Standard.al

Kandidatët për deputetë?! Të zgjedhim mes më të mirëve dhe jo të zgjedhim mes më mediokërve

0

NGA: ARTAN FUGA

 

Përzgjedhja e kandidaturave për deputetë (Kurthet sociologjike, propagandat naive, realitetet politike)

Afrimi i vitit elektoral, 2021, sigurisht i ka vendosur partitë politike në Shqipëri përpara detyrës kryesore, atë të zgjedhjes të kandidatëve për deputetë. Pyetja është e thjeshtë, por me sa shumë kokëçarje ! Me çfarë liste me kandidatë duhet të dalin përpara elektoratit ? Këtu pyetjet dhe problemet janë të tilla saqë nuk do t’ua kishin dalë si duhet as ekspertë të njohur të burimeve njerëzore të korporatave shumëkombëshe.
Duhen më shumë njerëz të besuar apo nga ata që kanë një mbështetje elektorale në bazë ? Duhen më shumë njerëz të zotë dhe specialistë të mirë të fushave të qeverisjes, apo individë që e kanë në gen disiplinën e grupit ? Duhen më shumë « burokratë » të qendrës, me disa përvoja në të kaluarën, apo persona të rrënjosur në shoqëritë lokale dhe që e njohin mirë jetën atje ? Duhen më shumë « oratorë » që dinë të debatojnë me kundërshtarët, apo njerëz të punës, por pa shumë aftësi retorike ? Duhen individë me kulturë të lartë apo edhe nga ata që e kanë sa mesatarja e popullsisë ? Duhen individë që ta njohin autoritetin e liderit të partisë në raste edhe të vështira, apo persona që janë pjesë e afiniteteve grupale të tjera që nesër pasnesër mund të prodhojnë fraksione të njohura ose të nëndheshme ? Duhen njerëz që sjellin vota, apo kandidatë që pas zgjedhjeve të mbajnë koherencën e grupit të deputetëve ? Duhen njerëz të sprovuar tashmë, me rrezikun e mërzitjes të elektoratit, apo njerëz të rinj me rrezikun e mosnjohjes të sjelljes të tyre politike në ditë të vështira vendimmarrëse ? Duhen kandidatë për deputetë që të votojnë vendimmarrjet e një grupi të vogël deputetësh menaxherë, apo deputetë që të kontribuojnë me ide dhe me shkëmbime argumentash ?

Kuptohet që të gjitha këto janë probleme kokëçarëse. Nuk mund të mendohet që zgjidhja do të ishte gjetja e një pike ekulibri mesatarizuese për cdo individ. Kjo do të sillte në mënyrë pothuajse të pashmangëshme mediokritizmin e kandidaturave. Në lista për kandidatë për deputetë do të kishim profile njerëzore me vlera të ekuilibruara, por mediokre. Vështirë të thuash edhe se zgjidhja do të kishte qenë që brenda grupit të kandidatëve të kishte profile të ndryshme, sepse në këtë rast do të vinin probleme lidhur me homogjeneitetin politik të grupit. Mbi të gjitha persona me tipare liderash opinioni nuk do të kishin qenë shumë të mirëpritur nëse aftësitë e tyre do të kishin qenë të larta sepse grupi i deputetëve me disa lidera opinioni përbën një grup që ka shumë rrezik të shpërbëhet.

Dhe pyetjet vazhdojnë : Cfarë na duhen, deputetë që dinë të sillen po qe se janë në shumicë, pra jemi në qeverisje, apo deputetë që dinë të durojnë, të rrezistojnë nëse jemi në opozitë ?
Kush flet për kritere racionale në përzgjedhje këtu sigurisht ose duhet të jetë një specialist i shkëlqyer në burimet njerëzore, të jetë diplomuar shkëlqyeshëm në këtë specialitet, ose nga pesha e vështirësive i jep kurajo vetes. Kjo e fundit është sigurisht diçka shumë pozitive. Por, parametra racionalë të pagabueshëm dhe absolutë nuk besoj që mund të gjenden. Me çfarë ta matësh vlerën e personit në politikë ? Aq më shumë kur këto parametra plotësohen nga ai në mënyrë kontradiktore. Eshtë i pakorruptueshëm, por paksa jo elastik dhe i pëlqejnë vetëm mendimet e veta !!! Sa pikë merr pakorruptueshmëria dhe sa pikë merr dëgjimi i të tjerëve ? Kush mund ta dijë ? Mesatarizimi këtu nuk është mesatarja e artë e Aristotelit sepse atëhere optimalja do të kishte qenë që personi të mos kishte qenë aq i pakorruptueshëm, pra të korruptohej pak fare (!), por të dëgjonte pak më shumë edhe të tjerët, pra të ndikohej prej tyre. Por, po qe se ky ndikim vjen për shembull nga pala kundërshtare ? Vlera kthehet në ves.
+++
Besoj që të gjitha partitë duhet të jenë në ethe për të formuar listat elektorale. Kjo sepse çdo parti sipas peshës elektorale, natyrës së saj, marrëdhënieve me pushtetin, pra sipas këtyre tre variablave kryesore, ka probleme specifike për të zgjidhur lidhur me formimin e listave elektorale.
Besoj se të tjera probleme ka partia sot në pushtet, ps, e brejtur nga koha në pushtet ; të tjera probleme ka pd duke u nisur nga traumatizimi i saj pas « tradhëtisë » të deputetëve të listave kur deputetët e saj në Kuvend u larguan përfundimisht prej tij. Të tjera probleme duhet të ketë besoj « grupi demokrat » në Kuvend nëse do të donte të kishte një parti : kush do të kandidonte për të nga radhët e demokratëve në bazë ?; tjetër problem kanë partitë politike me përbërje kulturalisht homogjene si pbdnj, ose pbdiu ; tjetër problem madhor besoj kanë partitë që kanë elektorat jo të gjerë : kush kandididon për të mos u zgjedhur ?; tjetër problem lsi ; tjetër problem partitë ideologjike si partia konservatore, monarkike, republikane sepse u duhen kandidatë me këto vlera ideologjike, etj.

Gjithsesi vëmendjen e opinionit e ka tërhequr teknika e shpallur nga pd për të zgjedhur kandidatët e saj për deputet. Jo vetëm si forca kryesore në opozitë sot, por edhe sepse pd ka dalë me idenë se ka një përqasje të re në këtë proces duke u hapur më shumë drejt militantëve si shkallë demokratizimi. I takon një partie me etiketë demokratike, me prurje historike për demokratizimin e Shqipërisë, që të demokratizojë si Kodin Zgjedhor, ashtu edhe procesin e përzgjedhjes të kandidatëve nga militantët e saj në bazë.

Fakti që baza e militantëve propozon kandidatura nuk mund të mos përshëndetet. Fakti që partia në qendër bën seleksionime dhe pastaj ja ripërcjell bazës për të hequr ata që ajo nuk do edhe kjo nuk duket se është pa vlera. Fakti që në fund bëhet një kombinim midis kandidatëve të ardhur nga baza dhe nga partia në qendër edhe kjo nuk mund të mos sjelli disa anë pozitive për ekuilibrimin e vendimmarrjeve.

Thënë të gjitha këto anë pozitive, përsëri nuk mund të mos theksohet se në një mënyrë propagandistike poqese mendohet se ky është një mekanizëm perfekt, më i miri, optimali, etj., përsëri që të provohej nuk do të mjaftonin deklaratat, por do të duheshin argumenta dhe prova, rezultatet për ta provuar. Nga pikëpamja e sociologjisë politike, nuk ka zgjidhje perfekte, por vetëm zgjidhje që kanë anët pozitive si edhe ato negative. Një model është pikërisht i tillë. Të mendosh këtë proces propagandistikisht dhe jo sociologjikisht sigurisht mund të ketë vlera imazhi të përkohshëm, por mbetesh i hapur ndaj gabimeve dhe pasoja negative që vijnë nga zëvendësimi i realitetit me iluzione që shpesh i beson edhe vetë. Aq më shumë kur kjo bashkohet pastaj me pretendimin se ka parametra operacionalë që masin sikurse të jetë personnel teknik, vlerën e burimeve njerëzore në politikë, duke bërë gafën e rëndë ta trajtosh një organizatë politike si një korporatë ku ekspertët zgjidhen mbi bazën e nivelit të tyre të ekspertizës, ose një ekip atletike ku i vendos kandidatët në garë për të kapur normat përkatëse : sa sekonda i bën 100 metrat, sa shkon larg në trehapësh, sa i zoti je të shkosh në lartësi në kërcimin me shkop, tërheqje litari apo në hedhje shtize…
+++
Pra, pyetja shtrohet : nga pikëpamja sociologjisë politike, jo nga ana propagandistike, cilat mund të ishin kundërfektet e përzgjedhjes së kandidaturave duke adoptuar një përfshirje të gjerë të bazës të militantëve jo në aprovimin e listës në parim (kjo është mëse e domosdoshme), por në propozime me emra të përveçëm ?
Lidhur me këtë do të veçoja pesë problematika shumë serioze, të cilat jo vetëm nuk ka sesi evitohen, por duhen mbajtur parasysh nga kushdo që dëshiron ta shohi procesin realisht dhe të evitojë anë negative që më pas bëhen të riparueshme.

E para : militantizimi i theksuar i listës të kandidatëve.

Kjo vjen meqë baza e militantëve sigurisht ka prirjen të përzgjedhi si kandidatura për deputetë nga ata persona që ajo njeh më mirë nga ana politike, që sigurisht kanë kontribut më të madh në politikën e partisë në bazë, që janë treguar më besnikë të opozitarizmit atje. Pa dyshim. Këtu militanti nuk gabon. Por, si në të gjitha « primaret », këta kandidatë që tërheqin me shumicë militantët, nuk tërheqin medoemos edhe masat e gjera të elektoratit neutral ose hezitues, të elektoratit pa parti. Sa është elektorati militant ? Dhjetë përqind e shoqërisë ? Në rastin më të mirë. Duket se kandidatët militantë kanë shumicën e përkrahjes, por kjo shumicë është në fakt pakica përballë elektoratit të gjerë. Mund të ndodhi rregulla e përpjestimit të zhdrejtë, një kandidat me përkrahje të gjerë militantësh, pikërisht për këtë arsye, të ketë më pak përkrahje te masa e elektoratit të gjerë hezitues, pa parti, neutral, i cili atë çka dëshiron është pikërisht të votojë kandidatura jo militante. Kjo do të kishte qenë fatale sepse fuqia e opozitës elektoralisht nuk është masa e militantëve të saj, por aftësia atraktive në rritje, nëse e realizon, ndaj elektoratit të gjerë neutral, hezitues, apolitik. Në një përballje vetëm midis dy grupesh militatësh në parim partia që qeveris e « ha » partinë në opozitë.

E dyta, lokalizimi i ngushtë i listës të kandidatëve për deputetë.

Kjo do të thotë se ndodh ajo që u ndodh edhe vendeve të mëdha dhe me edukatë të gjatë demokratike, jo vendeve të vogla si Shqipëria. Militantët e Kurbneshit, me respektin e madh për ta, nxjerrin kandidatë për deputetë nga Kurbneshi, me lidhje familjare, ose profesionale me ta ; militantët e Rrogozhinës, me respektin më të veçantë për ta, nxjerrin kandidatë për deputetë individë që ose jetojnë atje, ose kanë lidhje familjare me ta ; militantët e Leskovikut me gjithë respektin e madh për ta, bëjnë njësoj, dhe kështu me radhë. Mirëpo harrohet se aktualisht ne kemi një listë me kandidatë për deputetë me shtrirje rajonale në madhësinë e qarkut, kurse individët janë mbi baza territoriale aq sa mbulon organizata e partisë e lagjes, komunës, qendrës urbane etj. Ne rrezikojmë që kështu të kemi një Kuvend të formuar me deputetë që ndofta kanë rrënjë të forta në hapësirën e tyre lokale, por që mbase kanë deficite të mëdha për të përfaqësuar Shqipërinë, kombin, vendin, si një të tërë. Kjo vihet re sociologjikisht kur sheh me trishtim që me përjashtim të pak rasteve, nga Korça sheh kandidatë korçarë, nga Shkodra sheh shkodranë, nga Librazhi sheh librazhdas, e kështu. Lokalizmi politik ka marrë udhë dhe bëhet sundues. Po të shohim nga deputetët e listave që janë në Kuvend aktualisht ka ndodhur pikërisht kjo dukuri, me pak përjashtime. Individë që ndofta kanë pasur një emër në zonat e tyre zgjedhore, por të pazotët për të përballuar problematika kombëtare. Mjafton t’u dëgjosh fjalinë e parë që formulojnë dhe e kupton këtë.

E treta, profili komunal dhe bashkiak i shumicës të kandidatëve të mundshëm.

Këtu sqaroj se nuk kam bërë asnjë studim mbi ndonjë person të veçantë, por iu përmbahem vetëm parimeve të sociologjisë politike dhe atyre të organizatave politike. Profilet sociologjike të kandidatëve reale ka vend të studjohen në çastin kur ata janë zyrtarizuar. Është një kurreshti e madhe shkencore për ta bërë në atë kohë. Gjithsesi kërkesa për të marrë në shqyrtim kryesisht kandidatura nga baza, veç anëve shumë të mira, mund të ketë më pas edhe pasoja shkatërruese për Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, pra parathotë shumë edhe për rrezikun e mundshëm të një qeverisjeje jo në cilësinë e dëshiruar nga opozita, ose nga qytetarët.
Sigurisht komuniteti lokal militant gjykon kandidatët për aktivitetin e tyre në planin lokal. Por, cili është dimensioni i një politike lokale ? Në rastin më të mirë është mënyra si është ushtruar detyra si këshilltar bashkiak ose komunal, si mund të ketë qenë kryer detyra si drejtues i dikurshëm i ndonjë institucioni lokal. Rreziku është që shumica e kandidatëve për deputetë të opozitës të gjykohen nga baza e miltantëve jo për aftësitë e tyre të sotme në drejtim të administratës. Prej tetë vjetësh, qeveria dhe shteti i Edi Ramës i fshiu ata me rrënjë e me degë që andej, jo vetëm ata por edhe kushërinj, farefis, e çfarë kishin. Pra, kandidatë të ndryshëm do të vlerësohen jo çfarë kompetencash kanë sot, por çfarë kanë pasur para 8 vjetësh.
Mirëpo deputeti i Kuvendit të Shqipërisë nuk është këshilltari i bashkisë apo i komunës. Sado besnik ndaj partisë që të jetë. Ai duhet të dijë të kontrollojë qeverinë, të aprovojë traktate ndërkombëtare, të firmosi ligje, të iniciojë ligje, të dëgjojë e interpretojë ekspertët në komisione, të dialogojë me ndërkombëtarë, etj. Kështu kemi rrezik të kemi pritës të mirë të ankesave të popullit, por me këta deputetë do të ishim para rrezikut që Kuvendi të bëhej një këshill bashkiak bis, një komunë bis, një pushtet lokal bis, një zyrë pritjeje ankesash dhe kërkesash të elektoratit militant. Deputeti do të ishte edhe më i njënashëm duke iu përgjigjur kërkesave të jetë së përditshme të militantëve që e kanë përzgjedhur sesa do të ishte një individ që ushtron si duhet sovranitetin shtetror të Republikës të Shqipërisë.

Së katërti, lind sigurisht rreziku i formalizmit.

Kjo do të thotë që drejtuesit në qendër të partisë, duke i njohur këto rreziqe i lënë vend vetes për të bërë në atë mënyrë që në listën përfundimtare të jenë ata kandidatë që ata mendojnë. Militantët e bazës sigurisht propozuan një numur tejet, shumë të madh, kandidaturash. Kjo sipas meje nuk ishte diçka pozitive, por më shumë negative. Prurjet e mëdha tregojnë që gjithkush që deshi, apo krijoi lobingje lokale dhe erdhi si propozim kandidature nga baza. Mijra kandidatura për ndofta e shumta 80 deputetë fitues tregon se seleksioni i vertetë nuk ka vepruar fare. Ishte e pritshme. Kjo do të thotë se edhe pas etapave të tjera, qendra e partisë i ka të gjitha marzhet për të vendosur midis qindrave deputetëve që do të ketë në sitë. Aq më shumë që 80 përqind të kandidatëve i vendos vetë ajo.

Kjo ka rrezik jo t’i shuajë pakënaqësitë brenda rretheve të militantëve, por t’i shtojë ato. Të gjithë të propozuarit tani, miqtë dhe familjarët e tyre, e konsiderojnë veten tashmë të « zgjedhur ». Në mos të zgjedhur realisht, nga pikëpamja e besimit të bazës njësoj në vlerat e tyre. Cdo eliminim të tyre nga fazat e tjera të kandidimit do ta quajnë një padrejtësi. Do të duan të dinë arsyet dhe nuk do t’i gjejnë kurrë. Në këtë mënyrë rreziku sociologjik është që të shtohen radhët e të pakënaqurve ndaj listave, kur nuk shohin klanin e tyre të përfaqësuar, çka dobëson tej mase energjitë opozitare.
Së pesti, fragmentarizim konkurrencial i grupeve të militantëve.
Këta në fazat në vazhdim ka shumë rrezik, nëse edukata politike midis tyre nuk është shumë e lartë, të jenë në konkurrencë midis tyre, për pasojë do të formojnë lobi kundër njeri tjetrit, t’i vendosin strëkëmbësha njeri tjetrit. Në parti politike të mëdha europiano-perëndimore kjo ka qenë e pashmangëshme sa herë ka pasur të tilla zgjedhje e përzgjedhje. Ka kandidatë me dimensione europiane që nga kjo luftë kanë parë veten kaq të ngarkuar me akuza, sa kanë përfunduar në bangon e të akuzuarve të drejtësisë. Dhe mbi të gjitha presionet, premtimet e padrejta për privilegje (« kur të vi unë në pushtet do të rregulloj çatinë e shtëpisë… »), presionet nga drejtuesit lokalë mbi elektoratin militant, do të krijojnë rrezikun që kandidatët për deputetë të jenë personat më të fuqishëm lokalisht, por jo kandidaturat gjithmonë më të mirat.
Por, kjo mbetet për t’u parë në vazhdimësi.

Pyetjes se çfarë duhet bërë ? I përgjigjemi, kjo është një histori tjetër e gjatë, e ndërlikuar dhe mund të ketë përgjigje vetëm mbi baza shkencore të sociologjisë politike, të menaxhimit të organizateve politike si edhe të burimeve njerëzore të tyre. Gjithsesi ne si qytetarë jemi të interesuar që të gjitha partitë të paraqesin lista me kandidatura sa më të mira për deputetë. Të zgjedhim mes më të mirëve dhe jo të zgjedhim mes më mediokërve !

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.