Hilet e revolucionit të bishtave të lopatës?!

0
123
Nga Ergys Mërtiri

Hile, – e quajti Kryeministri Rama mënyrën sesi funksionojnë koalicionet në Shqipëri. Hilja për të qendron në faktin që partitë brenda një koalicioni i japin e marrin njëra-tjetrës vota, për të maksimalizuar mandatet e tyre. Sipas tij, sistem i drejt quhet kur votat shtesë të partive nëpër qarqe, ato që nuk mjaftojnë për të prodhuar një mandat më shumë, shkojnë dëm, dhe nuk i kalojnë aleatit brenda koalicionit! Zhbërjen e kësaj skeme Kryeministri është përpjekur ta paraqesë si një revolucion, gjë për të cilën, ai kish gjetur kohë të kërkojë apo dizenjojë edhe një kollaro, me mbishkrimin e fjalës magjike, që në fakt, fsheh vetëm një pisllëk.

Kushdo që e mban mend, ky sistem që kemi sot, është hartuar nga vetë Edi Rama dhe Partia Socialiste. Në vitin 2008 Sali Berisha, ndryshe nga ç’bën sot Rama, i ofroi atij fletë të bardhë, duke i dhënë të drejtën të zgjedhë çfarë sistemi të donte. Me këtë, Berisha i dha atij dorë të lirë të përcaktojë rregullat e lojës, të cilat Berisha do ti votonte më pas pa hezitim.

Dhe kështu ndodhi. Rama përzgjodhi dhe krijoi pikërisht këtë sistem, këtë “hileqarin”, duke pasur dy synime: Pikë së pari të favorizonte PS-në në zgjedhje, dhe së dyti, të nxirrte jashtë loje LSI-në. E megjithatë, si përfundim Rama doli i humbur: Berisha fitoi zgjedhjet, ndërsa Meta, u imponua si një kingmaker, madje edhe ndaj vetë Ramës në 2013.

Në vitin 2017, Rama ia doli të triumfojë i vetëm, falë një sërë faktorëve, krejt të pazakontë në politikën shqiptare: Opozita nuk ishte e bashkuar, PD-ja sapo kish dalë nga një protestë maratonë në çadër dhe hynte në zgjedhje e paorganizuar, koalicionet ishin pezulluar dhe, mbi të gjitha, qeveria kish gati një industri të mirëorganizuar të blerjes së votës, në një bashkëpunim midis strukturave shtetërore, parave të drogës e oligarkisë dhe krimit të organizuar.

Megjithë pushtetin absolut, megjithë blerjen e votës, megjithë sasinë e madhe të parave në zgjedhje, instrumentalizimin e shtetit, presionet mbi votuesit, kontrollin mbi mediat, kapjen e institucioneve zgjedhore si dhe efektet e një reforme territoriale të bërë 100 përqind me hile, përsëri Rama mundi të fitojë vetëm 48 përqind të votave. Sigurimi i 74 mandateve nuk do të ishte i mundur pa eleminimin e koalicioneve, gjë të cilën Rama kërkon ta përsërisë edhe tani me ndryshime kushtetuese të njëanshme.

Pra Rama mori vota më pak se gjysma, e megjithatë u rizgjodh Kryeministër duke qeverisur i vetëm. Sipas tij ky quhet një sistem i drejtë. Sistem i drejtë është vetëm ai ku votat e opozitës shkojnë dëm dhe fituesi qeveris edhe pa qenë shumicë. E kundërta, sistemi që rregullon votat e opozitës brenda koalicionit për të mos lënë asnjë prej tyre të humbasë quhet hileqar, megjithëse e ka zgjedhur vetë.

Për të realizuar këtë, duhet një ndërhyrje në kushtetutë dhe Kryeministri mendon se mund ta bëjë këtë duke përdorur një parlament jopërfaqësues, me një opozitë të mbushur nga “bishta lopatash” (siç i quajti ai vetë në seancën e fundit) “që nuk kanë për të qenë më kurrë në ato karrike”. Rama po kërkon të prodhojë legjitimitet për manipulime flagrante, nëpërmjet një parlamenti ilegjitim, të cilin edhe vetë e sheh si të tillë.

Ky është një revolucion sipas Ramës, një revolucion për të zhbërë vetveten me “bishta lopatash”! Kjo mund të ndodhë vetëm në një vend si ky, ku rregullat dhe ligjet, madje edhe vetë kushtetuta mund shkelen apo ndërrohen me lehtësinë që kryeministri ndërron kollarot.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here