Standard.al

Rama po kërkon me çdo kusht “një pazar” për vete me Perëndimin…

0

Nga Red VARAKU

Sërish Edi Rama me shumë djallëzi e ka lënë një mundësi për të bërë një pazar edhe pas ndryshimeve kushtetuese të njëanshme, e cila do të garantonte hapjen 100% të listave dhe realizimin e koalicioneve të përcaktuara në kodifikimin e marrëveshjes së pesë qershorit.

Kjo mundësi për hapjen e listave dhe mundësia e koalicioneve parazgjedhore përmes Këshillit Politik, është kthyer në kërkesën kryesore të faktorit ndërkombëtar, duke filluar nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian ,Partitë Popullore Europiane, e duke përfunduar tek shtetet anëtare, ku bie në sy reagimi i prerë i ambasadës gjermane. Ndërkohë edhe ambasada amerikane dhe ambasada britanike e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre ku theksojnë rëndësinë e ruajtjes së dakortësisë së pesë qershorit.

Të gjithë njëzëri kanë kërkuar rikthimin e këtyre çështjeve në Këshillin Politik në mënyrë që produkti i dalë prej tij të jetë konsensual dhe i pakontestueshëm nga asnjëra nga palët, përndryshe kushti për reformën zgjedhore do të konsiderohet i papërmbushur nga BE, duke rrezikuar kështu bllokimin e integrimit.

Në fakt këtë ka kërkuar edhe vetë kryeministri, i cili shprehet që ndryshimet kushtetuese nuk e prekin marrëveshjen e pesë qershorit dhe mundësia për kodifikimin e saj, sipas marrëveshjes së pesë qershorit është plotësisht e mundshme.

Me premtimin se marrëveshja e pesë qershorit do të respektohet, koalicionet parazgjedhore nuk do ndryshohen dhe hapja e listave do të bëhet 100%, faktori ndërkombëtar ka bindur dhe Opozitën e Bashkuar të rikthehet në Këshillin Politik.

Kështu që është e qartë që marrëveshja e pesë qershorit vazhdon akoma të jetë në fuqi dhe produkti i Këshillit Politik duket se do të jetë i vetmi produkt legjitim për reformën zgjedhore.

Në këtë kuptim ndryshimet kushtetuese që pamë në 30 korrik, përveç faktit të rëndë se u miratuan në mënyrë të njëanshme përmes një gjysëm parlamenti, nuk e cënojnë thelbin e marrëveshjes së pesë qershorit dhe pretendimet sovraniste dhe kërcënimet e kryeministrit në foltoren e parlamentit ishin thjesht një show bosh.

Me sa duket ato ishin një bllof i kryeministrit, me anë të të cilave, ai po kërkon një pazar për të shpëtuar veten nga zullumet e mëdha të qeverisjes dhe nga ndëshkimi për shkak të aventurave të tij gjeopolitike, me të cilat ai po rrezikon jo vetëm destabilizimin e Shqipërisë, por të krejt rajonit.

Edi Rama duket se po e përdor gjithë këtë krizë artificiale, për t’u faktorizuar dhe për të qenë interlokutori kryesor me faktorin ndërkombëtar. Kësisoj ai po mban të hapur dialogun me diplomatët dhe bën sikur po i ha barku për ta zgjidhur këtë krizë. I gjithë ky mekanizëm duket se është një skemë tipike e tij për tu kthyer në epiqendrën e zgjidhjes së krizës.

Pra, Edi Rama po kushtëzon kodifikimin e reformës sipas marrëveshjes, me garancinë për të mos u prekur nga drejtësia pas zgjedhjeve. Por, fakti që nuk e ka marrë akoma këtë garanci deri tani, do të thotë që faktori ndërkombëtar mbetet i palëkundur jo vetëm në qëndrimin për largimin e tij, por tashmë dhe në vendosmërinë për ndëshkimin e tij.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.