Standard.al

Rrëfimet e ish të burgosurit: Ja bashkëvuajtësit në Spaç që hoqën kafshatën e tyre për të më mbajtur në jetë dhe mjeku i kampit që më…

0

Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor Kasem Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxh:

Prolog

Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

Vijon nga numri i kaluar

Ishte ora 6 e mbrëmjes dhe në këtë kohë hapet dera dhe brënda hyjnë tre të burgosur. I pari, një djalosh 20 vjeçar, trupmadh i veshur me uniformën e ushtarit, gjithë vitalitet, energjik, por pak i dobësuar nga uria dhe torturat e birucës. Fytyra e zbardhur tej mase tregonte se kishte kohë pa e parë diellin. Ky përshëndet i pari. “Tungjatjetani shokë, tha ai, duke e hedhur shikimin gjithandej “Kaushit” të mbështjellë me tym duhani.

-“Të shkuara, mirëse na vjen dhe me këmbë të mbarë”, i’a kthyen disa.

-“Nga vini”, e pyetën disa të tjerë që ishin të interesuar për ndonjë patriot të tyrin. “Prej Shkodre”, u përgjigj ushtari.

-“A përnjimen prej Shkodre”, i tha Hajdari, një spiun që e kishin sjellë nga Spaçi, për dëshmitar për shokët e arrestuar disa muaj më parë.

-“Si të quajnë”, e pyeti Hajdari?

-“Marjan”, i’u përgjigj ushtari.

-“Ahh po, ti e ke dajën në Spaç”, e pyeti Hajdari.

-“Po, a e njeh”?

-“Si se njoh, se dhe unë prej Shkodre jam”, i tha ai.

Daja i Marjanit ishte arrestuar me grupin e fundit, dhe për këtë arsye ishte këtu që të dëshmonte akuzën e tij. Marjani s’dinte se çfarë po ndodhte në Spaç. Pas ushtarit, erdhi një plak trup shkurtër që dukej se sapo i kishte kaluar 75 vitet, dhe me syze skeleti të thyera e të lidhura me pe të bardhë.

Rrobat e tij ishin të arnuara nga një dorë e pamësuar me punë të tilla dhe tregonin për një fukarallëk të madh. Në mënyrën sesi u prezantua, tregonte se kishim të bënim me një njeri të kulluar. Ai mbante nga dora një person të tretë, që dukej se kishte kaluar një traumë psikike. Plaku, pa e humbur fare toruan, sikur të ishte mësuar me jetën e burgut, duke tërhequr nga dora shokun e sëmurë, zuri vënd midis meje dhe Bac Sadikut. Me xhentilesë më dha dorën.

-“Si je or mik”, i’u drejtua Bacës, me zë të ulët.

-“Siç më sheh, më keq s’ka ku shkon”, i’a ktheu Bac Sadiku dhe fytyra e rrudhosur e plakut mori një shenjë keqardhjeje.

-“Po ti or mik, si je”, m’u drejtua mua me vërejtje.

-“Lavdi Zotit, rroj me shpresë”, i’a ktheva plakut akoma të panjohur për mua.

-“Si e ke emrin”, më pyeti.

-“Kasem”.

-“Nga je”?

-“Nga Jugu, prej fshatrave të Sarandës. Po juve si ju quajnë xhaxha”?

-“Mëhill Tërshana dhe jam prej Lezhe”.

-“A e ke gjë Ernest Troshanin”, e pyeta unë xha Mehillin, për këtë të burgosur të Spaçit?

-“Nuk e kam gjë, por besoj se dhe ky është nga Tërshanët”.

-“Sa të kanë dënuar”, e pyeta.

-“Mos pyet fare, se kam me i mbet borxh Enver Hoxhës, pasi më kanë mbetur shumë pak vite për të rrojtur”.

-”Të shkuara xha Mëhill, dhe mos u mërzit. Paska qënë vullneti i Zotit që ne të vuajmë”, e ngushëllova.

Ai më vuri re për fjalët që i thashë dhe kërkonte që me shikimin e tij të depërtonte në brëndësi të shpirtit tim.

-“Dy herë që ma zë fill Zotin biri im, sepse brezi i ri i ktheu kurrizin Zotit dhe besimit”!

-“Nuk e zë vetëm fill, xha Mëhill, por un rroj me besimin e tij. Forca dhe madhështia e tij, duket në çdo gjë mbi rruzull dhe pafundësinë e këtij universi. Zoti çdo gjë që e ka krijuar nga brumi universal që është subjekt i të gjitha fenomeneve në pafundësi”.

Xha Mëhilli më dëgjonte me vëmendje dhe kujtonte se unë isha ndonjë provokator. Unë e pashë atë që hezitonte të diskutonte për ekzistenën e Zotit dhe nuk e dija që xha Mëhilli, kishte mbaruar për Teologji në Vatikan. Këtë e mësova më vonë. E sigurova që nuk isha nga ata lloj njerëzish që kishin hedhur poshtë Zotin. Pavarësisht se u linda e u rrita në një familje ku nuk predikohej besimi fetar. Por nëna, dhe babai, fjalën Zot e përmëndnin në çdo çast. I tregova xha Mëhillit, se: botëkuptimi im, u farkëtua në birucat e ftohta të Spaçit, të cilat u bënë universitetet e mia.

Shokët e mij që vuajtën atje, ishin profesorët e mi. M’u dha mundësia, që të studioja Teologji, Filologji, Shkencat e Natyrës, Histori e Letërsi. Unë e njihja fare mirë Historinë e Botës e të Ballkanit. E mësova pse kombi ynë edhe sot e kësaj dite është i copëtuar dhe i perçarë, nga tre fe të ndryshme. Dhe unë jam një nga ata që dëshiroj të kthehem në besimin e parë që kanë pasur shqiptarët. Populli ynë duhet ti kthejë sytë nga bota e qytetëruar për të ruajtur ekzistencën e tijë. Ndryshe ne do të asimilohemi nga popujt fqinjë!

Bisedat e mia me xha Mëhillin, tanimë me Padër Mëhillin, që më dha bekimin e tij të urtë. “Ti do të rrosh i qetë, se nuk je vetëm. Me ty është Zoti”. Pas disa ditësh u ndava me Padër Mëhillin, sepse ai iku në burgun e Ballshit, ndërsa unë në Spaç. Ky ishte vënd i shëmtuar që treste ngadalë jetën tonë.

Shokët e mi, sa e morën vesh që isha kthyer nga spitali burg, erdhën të më vizitonin. Unë kisha fituar respektin e tyre dhe të gjithë ata tashmë më njihnin dhe shprehnin të trishtuar keqardhjen për gjëndjen time shëndetësore. Ata bënin sakrificë duke hequr nga goja ushqimin e tyre dhe duke ma dhënë mua që po jepja shpirt ngadalë.

Sa ikte Xhelal Çami, vinte Rajmond Sejko me Nazmi Veshin. Nuk e harroj ndihmën e shokut tim Hasan Bajo. Ai ishte pranë në çdo moment. Më ka lënë mbresa shoku im nga Janjari, Muskli Mehmeti. Ky njeri i urtë dhe punëtor, kur kthej natën nga turni i dytë, racionin e ushqimit të tij ma jepte mua, që të më rikthente në jetë përsëri. Muskliu ishte njeriu që kishte fituar tërë respektin tim për urtësinë e tij. Ai nuk fliste shumë, por tragjedia e jetës së tij ishte aq e ngjashme me timen.

Ky fatkeq kishte lënë gruan me dy fëmijet. U dënua me 20 vjet burg, në rrethana krejtësisht ordinere. Vjehrri i tij e provokoi dhe ky nuk e mbajti dot veten, por e qëlloi me kosë (vegël pune për të prerë shkurre) diku në trup. Ai, duke menduar se për krimin që kreu, do shkonte në burg, u arratis në Greqi. Muskliu i pa formuar politikisht, por thjesht një fshatar bujk nuk u kerkoi autoriteteve greke strehim politik, por u tha se goditi vjehrrin për çështje ordinere.

Sipas ligjit ndërkombëtar, një vënd i huaj nuk mund të të japi azil për atë veprim që ai kishte kryer, por e kthyen, duke i’a dorëzuar policisë shqiptare, si “kriminel ordiner”. Kështu që, ai u dënua rëndë edhe pse viktima nuk vdiq. Tani ai vuante burgun bashkë me mua pa shpresë për të ardhmen. Unë bëja çmos për të mbajtur ndezur shpirtin e tij të zhuritur, dritën e lirisë.

Bisedat e mia me atë ishin gjithë optimizëm për të ardhmen. Unë i thoja që pas ngjarjeve politike në vënd dhe në botë, flisnin në favorin tonë. Muskliu gëzohej aq shumë kur unë i thosha se komunizmi i ka ditët e numëruara. Kishim besim të ndërsjelltë tek njeri tjetri. Viti 1980 më gjeti më të lodhur, më të dobësuar dhe më të sëmurë. Shoku im, Qaniu kishte kohë që ishte arrestuar dhe dergjej në Burrel. Përsëri më mungonte prezenca e tij.

Doktor Nuri Sallaku, kishte marrë përsipër pozicionin e mjekut të burgut. Unë pasi dola nga spitali dhe erdha në Spaç, fitova të drejtën për të mos punuar më në minierë. Në këtë mënyrë, u futa me të burgosurit që quheshin “të papunë”. Këtu u njoha me Nuri Sallakun, në lojën e shahut dhe shpenzonim shumë kohë së bashku. Ai ishte mjek dhe unë e informova për gjëndjen time shëndetsore. Ai më tha që: “ka mundësi të më japin postin e mjekut këtu në burg”.

Më premtoi që nëse e merrte atë post, do të më ndihmonte me një kurë të fortë antibiotikësh. Dhe nëse i jepej mundësia, do të më dergonte në spitalin burg, me një diagnozë “bronkoekstazisë” së mundëshme. Kur doktor Nuriun e emëruan, u gëzova shumë. Ai menjëherë më thirri në Infermjerinë e burgut dhe më shtroi disa ditë duke më bërë një raport të gjatë, që do ta çonte tek mjeku ushtarak. Ky i fundit do të aprovonte me shkrim shtrimin tim në Infermjeri, ku kishte kushte më të mira dhe ushqim.

Për ketë gjest human dhe për këtë ndihmë, i jam shumë mirënjohës doktor Nuriut. Nga fundi i 1980, më nisi me urgjencë në spitalin burg, ku unë isha me ethe dhe me temperaturë, që nganjëherë shkonte dhe 40 gradë! Këtë herë në spitalin burg, bëmë një varg analizash të ndryshme. Radiografi, gjaku, pasi përdorën një sërë antibiotikësh. Mund të them se bënin eksperimente mbi trupin tim! U dergja këtu në më tepër se 5 – 6 javë. I shkrova një letër nënës, ku i thashë të vërtetën dhe nuk e di sesa kohë do jem gjallë! “Por nëse ke mundësi, hajde këtu në spitalin burg të më shohësh. E nëse nuk jam as këtu hajde në burgun e Tiranës, që të shpëtosh nga rruga e gjatë e Spaçit”, i shkrova mes të tjerash nënës në atë letër. Më morën nga spitali burg në fund të prillit dhe doktori ushtarak më dha fletë – daljen me diagnozën e “bronkitit kronik’. I’a kushtoj këtë të mirë doktor Nuriut, që e bëri të pamundurën, të mundur!

Më njeh mua babi?

“Kaushi” plot me të burgosur i ngjante një bodrumi amfiteatri plot me egërsira të uritura që presin të përleshen me gladiatorët. Kurse këtu në këtë “Kaush” të betontë që mbretëronte errësira, ndryshonte puna. Këto egërsira të mjera me shëmbëlltyra njeriu, shqyejnë njëra tjetrën në mënyra nga më të ndryshmet. Janë të paktë ata njerëz që kanë pasur fatin të jetojnë me tmerr!

Burgun, jo të gjithë e njohin ashtu siç është. Kjo fjalë e tmerrshme i tremb të gjithë, sepse e dijnë që ka vuajtje, uri, dhe izolim. Por që në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale ogurzezë, e kuptojnë ata që kanë pasur fatin të rrijnë me vite të tëra aty. Burgu i Enver Hoxhës ishte një sintezë e vërtetë e fëlliqësirave njerëzore dhe e poshtërsive nga më banalet. Ai ishte “kopsht i pa terrur”, ku lulëzonin veset më të ulta.

Çdo gjë brënda kësaj dhome të zymtë, dukeshin të zeza si errësira, si ambienti ashtu dhe karakteret! Çdo gjë ishte e qelbur, si vëndi, ashtu dhe njerëzit! Çdo gjë është e varfër, njerëzit dhe shpirtrat gjithashtu! Gjithshka aty brënda për ata fatkeqë, që kishin rënë kaq poshtë, paraqiste vetëm frikë! Asnjeri s’kishte besim tek tjetri, dhe kishin humbur çdo ndjenjë njerëzore! Shpirtra përfundimisht të degraduar, që instikti i dëshirës për të jetuar, i mbante ende gjallë!

Botë e pabesë, ku kjo e fundit mund të t’vrasë nga çasti në çast! Intrigat, thashethemet, korrupsioni, dhe degjenerimi moral i njerëzve e shantazhi, ishin format më tipike, që përdorte Sigurimi, për të thyer vullnetin e njerëzve të ndershëm, dhe për t’i kthyer ata në mekanizma e shtojca në duart e tyre! Për të realizuar qëllimet e tyre djallëzore. Pak njerëz mbetën të pa përlyer, këta, njerëz të mëdhenj fatkeqësisht, janë dënuar me vdekje. Sepse virtyti dhe urtësia, janë dënuar nga ligji, kurse e ulëta dhe vesi mbrohen.

Po deshe kundërshtoje, por do të provoje dhimbjen e kërbaçit mbi kokë. Qëndrova një copë herë të gjatë në këmbë përballë rafteve ku dergjeshin të burgosurit, duke soditur këtë vënd të zymtë. Megjithëse i lodhur nga vuajtjet fizike të torturave në “laboratorin-burg eksperimental të Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe të Universitetit”, mezi qëndroja në këmbë.

Doktorët e Enver Hoxhës nuk përdornin për eksperimente lepuj dhe kavie, por kufomat tona! Vëndet ishin të gjitha të zëna. Më tepër se 60 të burgosur i kishin sjellë nga Spaçi, të cilët do të paraqiteshin si dëshmitarë për të dënuar shokët e tyre, pasi më tepër se 100 të burgosur, ishin arretsuar në Burgun e Spaçit, të cilët i akuzonin për “aktivitet politik”.

U pushkatuan Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Irfan Vrioni, të katër të pafajshëm. Në këtë “Kaush”, më pak se 15 hapa i gjatë dhe 5 hapa i gjerë, jetonin mbi 80 veta. Zhurmë, kollë, rënkime, tym duhani dhe era qelbësirë kudo brenda tij. Uri, shamat, urrjetje, të gjitha të këqijat qëndronin të mbyllura aty brenda. Prilli po dilte, pranvera kishte kohë që kishte ardhur. Prenverë jashtë, dimër i përjetshëm brenda!

Sy të çakërdisur nga vuajtjet dhe uria më vështronin jo mua, por një torbë nja dy a tre kg. që mbaja në dorë. Ata sikur të mos i mbante një farë mirësjellje, e shtirur, ishin gati të më hidheshin për të më shqyer, njëlloj si në “Mbretërinë e egërsirave”! Isha mësuar me një jetë të tillë, shtatë vjet nëpër burgje, prandaj edhe nuk më bëri shumë përshtypje.

Qetë qetë shkova në qoshe, aty ku errësira ishte më e madhe dhe për arsye të koshit të plehrave, raftin e fundit e kishin lënë bosh. Zura vënd në këtë skutë të errët të katit të poshtëm. Në një jetë si kjo, me këtë ambient të qelbur, mundësitë për të kaluar kohën ishin të kufizuara, pasi nuk kishte asnjë lloj loje, asnjë lloj libri dhe kësisoj ditët dukeshin tmerrsisht të gjata!

Mjerisht, aty duheshe t’u bëje ballë provokimeve, që për hiç gjë, mund të haje ndonjë grusht turinjëve! Tortura më e madhe ishte uria, kjo ishte nëna e të gjitha të këqijave. Ankthi i pritjes të vakteve, ishin orët më të gjata dhe mbas ngrënies, e ndjeja veten më të uritur! Të ngrënë i thoshnin?! Nuk janë të mjaftueshme ato që treguam më lart, për të krijuar një ide nga lexuesit për atë botë misterioze, pasi duken të pabesueshme, por e vërteta flet, edhe pse bota ishte e shurdhët! E ndërpres këtë këtë përshkrim për “Kaushin”, për të rrëfyer, tregimin tonë, që është dhe tema e këtij shkrimi. Por pa këto që përshkova më lart, lotët e derdhur atë ditë prilli, do të dukeshin pa vlerë! Ata që kanë jetuar për shumë vjet larg familjeve, e dinë fort mirë, se sa të torturon malli dhe dashuria për familjen, për të afërmit, për shtëpinë, për tokën ku ke hedhur hapat e parë në jetë.

Të burgosurit që s’kishin patur mundësi të shikonin familjet, dinë ta vlerësojnë më drejtë, dhimbjen që shkakton në shpirt kjo ndjenjë humane, që ekziston edhe ndër egërsirat. Vetëm dhimbjet e ngjashme, e kuptojnë dhe i’a qajnë hallin njëra tjetrës. Shtoj se ata që ishin prindër me fëmijë, vuanin më shumë shpirtërisht nga malli, pa harruar të them, se shumica e këtyre familjeve, të shkatërruara, kishin përfunduar në ndarje, (divorce), ku zakonisht ishin gratë që të detyruara nga presionet e shantazhet, i kishin braktisur përgjithmonë këta fatkeqë, që nuk dinin gjë se ç’bëhej me fëmijët e tyre! Dënim i dyfishtë, pasi e keqja sjell gjithnjë të keqen. /Memorie.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.