25 prill 2021, “fundi i marrëzisë” me emrin “Rilindje”!

0
182

EDITORIAL

Nën emrin e koduar “Fundi i Marrëzisë”, “Rilindja” nisi në vitin 2014 operacionin kundër lojërave të fatit, duke pretenduar dhënien fund të plagës sociale që po shkatërronte familjet shqiptare. Me në krye të operaconit ministrin e brendshëm të kohës Saimir Tahiri, Rama nisi propagandën me shumë zhurmë mediatike. Me policë dhe tatimorë të shumtë në terren, operacioni nisi me tam-tame të mëdha, por që në ditët e para të tij ra në sy selektiviteti.

Ish-drejtusi i policisë dhe operacionit “Fundi i marrëzisë”, Ismail Elezi rrëfeu më vonë në media se u shkarkua nga detyra në mes të operacionit, i cili sipas tij kishte qëllim monopolin e tregut të bixhozit te miqtë e qeverisë.  “Debati që kam pas me ministrin dhe Drejtorin e Përgjithshem ishte se duhet të mbyllnim çdo aktivitet, i thash nuk mund të kryejmë veprime arbitrare. Por kush ishte qëllimi dhe për këtë e them me përgjegjësi të plotë, qëllimi ishte që i gjithë aktiviteti i lojrave të fatit të monopolizohet nga 2-3 persona. Përgjegjësi për këtë ishte vetëm një, Saimir Tahiri”, deklaroi ai.

Një deklaratë që pohon në fakt një të vërtetë të madhe të provuar ndër vite!

Në 7 vite të drejtimit të vendit, çdo aksion i ndërmarrë nga “Rilindja” me pretendimin e mbrojtjes së interesit qytetar ka përfundur gjithnjë në favorizimin e oligarkëve që bashkëpunojnë e ndajnë me pushtetarët pasuritë e vëna në kurriz të shqiptarëve të ndershëm. Por ky është një aspekt më i gjerë i çështjes, i cili nuk është subjekt i këtij shkrimi.

Të kthehemi te “Fundi i marrëzisë”. Një vit më vonë do të ishte një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili do të demaskonte edhe më shumë operacionin farsë të Rilindjes. Sipas atij raporti, plot 375 milionë euro ishte shifra e të ardhurave të munguara që nuk ishin mbledhur nga ana e institucioneve përgjegjëse.

Po cili ishte rezultati që prodhoi operacion i propaganduar me bokse të mëdha në vitin 2014?  Sipas të dhënave të INSTAT vetëm 25 biznese të fushës e kishin mbyllur aktivitetin në vitin 2015. Thjesht dhe shkurt: Operacion propagandistik dhe selektiv!

E ndërsa sot jemi në një situatë, ku Rilindja pasi një vit më parë kishte vendosur me ligj ndalimin e kazinove në qendrat urbane, po i rikthen ato. Qeveria ka miratuar dy vendime të lidhura me lojërat e fatit që sinjalizojnë mundësinë për rritje të numrit të kazinove ku së pari koordinatat se ku lejohet aktiviteti kazino brenda qytetit dhe që saktësisht përfshin zemrën e tij nga rruga e Barrikadave tek Urani Pano Rruga: “Dedë Gjon Luli”; Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh Ë. Bush”. Konkretisht kjo zonë përfshin pjesën nga 15 katëshi tek unaza tek parku Rinia, tek Xhorxh Bush që është në Unazë në rrugën ku ndodhet edhe selia e Partisë Demokratike.

Vendimi i dytë përcakton kriteret për garën për dhënien e një licence. Sipas ligjit “Pë lojërat e fatit” licenca e një kazinoje kushton 1 miliardë lekë për vetëm një sallë lojë dhe kjo shumë duhet të shlyhet në mënyrë të barabartë çdo vit përgjatë gjithë periudhës së licencës(10 vjet çka do të thotë 100 milionë lekë çdo vit). Subjektet duhet që të kenë një kapital 1.2 miliardë lekë ndërkohë që vendimi i qeverisë përcakton sesi do të veprohet me shpalljen e garës.

Me këtë “marrëzi të fundit”, Rilindja vërtetoi katërcipërisht se është një parti klienteliste, e cila mendon e vepron vetëm në shërbim të interesave të klientëve të saj oligarkë. Ashtu si në 12014-ën me  “fundin e marrëzisë” edhe sot me “marrëzinë e fundit”, Rilindja ka vënë gjithnjë në krye të interesave, biznesmenët e fuqishëm që kanë përfituar dhjetëra tendera nga qeverisja “Rama” në këto 7 vite.

Madje, e njëjta qeveri, vetëm pak muaj më parë prishi Tetatrin Kombëtar me argumentin se nuk kishte mundësi ta rindërtonte e ndërsa sot firmos vendime që rikthejnë kazinotë në qendër të Tiranës. Të jetë rastësi?! A mos ndoshta në truallin e Teatrit, mund të kemi së shpejti një kazino?! Jemi ende nën pushtetin e Rilindjes dhe deri më 25 prill 2021, asgjë nuk mund të mos thuhet që nuk do ndodhë.

Ky pushtet e ka vërtetuar ndër vite se marrëzitë e ndërmarra në emër të interesave klienteliste i ka si ‘buka me djathtë’! Në këto kushte, 25 prilli duhte të shërbejë si një datë që ti japë fund njëherë e mirë “marrëzisë” që mban emrin “Rilindje”!

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here