Standard.al

Kreu i “Konrad Adenauer“ apelon: Është koha për reflektim ndaj ndryshimeve të fundit kushtetuese…

0

Drejtuesi i zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer“, Tobias Rűttershoff, në intervistën ekskluzive për DW shprehet, se është koha për reflektim ndaj ndryshimeve të fundit kushtetuese.

DW: Z.Rűttershoff, ꞔfarë mendoni për ndryshimet kushtetuese që Paralamenti miratoi ditët e fundit: sistemin e listave të hapura për zgjedhjet dhe riformatimin e koalicioneve partiake? A sigurojnë ato zgjedhje më të mira? E kam fjalën a do t’i  japin fund parregullsive të tilla si psh blerja e votës, manipulimi në numërimin e votave, që kanë prishur vazhdimisht zgjedhjet në Shqipërinë post-komuniste?

Tobias Rűttershoff:  Për mua nuk është plotësisht e qartë, pse kushtetuta duhej të ndryshohej për të arritur rezultatin e dëshiruar: zgjedhje më transparente dhe të ndershme. Ndërkohë që duhet të respektosh kompetencat ligjore të parlamentit shqiptar, pyetja është, nëse këto ndryshime kushtetuese ishin gjithashtu të ligjshme. Ndryshimi i kushtetutës është gjithmonë i vështirë, kur një pjesë e madhe e publikut shqiptar nuk përfaqësohet në parlament dhe kur nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, Për më tepër, nuk e di nëse këto janë hapat e duhur për të siguruar dhënien fund të blerjes së votave dhe manipulimin në numërimin e votave. Natyrisht, që listat e hapura plotësisht, mund të japin njëfarë sigurie në këtë drejtim. Megjithatë, ato në vetvehte nuk janë një kurë mrekullie për sëmundjet e zgjedhjeve shqiptare dhe sigurisht jo në formën e tyre aktuale, ku vetëm 2/3 e listave të partive janë të hapura dhe 1/3 ende vendoset nga kryetarët e partive.

DW: A shihni arsye thelbësore për kundërshtimin e fortë të Partisë Demokratike (PD) dhe aleateve të saj, ndaj këtyre ndryshimeve? A shkelin ato Marrëveshjen e 5 qershorit, pra dakortësinë e të gjithë aktorëve politikë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor? PD në emër të opozitës së bashkuar jashtë parlamentit sapo i ka quajtur ndryshimet kushtetuese “të papranueshme dhe jo të detyrueshme për atë dhe shqiptarët”.

Tobias Rűttershoff: Me sa jam në dijeni, diçka aq e rëndësishme, aq e thellë sa ndryshimet kushtetuese, në të kaluarën bëheshin gjithmonë në mënyrë konsensuale, me përfshirjen e gjithë aktorëve politikë. Sigurisht, me djegien e mandateve parlamentare në vitin 2019, Partia Demokratike ka kontribuar në një masë të madhe në krijimin e kësaj situate. Sidoqoftë, PD ende përfaqëson një pjesë të madhe të elektoratit shqiptar. Kjo është arsyeja pse kushtet e Bundestagut për Shqipërinë, lidhur me hapjen e negociatave të pranimit në BE, kërkuan një qasje gjithëpërfshirëse ndaj reformës zgjedhore. Kjo u reflektua në Marrëveshjen e 14 janarit të këtij viti, ku mazhoranca, opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare ranë dakord për të zhvilluar bisedime në Këshillin Politik, në një mënyrë të tillë përfshirëse. Kjo rezultoi në Marrëveshjen e 5 Qershorit, e cila ishte një hap i stërmadh përpara. Një gjë është e sigurtë: sido që të jetë, nëse ndryshimet kushtetuese i shkelin ose jo këto marrëveshje, ato me siguri shkojnë kundër kërkesave legjitime për një dialog të mëtejshëm gjithëpërfshirës.

DW: Cila është ꞔështja kryesore, immediate për PD dhe aleatët e saj në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit që vjen dhe gjithashtu të perspektivës europiane të Shqipërisë?

Tobias Rűttershoff:  Siç pritet në një demokraci funksionale, PD duhet të paraqesë një alternativë të besueshme dhe të fortë ndaj maxhorancës socialiste qeverisëse. Nëse ky është rasti, shqiptarët do të kenë një bazë të mirë për të zgjedhur rrugën e ardhshme të vendit të tyre. Sidoqoftë, të gjitha partitë duhet të qëndrojnë të përkushtuara në rrugën evropiane të Shqipërisë, sepse siç tregojnë të gjitha sondazhet, shqiptarët përpiqen dukshëm për integrim më të thellë në BE.

DW: A mendoni se PD dhe aleatët e saj do t’i japin një përgjigje të pakushtëzuar, pozitive thirrjes së Gjermanisë, drejtuar gjithë aktorëve politikë, që të bashkëpunojnë për zbatimin ligjor në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese? Të respektojnë Marrëveshjen e 5 qershorit, duke marrë pjesë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe bashkëpunimit? Kam parasysh deklaratën e Ambasadorit gjerman në Tiranë, Z. Peter Zingraf, menjëherë pas miratimit në Parlament të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat po flasim.

Tobias Rűttershoff:  Besoj që Ambasadori Zingraf bëri një deklaratë shumë të ekuilibruar. Kemi nevojë të presim dhe të shohim se çfarë nënkuptojnë ndryshimet kushtetuese në realitet, se si do të zbatohen ato në Kodin Zgjedhor. Pas një gjysme të parë kaotike të vitit 2020 dhe situatës së përgjithshme nga Covid-19, ndoshta tani është koha për të reflektuar dhe më pas për të bërë një fillim të ri, duke diskutuar këto çështje në një mënyrë gjithëpërfshirëse në Këshillin Politik. Unë jam pozitiv që PD dhe opozita e bashkuar do të jenë të hapura për dialog të vazhdueshëm.

DW: Z. Rűttershoff a e ka plotësuar Shqipëria, me zhvillimet e fundit për të cilat po flasim, kërkesën e Bundestagut Gjerman dhe Këshillit Europian për të kryer Reformën Zgjedhore, si një kusht shumë i rëndësishëm për fillimin e negociatave të pranimit në BE?

Tobias Rűttershoff:  Marrëveshja e 5 qershorit ishte padyshim një hap i madh drejt përmbushjes së këtij kushti kryesor për negociatat e pranimit në BE. Siç thashë, kemi nevojë të shohim tani sesi përkthehen ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Shpresoj që me diskutime të mëtejshme përfshirëse në Këshillin Politik, pas pushimeve të verës, të mund të gjejmë një zgjidhje të dakortësuar, të pranueshme për të gjithë aktorët e përfshirë.

 

 

Intervistoi: Ani Ruci

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.