Standard.al

Koronavirusi vë në rrezik, pranimin e klubeve kosovare nga garat evropiane…

0

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ishte e para që dha njoftimin se nuk do ta luante ndeshjen finale të turneut parakualifikues kundër kampionit të Irlandës së Veriut, Lindield. Pak minuta më vonë, me njoftim doli edhe Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA), me të njëjtën përmbajtje si të klubit gjilanas. Njoftimi i UEFA-s zuri vend edhe në media të ndryshme ndërkombëtare.

Drita dhe Linfieldi është dashur ta zhvillojnë ndeshjen të martën mbrëma në Nyon të Zvicrës.

Njoftimi se ndeshja nuk do të luhet është publikuar nga Drita dhe UEFA dy orë pa nisur takimi. Si gjilanasit ashtu edhe shtëpia e futbollit evropian njoftuan se janë detyruar të mos lejojnë zhvillimin e takimit me rekomandim të autoriteteve shëndetësore të Zvicrës, pas rastit të dytë të testuar pozitiv me koronavirus, brenda pak ditësh, në radhët e kampionit të Kosovës.

Fituesi i takimit Drita – Linfield do ta siguronte të paktën edhe një ndeshje kundër klubit të njohur polak, Legia nga Varshava, në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Por, për kundërshtar Legian ka shumë shanse ta ketë kampionin e Irlandës së Veriut, meqë në njoftimin e UEFA-s thuhet se i tërë ekipi i Dritës do të jetë në karantinë, ani që vendimi final për ndeshjen do të merret në ditët në vijim nga Komisioni Disiplinor.

Në rast të eliminimit, Drita nuk do ta mbyllë garën në Evropë, pasi do ta vazhdojë në raundin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Evropës.

“Çështja tani do të paraqitet në Organin e Kontrollit dhe Disiplinës të UEFA-s, për një vendim që do të merret në përputhje me Aneksin I të rregullores së Ligës së Kampionëve për vitin 2020/2021, që ishte miratuar javën e kaluar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Në Aneksin e rregullores së Ligës së Kampionëve për edicionin 2020/21 thuhet se nëse dalin më shumë raste pozitive dhe autoritetet shëndetësore të vendit të klubit apo nikoqirit, që në rastin e ndeshjes Drita – Linfield është Zvicra, kërkojnë karantinë të më shumë personave, atëherë mund të luhet me kusht që në mesin e 13 lojtarëve të jetë së paku një portier. Përndryshe nëse nuk është e mundur, atëherë mund të shtyhet, dhe të përfundojë brenda afatit përfundimtar e që është 14 gushti.

Mundësitë janë edhe ritestimi apo edhe paraqitja e lojtarëve të tjerë që nuk janë në listë, por që janë të regjistruar në klub. E nëse edhe në këtë mënyrë nuk mund të ketë mundësi, atëherë skuadra që nuk luan humb me rezultatin zyrtar, 3:0.

Në klubin e futbollit Drita nuk kanë dashur të flasin me arsyetimin se nuk kanë çfarë të thonë më shumë se në njoftimin e postuar në “Facebook”. Madje, zyrtarët e klubit ua kanë ndaluar edhe futbollistëve të flasin për media.

“Nuk mundemi të deklarohemi deri në një vendim tjetër”, ka thënë shkurt për KOHËN drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

Zymberi nuk i është përgjigjur pyetjes nëse do të mbesin në karantinë në Zvicër apo do të kthehen në Kosovë. Por, KOHA nga burimet e saj brenda klubit “bardhekaltër” merr vesh se biletat kthyese për në Kosovë i kanë për të mërkurën (sot)./Koha ditore

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.