SPAK-u kërkon ndihmën e ambasadores amerikane që në dy dosjet e para

0
104

SPAK-u deri tani ka shqyrtuar dy dosje: atë të vjedhjes së votave në Durrës, e cila doli me arrestime të vdekurish e ku më pas dosja kaloi prapë në prokurorinë e Durrësit. Si dhe dosjen e Ylli Ndroqit.

Në rastin e Ndroqit reagimet nediatike dhe politike kanë qenë, dhe do jenë, për gazetarët e TV Oranews e jo për pronarin e saj. Por ndërkohë Ambasada e SHBA në Tiranë dhe ambasadorja, Yuri Kim kanë reaguar gjatë ditës së djeshme për hetimet e SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) dhe Policisë së Shteti. Ambasada e SHBA shprehet se prokurorët, gjyqtarët dhe policët nuk duhet të pengohen në punën e tyre për drejtësinë. Ambasada flet për kërcënime dhe intimidime që përfaqësuesit e institucioneve shtetërore kanë marrë nga personat e pandehur. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet fuqishëm punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK. Profesionistët e sektorit të drejtësisë – policia, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa kërcënime dhe intimidime, pavarësisht se kush është i pandehuri. Është koha për t’i lejuar ata të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështesin përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është mënyra e vetme që shqiptarët të marrin drejtësi profesionale dhe të paanshme që ata meritojnë dhe të përparojnë drejt integrimit në BE”,-  thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA.

Pas deklaratës zyrtare të Ambasadës së SHBA ka ardhur dhe një tjetër reagim personal i Ambasadores Yuri Kim, për të njëjtën çështje. Diplomatja Kim shprehet se hetimet e rëndësishme shoqërohen me konfuzion për të fshehur të vërtetën. Ashtu si dhe qëndrimi i zyrtar i Ambasadës, ambasadorja shprehet se mbështet fuqimisht SPAK dhe Policinë e Shtetit dhe se kriminelët e njohur duhet të dënohen. “Çështjet e rëndësishme shpesh shoqërohen me fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe konfuzion, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën, për t’i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur – asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK & Policinë e Shtetit”,- deklaron Ambasadorja e SHBA.

Në reagimet e ambasadës kryesore në Tiranë flitet hapur për kërcënime, presione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe për krim të organizuar. Akuzat janë të rënda, në të dyja reagimet mungojnë emrat e personave apo grupeve kriminale që kanë bërë presione ndaj institucioneve të drejtësisë. Mungesa e emrave kërcënues hap një seri aludimesh, por në çdo rast kërcënimi ndaj institucioneve të drejtësisë është i dënueshëm. Para se të fliste SHBA duhet që vetë prokurorët të cilët kanë marrë mbështetje maksimale nga gjithë faktorët dhe qytetarët shqiptarë ti denonconin presionet që u janë bërë. Dhe kush me emër, duhet thënë publikisht. Megjithatë qëndrimi SHBA është i qartë në mbështetje të institucioneve të reja të drejtësisë dhe Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar dhe kjo është një garanci më shumë në punën e SPAK dhe institucioneve të tjera.

Investimi i SHBA dhe BE për reformën në drejtësi është i njohur si projekti më i rëndësishëm në Shqipëri. 4 vjet pas miratimit të reformës, institucionet kryesore të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe së fundi dhe Gjykatat e Apelit janë në kolaps për shkak të vetingut. Produkti i vetëm i reformës në drejtësi është largimi i disa emrave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe ngritja e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. Megjithëse mbështetja ndaj SPAK ka qenë e jashtëzakonshme, produkti që ka dhënë deri më sot ky institucion deri tani ka ngritur pikëpyetjet e para serioze, mbi cilësinë e vendimeve që ka marrë. Nuk po flasim për çështje që janë në proces, por për dosjen e famshme të vjedhjes së votave në Shijak. Një hetim i qartë dhe i bërë nga prokurorë që nuk ishin pjesë e SPAK tregoi me emra mënyrën sesi vidhej vota dhe sesi 5 % e rezultatit të PS-së në zgjedhje ishte e pa merituar. Hetimi u katandis me arrestime komisionerësh nga të cilët një pjesë kishin ndërruar jetë. Sigurisht reforma dhe SPAK duhen mbështetur në hetime dhe vendosjen e drejtësisë në vend, por kur prokuroria jep produkte reale dhe të pakundërshtuara nga gjykata, jo kur heton 10 muaj njerëz të vdekur. Kur SPAK nuk arrin të bind as gjykatën në cilësinë hetimeve që po bën dhe kur kallëzime nuk janë marrë në konsideratë, si do të binden qytetarët në suksesin e reformës në drejtësi? Nxitimi për të pasur patjetër një bilanc me hetime dhe arrestime po bën që shumica e dosjeve të kthehen mbrapsht, siç ishte rasti me operacionin e famshëm OFL të policisë, ku nga 80 ndalime dhe aksione 48 u rrëzuan si të paligjshme. Vendit i duhet një drejtësi që nuk gabon, sepse prokurorë dhe gjyqtarë që bënin sikur hetonin dhe merrnin vendime kishim me shumicë edhe para reformës në drejtësi. U takon njerëzve dhe institucioneve të drejtësisë të mos shpërdorojnë mbështetjen e SHBA dhe investimin e madh që është bërë për reformën në drejtësi.

SPAK-duhet përkrahur realisht se ndodhet para një mali me korrupsion e krim politik, por edhe nxitimi i tyre në dosje që i shërbejnë indirekt Edi Ramës, sikur ta zbeh paksa entuziazmin. Korrupsioni është në qeveri, por nga qeveria asnjë nuk kanë marrë me pranga në duar, kur ka dosje që nuk mund të mbyllen.

Megjithatë ambasadorja Kim bëri mirë që iu dha përkrahje, pasi duhet suporti publik që ata SPAK-ut të mos çorientohen para pushtetit me plot dosje korrupsioni dhe kur të vendosin të thërrasin edhe kryeministrin.

Si rregull SPAK-u që shtojë edhe me shumë mbështetjen publike dhe të ambasadave duhet të fillojë me ministrat dhe ish-ministrat e PS, pasi dosjet sa nuk po bërtasin prej korrupsionit. Dhe më pas ka punë plot edhe në Opozitë./kohajone

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here