Rasti i gjyqtares Margjeka/ Hakmarrje politike apo goditje e korrupsionit në drejtësi

0
143

Në rastin e parë që pati mundësi gjyqtarja e Apelit të Korçës, Mimoza Margjekaj lëshoi para gazetarëve të vërtetat e saj, duke thënë se arrestimi nga policia ishte frymëzuar politikisht dhe se ajo kishte një vit që e priste këtë që ndodhi. “E prisja prej një viti arrestimin, Jam e kënaqur që e bënë” i tha ajo gazetarëve ndërsa i bërtiste policëve që prej 3 orësh nuk dinin ku ta çonin për seancën gjyqësore.

ARRESTIMI

Policia arrestoi në korrik të këtij viti një grup personash që transportonin klandestinë, mes tyre edhe Orion Balin. Fillimisht gjykata e Pogradecit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Balin, por në Apelin e Korçës masa ndryshoi nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Ngjarja ishte e rëndomtë në morinë e shkeljeve të ligjit dhe të dhjetëra vendimeve që ndryshojnë në lidhje me masat e arrestit. Duhet thënë se qoftë kapja e trafikantëve që shoqëronin një grup klandestinësh, qoftë ndryshimi i masës së arrestit, kaloi në heshtje në media dhe nuk kishte asgjë për të jashtëzakonshme.
Por nuk ka qenë kaq e thjeshtë për SPAK. Prokuroria e Posaçme ka qenë e vëmëndshme dhe ka vënë në përgjim personat e dyshuar duke zbuluar se një skemë korrupsioni. Aty pretendohet se është i përfshirë edhe bashkëshorti i gjyqtares, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Arben Cara, sekseri Florian Zhilla, avokati Skënder Demiraj dhe së fundmi gjyqtarja Mimoza Margjekaj.

KONFLIKTI I MARGJEKAJT ME RAMEN

Por si hyri në konflikt me mazhorancën gjykatësja që për pak rrezikoi të zhbënte zgjedhjet lokale të Durrësit në 30 qershor? Margjekaj ishte pjesë e trupës gjykuese që do t’i jepnin mandatin Valbona Sakos, në një klimë të ndezur politike, pas bojkotit të opozitës. Në Durrës kandidatët për Bashkinë ishin dy. Valbona Sako nga PS dhe Valbona Sakollari nga Bindja Demokratike. Por për shkak se Bindja Demokratike i regjistroi kandidatët e saj jashtë afateve zgjedhore, Mimoza Margjekaj i konsideroi zgjedhjet e 30 qershorit nul dhe nuk i dha mandatin e kryebashkiakes, Valbona Sakos.

Atëherë gjykatësja u vu në shënjestër të mediave pranë pushtetit, që publikuan fotot e bashkëshortit të saj, që merrte pjesë ne mitingjet e Partisë Demokratike.

Për ta zgjidhur situatën, u desh ndërhyrja e Edi Ramës. U tërhoq kërkesa që kishte bërë vetë Valbona Sako për mandatin dhe u dërguan një tjetër me firmën e Ramës duke ia kërkuar një gjyqtari tjetër mandatin e kryebashkiakes. Pikërisht për këtë përplasje, Mimoza Margjekaj thotë se u arrestua bashkë me të shoqin.

NDRYSHIMI I MASES PER TE BURGOSURIN

Por SPAK pretendon se Margjekaj bashkë me të shoqin u bënë pjesë e aferës korruptive për lirimin e Orion Balit. Sipas policisë, avokati Skënder Demiraj që mbronte Orion Balin i kishte dhënë 6 mijë euro bashkëshortit të gjykatëses, Arben Carës për lirimin e klientit të tij nga burgu, për të ndryshuar masën e sigurisë.

Gjatë përgjimit, vëllai i të burgourit Nejton Bali i tregon nënës se avokati Skënder Demiri kishte dhënë garanci që kundrejt shumës 6 mijë euro do ta lironte nga qelia në Apelin e Korçës.

“Kërkon 6 mijë euro si fillim, për ta nxjerrë arrest shtëpie. Edhe 4 mijë euro shkojnë 10 mijë euro. Burri i huaj do 6 mijë euro si fillim, pasi ka tre gjyqtarë dhe nga dy secili, për mos llogaritur më pas edhe Skënderit”. Nejtoni i thotë të ëmës se duhen brenda dy ditësh, ose në të kundërt i vëllai rrezikon 5 deri në 10 vite burg.

Në përgjimet e dosjes del se avokati Demiraj bisedon me Klaudjo Zhilla, pronar i një hoteli në Korçë që ndërmjetësoi takimin me bashkëshortin e gjyqtares, i cili dha garanci për vendimin. Më datë 29 korrik, ashtu siç edhe ishte garantuar nga avokati Demiraj, Apeli i Korçës ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në burg në garanci pasurore 5 milionë lekë për Orion Balin.

Margjekaj pretendon se masën e sigurisë e ndryshoi për shkak të kushteve të pandemisë dhe se ajo nuk ka marrë para. Gjyqtarja në seancë ka ngritur pyetjen sesi mundet ajo që t’ia ndryshojë mendjen ajo një gjyqtari të Apelit në Korçë, që ka 10 vite që punon aty.

“Edhe të doja…një gjyqtare e shkallës së parë që shkon në Gjykatën e Apelit Korçë, që ata gjyqtarët kanë 10 vjet aty. Kisha mundësi unë, të guxoja t’u thoja atyre një gjë të tillë. S’ka logjikë, edhe të doja unë ta bëja këtë gjë. Konfidenca jonë është shumë e vogël” është shprehur ajo në sallën e gjyqit.

ORIENTIMI I SPAK

Çështja mbetet ende në gjykim. Gjatë vendimit të kësaj të shtune gjykata la në fuqi masat e sigirusë, dukë lënë arrest shtëpie gjyqtaren Margjekaj dhe avokatin Demiraj, ndërsa tre të tjerët do të vazhdojnë të hetohen në burg. Mbetet për t’u parë nëse prokurorët e kanë “kopsitur” tashmë dosjen dhe kanë të gjitha provat për ta dënuar Margjekajn, apo e gjitha do të rezultojë një flluskë sapuni. E sigurtë, është që SPAK nuk është hera e parë që godet në të njëjtën trajektore ku kalon edhe mëria e kësaj mazhorance.©Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here