Standard.al

“Në horizont s’duken shenja përmirësimi”/ VOA: Rekord infektimesh në Shqipëri, shtrime të reja e pacientë në gjendje kritike

0

Në Shqipëri, rastet e reja me COVID-19 shënuan sot një rekord të ri duke arritur në 130 të prekur, të cilët u konfirmuan pas 549 testimeve, ndërsa 4 persona humbën jetën në spital.

Shumica e të infektuarve vijojnë të zbulohen ende në kryeqytet, ku u rregjistruan 72 raste, ndërsa të prekurit e tjerë u identifikuan në 21 qytete të ndryshme të vendit, nga Hasi e Malësia e Madhe në Veri, në Vlorë e Sarandë në jug. Totali i të prekurve shkoi në 5750 persona.

Numri i viktimave mbetet gjithashtu i lartë. Ministria e Shëndetësisë, njoftoi se në 24 orët e fundit humbën jetën 4 qytetarë, dy nga Tirana, të moshës 85 vjeçare, si dhe një 79 vjeçare nga Mirdita e një 81 vjeçare nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruese. Që nga fillimi i epidemisë, janë 176 persona që kanë humbur jetën, pjesë dërrmuese e tyre në dy muajt e fundit.

Në horizont nuk duken shenja përmirësimi të situatës. Pozitiviteti (rastet e reja në raport me nurmin e testimeve) ka ardhur duke u rritur, ndërsa në spitale, shtrimet e reja po shtohen, sikundër dhe pacientët që janë në gjendje kritike. “Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 116 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 23 paciente janë në terapi intensive, 7 prej të cilëve pacientë të intubuar”, bëri të ditur të martën Ministria e Shëndetësisë.

Mjekët dhe autoritetet po përsërisin në mënyrë të vazhdueshme thirrjet drejtuar qytetarëve për të repektuar masat e sigurisë. Në një mesazh të sajin ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu theksoi të martën se “deri kur kjo pandemi të jetë mposhtur, kërkohet të heqim dorë nga grumbullimet dhe nga festat që shumë herë, dhe e kemi këtë të evidentuar, janë kthyer në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit”, tha ministrja duke shtuar se “normaliteti i ri kërkon ta shohim distancimin fizik jo si një mënyrë për t’u larguar nga të dashurit, por si një mjet për t’u treguar edhe më fort dashurinë, duke i mbrojtur. Normaliteti i ri kërkon të përdorim maskën kudo, në çdo ambient të mbyllur, tashmë vendosur me ligj dhe kudo ku distancimi është i pamundur. Kërkon të zbatojmë rregullat e higjienës kudo, në çdo çast, kudo ku ne të mundemi”, deklaroi zonja Manastirliu./VOA

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.