Standard.al

Parimet që shkeli Rama, miratimi i heshtur i Perëndimit dhe komplekset e opozitës

0

 

Gjithmonë gjenden votat për të votuar në shërbim të pushtetit. Kur nuk gjenden, blihen, kur nuk vidhen, miratohen me votat e pakicës. Ky është mësimi që dha Edi Rama që kur e mori tepsinë për vete.  Akoma pas këtyre mësimeve, ka diplomatë të huaj që thonë se mund të negociohet, dhe opozitarë të kompleksuar, që me bindjen se rotacioni do të vijë vetvetiu, mundohen të sillen “politikisht korrektë” me ambasadorët.

Nga Enton Abilekaj

As Rama, as Basha, as Yuri Kim, as Zingraf nuk duan të tregojnë parimet demokratike që u rrëzuan me 106 vota në Kuvend, parime që janë më të rëndësishme se vetë Kushtetuta, parime që mbajnë Perëndimin prej më shumë se 200 vjetësh dhe që ne i aspirojmë si modeli që duam. Ra parimi i konsensusit për Reformën Zgjedhore. Një parim që ka ruajtur në një farë mënyre stabilitetin. Pala humbëse, ka qenë pjesë e reformës dhe si rrjedhim, bashkëpërgjegjëse për standartet. Nga sot, i vetmi përgjegjës për standartet është Edi Rama dhe vetëm humbja e tij mund të garantojë stabilitet.

Ra, parimi i mbrojtjes së Sovranitetit Kushtetues. Ligji Themeltar i Shtetit, i miratuar me Referendum në 1998, ka ndryshuar vetëm me konsensus që atëherë. Sot Kushtetuta u trajtua më keq se Arta Marku që e thirrën të bënte betimin mes tymueseve pas votimit me 69 vota, ku trafiku i kartave të deputetëve mbulohej nga mjegulla.

Kushtetuta u gatuar me krundet e opozitës, që nuk kanë asnjë mandat të lëpijnë Ramën aty ku ka vënë preshin për të fluturuar drejt pushtetit absolut. Si një kuzhinier amator që shton ujin, kripën dhe erëzat duke e provuar pareshtur gatimin, diktatori prej letre hiqte dhe vinte nene, pragje elektorale dhe koalicione si t’i vinte për mbarë nga këshilltarët e manipulimit elektoral.

Ra parimi i shanseve të barabarta. Njëra palë vendosi të krijojë më shumë shanse për veten duke ua mohuar konkurentëve.

Ra parimi i respektimit të marrëveshjeve. Me 106 vota pa opozitën reale, maxhoranca rrëzoi marrëveshjen e 14 janarit dhe të 5 qershorit, ndërsa një nga negociuesit ndërkombëtarë ia legjitimoi të drejtën pa asnjë arsye.

 

 

Pas kësaj, askush nuk ka më garanci që Edi Rama mund të respektojë ndonjë kontratë apo marrëveshje, askush nuk e di deri ku do ta shkelë kontratën që ka me qytetarët për qeverisjen dhe zgjedhjet e ardhshme.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.