Reagimet për helmimin e Navalny me agjent Novichok, Gjermania dhe NATO e dënojnë aktin, ja çfarë thotë Kremlini

0
89

Qeveria gjermane tha të mërkurën se Alexey Navalny, udhëheqësi i opozitës ruse dhe një nga kritikët më të ashpër të Presidentit Vladimir Putin, u helmua me agjentin kimik nervor Novichok.

Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert tha në një deklaratë me email se analizat e kryera në një laborator ushtarak gjerman dhanë “prova të qarta” se Alexei Navalny, figura më e shquar e opozitës ruse, ishte helmuar me Novichok.

Navalny, vazhdon të jetë në gjendje kome artificiale në qendrën e kujdesit intensiv të spitalit.

Një agjent nervor i së njëjtës familje u përdor dy vjet më parë për të helmuar një shtetas rus të arratisur në Britani.

“Qeveria do të informojë partnerët e saj në BE dhe NATO për rezultatet e hetimit,” shtoi Seibert. “Ajo do të diskutojë mbi kundërpërgjigjen e duhur të përbashkët me partnerët në dritën e reagimit rus,” tha ai.

Rusia është tashmë nën sanksione perëndimore pas aneksimit të Krimesë gjashtë vjet më parë. Një tjetër përballje me vendet evropiane ose Shtetet e Bashkuara mund ta dëmtojë më tej ekonominë e saj.

Prokurorët rusë thanë të enjten e kaluar se ata nuk panë nevojën për një hetim penal pasi nuk gjetën asnjë shenjë që të ishte kryer ndonjë krim.

Navalny, 44 vjeç, u transferua në Gjermani në fund të muajit të kaluar. Ai u sëmur papritur kur ishte duke udhëtuar me avion nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Avionit iu desh të bënte një ulje emergjente në Omsk.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas i kërkoi Rusisë të hetojë helmimin e zotit Navalny tani që analizat klinike tregonin se ai ishte sulmuar me një agjent nervor.

“Kjo e bën edhe më të ngutshme që personat përgjegjës në Rusi të identifikohen dhe të vihen para përgjegjësisë,” u tha ministri Maas gazetarëve. “Ne e dënojmë këtë sulm me termat më të ashpra,” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg reagoi gjithashtu.

“Kjo është tronditëse dhe unë e dënoj plotësisht atë. Përdorimi i një agjenti nervor të shkallës ushtarake e bën edhe më urgjente që autoritetet ruse të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent. Ata që janë përgjegjës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Ne do të këshillohemi me Gjermaninë dhe të gjithë aleatët për pasojat e këtyre përfundimeve. NATO-ja e konsideron çdo përdorim të armëve kimike si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,” tha zoti Stoltenberg.

Një zëdhënës i Kremlinit tha se Gjermania nuk e kishte informuar Rusinë se besonte që Navalny të ishte helmuar me Novichok, sipas agjencisë së lajmeve RIA.

Novichok është një grup agjentësh nervorë vdekjeprurës të krijuar nga ushtria sovjetike në vitet 1970 dhe 80.

Britania thotë se Rusia përdori Novichok për të helmuar ish-agjentin Sergei Skripal dhe vajzën e tij në qytetin britanik Salisbury në vitin 2018. Të dy ata i mbijetuan sulmit.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo përfshirje në këtë sulm. Një grua 44-vjeçarie, Dawn Sturgess, humbi jetën nga i njëjti agjent nervor.

/VOA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here