67-vjetori i KEDNJ/ Presidenti Meta: Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, janë të patjetërsueshme, të panegociueshme, e të pacënueshme!

0
123

Në 67-vjetorin e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Presidenti Ilir Meta ka bërë apel për më shumë transparencë dhe kontroll ndaj qeverisë.

Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se kjo Konventë ndërkombëtare është e integruar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe zbatimi i saj është detyrim për çdo institucion dhe qeveri.

Postimi i plote:

Sot bëhen 67 vite nga hyrja në fuqi e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

KEDNJ solli një perceptim të ri për këto të drejta dhe i dha hov zhvillimeve demokratike në hapësirën europiane.

Kjo Konventë e rëndësishme orientoi zhvillimet demokratike edhe në Shqipërinë post-komuniste.

E ratifikuar në vitin 1996, ajo u integrua në tekstin Kushtetues që u miratua me referendum në vitin 1998.

KEDNJ përforcoi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Bashkë me Kushtetutën ato përcaktojnë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit tonë në raport më të drejtat e njeriut.

Pandemia COVID-19 ishte dhe mbetet një test për çdo vend, që të garantojë maksimalisht liritë e të drejtat për shtetasit e vet, madje edhe në rastet e fatkeqësive natyrore.

Në këtë test po kalon edhe Shqipëria.

Sot, 24 vite pas bërjes palë të kësaj Konvente, Shqipëria ka nevojë për nje analizë serioze për të vlerësuar masën në të cilën të drejtat dhe standartet demokratike që cakton KEDNJ janë garantuar për shtetasit e saj.

Në këtë ditë me rëndësi të veçantë, dua të sjell në vëmendje të të gjithëve se, përveç kujdesit dhe trajtimit shëndetësor të denjë ndaj qytetarëve, ligjshmëria, nevoja, proporcionaliteti dhe mosdiskriminimi – janë testet që duhet të përsëriten çdo ditë nga organet shtetërore për secilën masë kufizuese që po na shoqëron në përditshmërinë tonë në luftën kundër COVID-19.

Ndërsa transparenca mbi motivet e caktimit të këtyre masave është pasqyra para së cilës duhet të dalë Qeveria për të reflektuar.

Qytetarët kanë të drejtë të informohen se si ka vepruar Qeveria e tyre përgjatë kësaj periudhe të vështirë dhe se sa të mbështetura në Kushtetutë dhe Konventë janë vendosur dhe zbatuar këto masa kufizuese përgjatë gjithë kësaj kohe.

Nëse nuk ka transparencë, çdo gjë shuhet dhe bie në errësirrën e së keqes.

Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, janë të patjetërsueshme, të panegociueshme, e të pacënueshme! ??

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here