Çadra e tërmetit dhe vetura e Klosit…

0
108
Nga Agim Xhafka 

Ndërsa ndiqja në TV Nuriun, që po mbushte 8 muaj që flinte familjarisht në çadër, më doli me titra të vogla poshtë ekranit lajmërimi: Agjencia e Turizmit kërkonte të blinte një veturë që me TVSH shkonte 100 mijë euro! Shqeva sytë, e rilexova dhe nuk isha gabim. Ashtu shkruhej.

Shihja njoftimin dhe fytyrën e burrit të përvuajtur që as Migjeni nuk e mendonte se do të kishte mjerim më të thellë nga ai që shkroi. Çadra dukej sikur po fliste dhe qe gati të më tregonte se brenda saj edhe qentë po të fusje do të gjenin një vrimë të dilnin, të arratiseshin. Nuk do e shtynin as 24 orë.

Ky turbullim më ngeli në tru. E harrova ca ditë deri sa në Orikum pyeta një pronar restoranti se si i doli bilanci i këtij sezoni turistik.

-Nuk nxora as lekët e korrentit të magnetofonit, me të cilin argëtoja njerëzit me muzikë,më tha.

E befas m’u kujtua sërish njoftimi, Agjencia e Turizmit do që të blejë një veturë me çmim 100 mijë dollarë.

Doja t’ia thosha mikut tim të Orikumit, por ai nxitonte.

-Do iki nja tre muaj të mbledh ullinj në Greqi, ndryshe do më kositë uria familjen.

-Po Kakavija do tampon të koronës, i thashë.

-Iki nga mali. Nuk kam kohë të vonohem.

E me këtë dhimbje më gjeti Tirana. Në rrugë afër shtëpisë,me maskë në gojë ndesha xha Llazin, fqinjin tim. Kisha mësuar se para tre ditësh e kishte kapur Covid-i. U çudita.

-Paske dalë? Ia hodhe?

-Të ble një kos, më tha. Kam edhe gruan sëmurë. Po askush nuk ndihmon. Lajmërova ata të bashkisë, por nuk na i ngritën telefonin.

Ngela pa zë. Nuk dija ç’të thosha. E sërish më ndriti në tru njoftimi: “Agjencia e Turizmit kërkon të blejë një veturë me çmim 100 mijë euro.”

Po ngatërrohesha shumë. Nuk po gjeja dot në isha njeri, në jetoja në një shtet normal? Më erdhi zili për qentë që shoh nga liqeni. Me litar pas dorës së pronarit, të kënaqur duke dredhur bishtin. As kaq kujdes nuk gëzojmë. Po nuk mendova gjatë. Ra zilja e celularit. Ishte gruaja.

-Kur të vish lart në shtëpi merr ujë për të pirë e dy bidona të lajmë surratin. Se Lali si kuçedra, harron të na lëshojë ca pika sa të zbatojmë të paktën atë porosinë: “Edi jam, laji duart…”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here