Fakti që politikanët dhe biznesmenët, të cilët preken nga virusi, shkojnë të kurohen jashtë shtetit, është dëshmi e qartë se sistemi ynë shëndetësor nuk e kuron dot sëmundjen.
Ata që e kanë provuar thonë se arsyet janë të shumta. Ka mungesë pajisjesh, ka mungesë personeli, por mbi të gjitha ka edhe mungesë njohurish. Të treja janë treguesi më i mirë se si është menaxhuar sistemi shëndetësor publik. Ose më saktë se si është degraduar sistemi shëndetësor publik.
Por tragjik është fakti se e njejta gjë ndodh edhe në spitalet private të vendit. Edhe ato janë të paafta për ta kuruar virusin. Ka histori plot në Shqipëri, që njerëzit janë nisur nga spitalet private me urgjencë jashtë se këtu kanë qënë duke vdekur. Dështim tregu në këto përmasa zor se gjen kund.
Ajo që nuk kuptoj është se pse qeveria nuk dërgon një grup të vogël mjekësh disa ditë prane nje spitali ne Viene, Milano apo Mynih. Te mesojne protokollet atje, te shohin si e kurojne spitalet e Europes virusin dhe pastaj te kthehen te trajnojne edhe mjeket e tjere ketu. Kjo nuk kerkon as para, as kohe dhe as sakrifice. Nuk kurohet virusi me keshillat e Piperos.
Së dyti, morën 130 miliardë lekë ose 1.1 miliardë euro borxh vetëm për këtë vit. Kanë çuar vetem 18 milione euro per shendetesine. As 1.6 per qind. Vendi perballet me krize shendetesore. Qeveria rrit borxhin ne nivele te pashenuara me pare me sebepin e krizes shendetesore. Por shendetesia merr vetem 1.7 per qind te huamarrjes.
Ah po. Kemi koncesionet. Nderkohe atyre qe nuk kane mundesi te shkojne jashte, qeveria u ka lene Zotin.