabesueshme dhe me shumë gjasa të manipuluara me urdhër nga Surrelit, rezulton grafiku i dinamikës 6-mujore të rasteve aktive, nga data 11 mars 2020 në 11 shtator 2020, i paraqitur në këtë shkrim. Çfarë del nga këto të dhëna?

Në 11 mars 2020, kur sapo filloi të monitorohej pandemia në Shqipëri, numri i rasteve aktive ishte 14 gjë që shpjegohej edhe me shifrën e ulët të të infektuarve… Për rreth 3-muaj, deri më 11 qershor 2020, Rama u kthye në xhandar-gjitholog dhe mburrej nga Surreli për masat e tij drastike e policore. Kështu ai e çoi në greminë ekonominë… Por edhe tmerroi qytetarët me propagandën e tmerrshme të “armikut të padukshëm” e gjobat e çmendura të policisë…

Gjatë 3 muajve, nga 11 mars deri në 11 qershor 2020, rritja e rasteve aktive ishte “modeste” dhe u duk sikur pandemia në Shqipëri do të kufizohej në shifra të ulëta të rasteve aktive dhe për pak kohë do të shkonte drejt mbylljes… sidomos me ardhjen e verës së nxehtë mesdhetare… Në 11 qershor 2020, shifra e rasteve aktive arriti në 349 ndërkohë që raporti në % i rasteve aktive ndaj numrit të infektuarve varionte në diapazonin 18-22 %, vlerë kjo e ulët…

Duke filluar nga 11 qershor 2020, Rama e abandonoi menaxhimin e krizës sanitare…Sepse ai u detyrua të hiqte dorë nga e vetmja gjë që di të bëjë, nga masat drastike, që po e çonin vendin në  katastrofë ekonomike. Por edhe sepse Rama filloi pushimet e gjata në bregdetin e jonit me zullumqarët e rilindjes e me lobistë të paguar majmërisht e të trajtuar mbretërisht.

Nga ky moment pandemia filloi të dilte jasht kontrollit. Duke u rritur të infektuarit, vdekjet, numri i të shtruarve në spital dhe atyre në terapi intensive. Ndërkohë mjekët e punonjësit e shërbimit mjekësor do të vazhdonin të punonin heroikisht e të paguheshin si skllevër… Pas 3 muajsh, në 11 shtator 2020, numri i rasteve aktive do të arrinte shifrën e frikshme 4251 ose në % të të infektuarve do të arrinte deri në 47 %, rreth 2,5 herë më e lartë se para 3 muajve…

Kjo situatë do ta largonte shumë mbylljen e pandemisë. Dhe akoma më i rëndë do të ishte vendimi i vendeve të BE për të mbyllur portat për shqiptarët. Kështu vendi do të izolohej…

Si përfundim, 6 muaj pas fillimit të pandemisë të pamenxhuar apo të keqmenaxhuar me urdhra nga Surreli, shqiptarët janë tërësisht të abandonuar dhe vëndi tërësisht i izoluar… E gjithë kjo mjafton për të treguar se Rama ka dështuar… E ndërkohë ai vazhdon të përsërisë si papagall gënjeshtrat e mashtrimet dhe të mburret duke menduar me budallallëk se mashtrimet e tij do ti hanë qytetarët apo të paktën do të ngjisin te fanatikët…

Bulmezi do të vazhdojë duke kënduar me zë të lartë gënjeshtrat e tij, në rrugën e dështimit sepse kjo është rruga drejt humnerës…! Kjo vetëm do të thellojë humbjen ndryshe nga çfarë mendon e programon i “dështuari i Surrelit”.

Image

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here