Rama paska humbur vetëm një mandat!?

0
99

Kur shpalli drejtuesit politik në qarqe pak ditë më parë, Edi Rama e pranoi se PS ka më pak vota, pra është zvogëluar, ka hyrë në ujë. Kjo me siguri nisur nga sondazhet që ai ka. Rënia e PS, besohet se është e madhe.

Në një mbledhje sot me shtabin elektoral, Kryeministri paska thënë se synon të marrë 74 deputetë.

Kur fitoi mandatin e dytë, ai mori 75.

Reduktimi, firoja, për të cilën foli ai në takimin e Elbasanit, qenka pra vetëm 1 mandat. Bjerrja rrugës, pak më shumë se 10 mijë vota.

Një rast për të hyrë në histori, pasi edhe qeveria më e mirë e botës, pas 8 viteve në pushtet do të kishte më shumë kosto.

Sikur çdo gjë të kishte shkuar mirë, vetëm dalja e tij çdo ditë në ekran, krupa që shkakton shfaqja në publik e taulantëve dhe elisave, apo sekëlldia që kanë ngjallur mbrojtësit dhe avokatët e rilindjes nëpër studio televizive, do ta bënte këtë mazhorancë të kishte humbur pak më shumë se 1 deputet.

Po kur marrim në konsideratë keqqeverisjen, padrejtësitë, favorizimin e një grushti njerëzish, koncesionet arbitrare, skandalet, lidhjet me krimin, përgjimet e Bild, mungesën e investimeve, varfërinë në rritje, pasojat e tërmetit, pandeminë, duke llogaritur të gjithë këto rrethana, zor se gjen në planet një kryeministër që t’i mbijetojë një beteje elektorale.

Mirëpo, Rama ynë, nga gjithë këto prapësi, që e kanë ulur ekonominë në gjunjë, që kanë dërguar jashtë shteti më shumë njerëz se secili vend pos Sirisë, megjithëse BE i ka vënë 15 parakushte për nisjen e negociatave dhe e ka damkosur si autokratin që ka prishur zgjedhjet, prapë është mbi dallgë e me kokën lart, dhe i kanë ikur kësisoj vetëm aq vota e mbështetës, sa për një deputet.

Nuk ka dyshim se parashikimi i shefit të rilindjes është një analizë që nuk e prek askund realitetin. Eshtë në ajri, dhe është pjellë e arrogancës dhe fodullëkut tipik.

Por me gjasë hileja është tjetër kund. Ai i kërkon shtabit elektoral të vërë në punë mekanizmin e errët të mbledhjes së votave, i ysht ata të përdorin të gjitha mjetet dhe instrumentet, kryesisht ato të paligjshme, për të siguruar 74 vota.

Me këtë objektiv të shpallur në mbledhjen e sotme, rilindja thjesht ka vënë në punë planin e veprimit, për manipulimin masiv. Sepse asnjë manipulim i pjesshëm, apo i kujdesshëm, nuk i siguron dot kësaj qeverie një mandat të tretë./MAPO

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here