Standard.al

Erl Murati: Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës është puç, as Putin nuk e bëri një gjë të tillë!

0

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, i cilësoi si një puç ndryshimet kushtetuese, të miratuara në Kuvend më 30 korrik nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, duke thënë se as Vladimir Putin i Rusisë nuk e ka ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Murati tha se nëse do të vazhdohet me kulturën e pandëshkueshmërisë, edhe aferat politike në vend do të vazhdojnë po njëlloj.

“Nuk ka ndodhur në 30 vite pluralizëm të ndryshohet Kushtetuta në mënyrë të njëanshme. Unë mora shembullin e Putin herën e kaluar në studio, por dua t’i kërkoj ndjesë Putinit, se dhe ai vetë e ka ndryshuar Kushtetutën me referendum. Të ndryshosh Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, pa dyshim që është puç. Shoh një mungesë totale të funksionimit të drejtësisë, e mira do të vijë pikërisht kur të ndryshojë sistemi i drejtësisë dhe të japë frytet e para. Për sa kohë do vazhdojë kultura e pandëshkueshmërisë dhe të mungojë ndëshkimi i korrupsionit politikë, afera do jetë e njëjtë”, u shpreh gazetari.

Më tej, kryeredaktori i “GSH” analizoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, duke thënë se “PD ka mbi 7 vite në opozitë, do duhej ta kishte nisur një proces dialogu më herët, por nuk është kurrë vonë. Duhet parë nëse kjo gjë do të realizohet, apo do të mbetet thjesht propagandë. Edhe më herët është folur në PD që kandidatët do t’i zgjedhë baza e partisë, por nuk ka ndodhur kështu. Pra, si Rama, Basha, etj flasin në emër të popullit, por i marrin vendimet vetë. Por dy njerëzit më të rëndësishëm në politikë, si Rama edhe Basha nuk kanë ardhur si propozim i bazës. Kështu që më duket pak propagandë që vazhdojnë i mbushin mendjen publikut se janë të hapura. Ato janë të hapura, por cështja është se cfarë do të servirin.

Ndryshimet e fundit dëmtojnë Partinë Demokratike. Në këtë klimë nuk parashikoj asgjë të mirë për PD. PS e bëri Kushtetutën ashtu sic e donte vetë. Do të ishte normale që të kishim koalicione parazgjedhore, pasi do të ishte deformim i sistemit dhe degjenerim kandidimi i partive të vogla nën siglën e PD apo të PS. Opozita duhet të bëjë shumë më shumë se c’po bën që të jetë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Opozita duhet të mposhtë atë hendek të madh që ka me PS, të paktën PD”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.