Standard.al

Aleksandër Meksi: Mbi gjendjen aktuale të Pandemisë dhe ndihmat për njerëzit e biznesin

0

Nga Aleksandër Meksi

 

Rritja e shifrave të të infektuarve dhe fatkeqëve që ndërrojnë jetë në spitale nga Covid-19, të detyrojnë të flasësh edhe pse pata botuar në fund të prillit tre shkrime radhazi (respublica.al dt. 19.04; fb. 27.04; fb.30.04) e dy intervista televizive (tvt.al dt. 1.05 dhe report tv dt. 4.05), me të dhëna të hollësishme sipas rekomandimeve, veprimeve e përvoja e vendeve që si dhe ne ishin nën sulmin e koronavirusit, ashtu dhe të strukturave ndërkombëtare të ruajtjes së shëndetit. Trajtuam masat që duhesh të ndërmerreshin (qoftë dhe si propozime) për të kapërcyer me sa më pak dëme në jetë njerëzish e pasoja për të sëmurët, ashtu dhe për dëmet jo të pakta për ekonominë e familjeve dhe të vendit, të cilat do fillojnë të ndihen për një kohë të gjatë, po u vazhdua të mos ndërhyhet në mbrojtje të sipërmarrjeve dhe stimuj për të vijuar veprimtarinë.

Duke vlerësuar dobinë e mbylljes që u ndërmor, masat që propozoheshin synonin si mbrojtjen e njerëzve nga sëmundja, pra mospërhapjen e saj dhe kufizimin e vatrave të reja, ashtu edhe dëmi në ekonomi i shoqëruar me ndërprerjen e punës e pas rifillimit shkallë shkallë të punës, e sidomos pas kalimit të saj, të ishte i përballueshëm në kushtet e reja

Këshillat e OBSH dhe strategjitë që u përdorën në shumicën e vendeve që po përballojnë pandeminë ishte maska në vende publike të mbyllura, distancimi, e larja e duarve si masa për individin; ndërsa në vendet me grumbullim njerëzish (bare, njësi tregtare, reparte pune, kantiere e te tjera, veç masave të individëve duhesh përdorur dezinfektimi sistematik dhe kontrolle të përhershme nga ana e strukturave përkatëse të shtetit për marrjen e masave të mësipërme, që të mos ktheheshin në vatra infektimi e të përhapjes së pandemisë. Duhet të pranojmë që këto kërkesa nuk janë respektuar në masën e duhur dhe pasojat po ndihen. Vetëm kështu shëndeti i njerëzve mbrohet e sigurohet dhe punët që mundet të kryhen vazhdojnë.

Një grup parësor problemesh, që duhesh të përballoheshin, ishin masat shëndetësore që i takojnë shtetit: sigurimi i tamponëve dhe testeve të nevojshme që duhet të kryhen në ato përmasa të vendeve të tjera (duke kontrolluar gjithë kontaktet për të izoluar rastin apo vatrën), krijimi i spitaleve antiCovid nën kushte të rrepta izolimi (e jo vetëm ata, por edhe të tjerët) e i reparteve të nevojshme për të siguruar hospitalizimin e të sëmurëve që duhet të shtrohen në këto spitale, që duhet të kurohen me protokolle të qarta dhe pajisja e spitaleve në nivelin e duhur me mjete aparatura e personel edhe për ndihmën për të sëmurët që qëndrojnë në shtëpi etj. Për këtë u dhanë ndihma por dhe mund të kërkoheshin e siguroheshin të tjera për të plotësuar nevojat, sepse ndryshe përkushtimi dhe sakrificat e gjithë personelit mjekësor të angazhuar në këtë luftë do të rezultojnë të pamjaftueshme.

Veç këtyre për ruajtjen e shëndetit të njerëzve dhe mos përhapjen e virusit me të drejtë u bë “mbyllja” e cila edhe pse shkelej dha rezultate. Por situata po rëndohet nga muaji i fundit duke u bërë preokupante, sipas shifrave të përditshme që njoftohen zyrtarisht, e me pasoja po qe se nuk merren masat e duhura e sa më parë. Sipas OBSH dhe instituteve prestigjioze që ndjekin përditë të dhënat që vinë nga të gjitha shtetet, duhet që numri i tamponëve që kryhen duhet të jetë më shumë se 20 herë më i madh se të infektuarit me Covid 19. Thënë ndryshe, numri i të infektuarve nuk duhet të kalojë 5% të sasisë së tamponëve.

John Hopkins Hospital publikon përditë një grafik për situatën në këtë aspekt dhe në tabelat e tij jepen të dhënat për vendin tonë. Sipas OBSH dhe të tjerëve kur ky tregues është mbi 5% do të thotë se nuk kryhen sa duhet tamponë dhe se nuk ndiqen të gjitha kontaktet e të infektuarve, prandaj ekziston rreziku që të përhapet më shumë pandemia me pasoja të rrezikshme në të ardhme.

Për ta ilustruar këtë po japim të dhënat e Italisë të datës së djeshme 4 gusht: janë kryer 43788 tamponë dhe kanë rezultuar të infektuar 190 persona (230 tamponë për një person), ndërsa teste sierologjike 23.491..Nga fillimi i pandemisë janë kryer 6.984.589 tamponë dhe 4.155.814 teste sierologjike, të infektuar ka 248.419 dhe kanë humbur jetën 35.171 persona dhe treguesi i mësipërm është 3,56%. Ndërsa në Sh.B.A. gjatë gjithë periudhës së pandemisë janë kryer rreth 65.000.000 tamponë, ka 4.771.519 të infektuar dhe kanë humbur jetën 156.807 persona dhe ky tregues është 7.13%.

Në vendin tonë janë kryer 38191 tamponë dhe 5011 teste (?), ndërsa persona të infektuar rezultojnë 5750 persona. Kjo do të thotë që treguesi i përmendur më lartë për gjithë periudhën është 15% ndërsa për ditën 4 gusht është 23,8 %. Nga këto të dhëna dhe treguesit analizues të OBSH bindemi, se me gjithë se kjo mangësi është ngritur disa herë në shtypin shqiptar, nuk ndiqen e kontrollohen të gjitha kontaktet (mundet për mungesë tamponësh, personeli e kapacitete laboratorike, që për 5 muaj pandemi shteti detyrohesh ti plotësonte) çka ka rritur infektimet pas hapjes graduale dhe mos respektimit të rregullave për të siguruar mbrojtjen e personave nga kontakti me të tjerë, si nga individët, vendet e punës dhe gjetkë, ashtu dhe mungon si duhet, kontrolli detyrues i organeve shtetërore.

Duhen pra masa të menjëhershme nga organet që e kanë për detyrë…sepse një mbyllje e dytë, në rastin më të keq të rritjes së epidemisë, do kishte pasoja katastrofike për njerëzit dhe ekonominë, pra duhet të bëjmë gjithçka nevojitet. Njëherazi shqiptarëve nuk i duhen artikuj të përkthyer nga autorë të veçantë që janë kundër opinionit të institucioneve shëndetësore kryesore të botës, as dhe shkrime vendase me grafikë se kur vjen piku e kur zhduket epidemia (të cilat autorët i bëjnë hasha pas dy muajsh) por, na mjaftojnë udhëzimet e herëpashershme të OBSH e protokollet se si veprojnë vendet që po përballojnë më mirë pandeminë, madje dhe ndihma dhe ekspertiza e tyre. Shkelja e tyre nuk duhet lejuar. Ndërsa ne: maskën në vende publike, distancimin, larjen e duarve e karantinimin kur duhet…dhe të shmangim çdo teprim në jetën tonë në këto kushte të reja.

Edhe njëherë nuk mund të mos shpreh mirënjohjen për punën plotë vetëmohim e sakrifica të gjithë personelit mjekësor të angazhuar në përballimin e Covid-19; punë e cila do shpërblyer sipas Kodit të Punës për orët jashtë orarit plus një bonus për shkallën e lartë të rrezikut, që për ata në vijën e parë duhet të jetë së pakut 50% (këtë e vendosin ata që e kanë për detyrë). Kjo gjendje duhet të ndryshojë sa më parë.

Grup tjetër i problemeve dhe masave lidhet me ekonominë.
Së pari, ndihma për të mbijetuar familjet pjesëtarët e të cilave mbeten pa pune; së dyti, ndihma për sipërmarrjet që u mbyllen, pjesërisht apo dhe tërësisht e që rrezikojnë të mbyllen pas vjeshtës për pamundësi të vijimit të aktivitetit dhe së treti, mungesa e një plani real e të dobishëm investimesh publike që ndikojnë në ekonomi dhe ndihmë sipërmarrjes private për investimet zhvillimore.

Qeveria ka detyrimin për të ndihmuar individët që dëmtohen nga mbyllja me urdhër shteti e veprimtarive të ndryshme dhe kufizimi i lëvizjeve. Po kështu ajo duhet deri diku të sigurojë e financojë masat mbrojtëse për ata që punojnë. Duke pasur parasysh mënyrën sesi e trajtuan këtë periudhë vendet e tjera, konsideruar që një pjesë e madhe e shqiptarëve janë në varfëri dhe mbahen me pagën e muajit, ashtu si të tjerë nuk kanë as sigurinë e një page minimale e ndihme sociale të mjaftueshme e sidomos pensionet e ulëta, të vetëpunësuarit madje dhe ata që nuk përfitojnë asnjërën nga këto, dhe dihet që janë në vështirësi, propozuam që të jepej ajo, që në Francë e Gjermani quhet, “pagesë papunësie e pjesshme” (d.m.th. të shërbejë si asistencë papunësie apo si Kemp) që të jetë nga 30000 L. për pagën minimale e deri 60000 për të tjerat (shifër kjo e fundit për tu diskutuar) llogaritur qysh nga muaji mars deri në rifillimin e rregullt e të lejuar të punës dhe pa mbajtur detyrimet për sigurimet sociale e shëndetësore, faljen tërësore a të pjesshme kamatave e detyrimeve të prapambetura prej vitesh nga individët ndaj shtetit, si dhe shtyrjen në kohë të detyrimeve fiskale e të tjera detyrime, subvencionimin e një pjese të qirave. Këto u bënë pjesërisht me justifikimin: “të hanë kursimet” kur dhe ata që kishin këtë mundësi i mbaruan…po të tjerët ?? Duhet menduar dhe kjo që të rriten dhe konsumet.

Në rastin e mbylljes së një biznesi për shkak të masave kundër epidemisë qoftë ato dhe të pjesshme, për të fillojnë me njëherë vështirësitë e përballimit të mungesës së të ardhura nga mos shitjet e mallit stok dhe vijimit të veprimtarisë, ndërkohë që ai ka detyrime ndaj bankave e detyrime fiskale ndaj qeverisjes qendrore e asaj vendore. Bizneseve ju mungon likuiditeti, u janë pakësuar të ardhurat dhe nuk mund të respektojnë dot afatet fiskale. Prandaj propozuam që si kudo biznesi duhesh përkrahur për të mos falimentuar, duke marr përsipër shteti ti ndihmoj sipas rastit me grante e likuiditet, si dhe kredi të buta për të pasur mundësi të rifillojnë punën apo për të vijuar eksportin apo dhe importin, kredi deri 2 vjeçare e të buta me garanci shtetërore, ndërsa për ecurinë e mëtejshme kredi zhvillimi me afate 5-7 vjet e më shumë sipas rastit, garanci për import-eksportet përndryshe biznesi nuk do mbijetoj, çka do jetë katastrofike dhe për punësimin dhe me pasoja afatgjatë për vendin dhe njerëzit.

Pak ndihma pati në këto drejtime rënduese për të punësuarit dhe biznesin dhe po e ilustrojmë me një shembull: Bashkia e Tiranës shtyu për biznesin pagesën e taksave dhe tarifave vendore nga 20 prilli në 15 korrik, ndërkohë që këto janë taksa vjetore; ndërsa për taksat e pronës shtyu afatin e pagesave të këstit të parë nga 20 prilli në korrik dhe kërkon në 31 gusht këstin e dytë të kësaj takse vjetore; e kështu veprohet e për taksat e tjera ndaj administratës qendrore. Absurditetin e këtyre veprimeve po e ilustrojmë me një shembull të para afro 4 mijë viteve marrë nga Kodi i Hammurabit (1792-1750 B.C) ku thuhet :

48. Në se dikush ka një detyrim a borxh për një hua dhe stuhia ja hedh drithin në tokë, apo drithi nuk bëhet për mungesë të ujit, në atë vit ai nuk detyrohet t’i japë kreditorit të tij asnjë kokërr, e ai lan (fshin) tabelën e borxhit me ujë dhe nuk paguan detyrimet për atë vit.

Ideja është mjaft e qartë: nuk mund ta lësh tjetrin pa bukë kur kemi një fatkeqësi natyrore, d.m.th. si punëtorin ashtu e prodhuesin. Për këtë duheshin dhe ende duhen një sërë ndihmash si për qytetarët e ashtu dhe për biznesin./ResPublica  

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.