DW: Si të reagojmë ndaj demonstratave kundër Coronas?!

0
96

Nga DW-

Dhjetëra mijëra protestuan sikur virusi të mos ekzistonte: Pa mbuluar gojën dhe hundën e tyre, ngjitur me njëri-tjetrin,ecën njerëzit të shtunën nëpër Berlin. Kalimtarëve, të cilët mbanin maska mbrojtëse në fytyrë demonstruesit u thërrisinin: “Hiqni maskën!”

Zemërimi për këtë u mblodh që në të njëjtën ditë. Bashkëkryetarja e Partisë Socialdemokrate, Saskia Esken foli për “covidiotë”. Kreu i grupit parlamentar të CDU në parlamentin e landit të Brandenburgut, Jan Redmann tha: “Ne nuk mund të lejojmë më këtë marrëzi të rrezikshme”.

“Nuk kam më asnjë mirëkuptim”.

Tani politikanë nga disa parti shprehen në mënyrë të njëjtë; debati po rritet me shpejtësi. Liria e demonstrimit është “një vlerë juridike veçanërisht e rëndësishme”, i tha Ministrja Federale e Drejtësisë Christine Lambrecht (SPD)  “Süddeutsche Zeitung”. Megjithatë, kërkesat për kufizimin e pandemisë duhet të përmbushen në mënyrë që të mos rrezikohen të tjerët. “Më mungon mirëkuptimi për demonstruesit, që e kundërshtojnë këtë”.

Eksperti i CDU-së për politikën e brendshme, Armin Schuster sheh një “rrezik për publikun e gjerë” dhe u vë pikëpyetje në përgjithësi demonstratave të tilla. Sipas mendimit të tij, mbledhje të tilla do të ishte proporcionale “të miratohen vetëm  në kushte shumë më të rrepta ose të mos miratohen aspak”, tha Schuster-i për gazetën Rheinische Post. Nënkryetari i grupit parlamentar të partive unioniste, Thorsten Frei nënvizoi se manifestimet e protestës mund të kufizohen vetëm në raste absolute të jashtëzakonshme. “Por kur demonstruesit vetë kthehen në një rrezik të lartë, shteti nuk duhet të qëndrojë duarkryq,” i tha anëtari i CDU-së gazetës “Welt”.

Gjoba për shkeljet

Politikani socialdemokrat për çështjet e shëndetësisë, Karl Lauterbach kërkon të vihen gjoba për shkeljet. “Kur dhjetëra mijëra vetë propagandojnë në mënyrë agresive që të mos respektohen rregullat e ruajtjes së distancës, atëherë ky është kërcënim për shëndetin publik,” i tha Lauterbach radios NDR Info. Ai kërkoi që të kryhet në mitingje identifikimi i personave, me qëllim që të vihen gjoba.

Bashkëkryetari i AfD, Tino Chrupalla, nga ana tjetër, i mbrojti demonstruesit. “Unë nuk shoh ndonjë shkelje,” i tha ai ARD-së. Protesta ishte paqësore; njerëzit dolën në rrugë për të drejtat e tyre themelore dhe civile. “Dhe këtë vetëm mund ta përshëndesësh.”

“Njerëzit janë të dëshpëruar”

Nënkryetari i Bundestag-ut, Wolfgang Kubicki gjithashtu tregoi mirëkuptim. Ai ishte i sigurt se mes demonstruesve “kishte shumë njerëz që nuk janë të humbur për ne, të cilët thjesht janë të dëshpëruar, sepse thjesht nuk e dinë pse po zbatohen këto masa”. Politikanët nuk kanë arritur ta shpjegojnë më mirë këtë.

Sidoqoftë, Konferenca e Komunave gjermane paralajmëron se një demonstrim nuk duhet të çojë në zhvillimin e qendrave të reja të koronës. “Është e papërgjegjshme të mos zbatohen rregullat dhe udhëzimet në një hapësirë ​​kaq të vogël,” u deklaroi drejtori kryesor ekzekutiv, Helmut Dedy gazetave të grupit të mediave Funke.

Kallëzim penal kundër organizatorëve

Sipas policisë, të shtunën në Berlin, në një demonstratë kundër masave shtetërore për të frenuar pandeminë e koronës morën pjesë rreth 17000 vetë; rreth 20,000 besohet se qenë të pranishëm më pas në një manifestim. Meqenëse shumë demonstrues nuk respektuan rregullat e distancës sociale dhe nuk mbanin maska, forcat operative e shpërndanë manifestimin përfundimtar. Vetë organizatori e deklaroi të përfunduar demonstratën e mëparshme pasi policia bëri një kallëzim penal kundër tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here