Standard.al

Ceka: Ambasadori Soreca e trajton rastin e Bylisit si të njejtë me tenderat e BE-së për stallat e lopëve

0

 

Ekskluzive  per gazetën ‘STANDARD”

Një nga zërat më të fortë në mbrotje të trashëgimisë, arkeologu Neritan Ceka nuk ka ndalur së denoncuari, dhe vënien para përgjegjësisë të institucioneve që merren me Monumentet; por si duket në një mjedis korruptiv, nga aferat e dyshimta të zyrtarëve të lartë, arkeologu sot është nga zanatet më të vështira, i shpërfillur, i përjashtuar nga ajo që quhet “kërkim shkencor”, zëvendësuar me punonjës të firmave të ndërtimit…

 

Intervistoi: Violeta Murati

Para pak kohësh, juristi i së drejtës ndërkombëtare, Agron Alibali në një analizë dha juridikisht mbi çfarë po ndodh në Butrint, si po veprohet në menaxhimin e tij, si ligji shqiptar është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konvetën e Parisit, – pra flitet për tjetësim të menaxhimit, ku hyjnë në lojë fondacionet private, të huaja – e pashembullt në historinë dhe praktikën juridike të vendit…Në asnjë rast, në dijeninë tonë, drejtimi, administrimi apo menaxhimi i tyre nuk u besohen fondacioneve vendase private, aq më pak të huaja. Roli i fondacioneve është kryesisht filantropik. Më duket se, deri tani, nuk ka kundërshti të fortë për këtë, si mund ta mbrojnë këto fondacione trashëgiminë tonë kulturore?!

 

Edhe kjo është një histori e hidhur, e nisur dhe bitisur nga Ministria e Antikulturës. Që katër vjet më parë i kisha propozuar ministres I të kulturës që të krijohej nje fondacion i tipit British Heritage të Anglisë, që është gjysmë privat (charity) përsa i përket mbledhjes së fondeve, dhe gjysmë shtetror për mënyrën e trajtimit të monumenteve dhe administrimit të tyre. Siç e ka zakon kjo gjeneratë e politikanëve të emëruar, e mbështeti propozimin tim, por duke marrë vetëm pjesën e parë. Më e keqja ishte se përgatitja e projektit për një Plan menaxhimi të Butrintit ju ngarkua një zyre projekti, që kishte në CV e saj një muze të gjetheve të lisit dhe fotografive të Luftës I Botërore në Angli. Me megallomaninë tipike anglo-sanksone ata angazhuan në këtë projekt vetëm arkeologë të huaj. Rezultati ishte një Plan Menaxhimi për Parkun e “qytetit Greko Romak të Butrintit”, ku nuk përmendet asnjë emër i vetëm shqiptari, pavarësisht se për krijimin e tij, veç italianit L. M. Ugolini dhe anglezit R. Hodges, kishin punuar shqiptarët H. Ceka, Dh. Budina, N. Ceka, K. Lako, A. Tare, etj, etj. Projekti u prezantua nga nje bablok i panjohur anglez, i shoqëruar nga buzëqeshja e vazhdueshme inkurajuese e ministres II të kulturës. Në diskutimin tim e quajta atë plan si aeroplan pa motor, por e konsiderova si të keqen më të vogël për Butrintin, në një vend ku detyrohemi prej kohësh të zgjedhim gjithmone midis dy të këqiave. Thashë tekstualisht se do të pranoja që Butrintin ta administronte edhe Djalli, sepse sidoqoftë do të ishte më mirë se administrimi i sotëm!

 

Autorët e Planit të Menaxhimit, siç thuhet, kanë ofruar modelet dhe praktikat më të mira të menaxhimit të parqeve kombëtare, duke përfshirë partneritetet publike private (për hotele, hostele, restorante dhe kampe)…Pra, e vetmja marrëdhënie që do krijojnë PPP me ministrinë janë për qëllimet e mësipërme, përfshirë dhe AADF-në, që së fundi ka përfshirë edhe Durrësin.  Kjo praktikë siç po shihet ka tendenca për të përfshijë të gjitha parqet arkeologjike. Çfarë problematike do të krijojë implementimi i këtij projekti, nëse bëhet një gjë e tillë?

 

Idenë e hartimit të një Plani për menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Durrësit e shpalli ministrja II në një konferencë të organizuar nga Instituti i Arkeologjisë dhe Ambasada e Francës në Tiranë, në kuadrin e bashkëpunimit shqiptar francez në fushën e arkeologjisë. Pikërisht në një veprimtari të tillë, ku një brez i ri arkeologësh shqiptarë promovohet krahas kolegëve të tyre francezë në fusha të përbashkëta kërkimesh dhe me rezultate spektakolare, por ku mungon totalisht çdo pjesëmarrje nga kënetat që ka krijuar Ministria e Kulturës, ministrja II shpalli se planin e menaxhimit të Durrësit arkeologjik do ta bëjë një studio e huaj. Natyrisht ishte një muzikë e kënduar edhe nga ministrja I, në rastin e Muzeut Historik Kombëtar, që sipas saj duhet ta bënte nje studio e huaj, “sepse në Shqipëri nuk ka specialistë”. Me atë rast e pyeta ministren (natyrisht përmes një SMS, sepse zonja nuk ka kohë), se për çfar i duhen ata 40 arkitektë që ja ka dërguar partia si rrogëtarë në IKTK? Dhe nëse e dinte që pikërisht në atë konferencë kishte tre arkeologë të Institutit të Arkeologjisë që punojnë që prej 20 vjetësh në Durrës? Shpresoj që ashtu si ministrja I, të jetë ndikuar për të kërkuar një zgjidhje shqiptare për një projekt të trashëgimisë shqiptare. Edhe AADF kësaj rradhe ka hequar dorë nga studio e gjetheve të lisit dhe ka gjetur rrugën e zotit tek Instituti i Arkeologjisë. Besoj se do të jetë një përvojë që mund t’i shërbejë edhe Zyrës së BE, vetëm se, pa hilen e “konfliktit të interesit”. Natyrisht që Durrësi nuk do të jetë PPP,  të paktën shpresoj që nuk do të kenë kohë për ta bërë!

 

Po kaloj në ngjarjen më të fundit, skandalin e thyerjes së kolonave të Nymfeut në Apoloni, mbajtur e fshehur që prej prillit, kohë karantine, e padenoncuar nga zyrtarët e Parkut dhe me një mungesë përgjegjshmërie Ministria e Kulturës harton me të shpejtë një projekt restuarimi, pa vënë para drejtësisë përgjegjësit. Çfarë standardesh na zbulon ky rast, në këtë park? Dhe si është e mundur kur janë hedhur afro 800 mijë euro të ndodhë ky skandal, kur ka kamera sigurie, dhe të mos zbulohet shkaktari?

 

Ministrja II konsideroi krejt normale që ky park të propogandonte ne sajtin e tij fjalimin patetik te Sgarbit, që e konsideronte teatrin e Bylisit si grek. Rëndësi ka që partia të mos shqetësohet për mikun e saj. Po kaq normale konsiderohet prej saj edhe fakti që shtyllat rrëzohen, pa dhënë asnjë lajm në media, kur jepen përditë edhe aksidentet më të rëndomta. As edhe që lajmi del nga një ambasadë e huaj, ku kërkohet financim për ringritjen e kolonave. Pastaj deklarohet se ka pasur edhe një projekt për ringritjen e tyre. Pas kësaj rezulton se kolonat ringrihen pikërisht nga Ariani dhe Admiri, specialistë të mirëfilltë në fushën e arkeologjisë, punonjës pikërisht të atij parku ku janë rrëzuar kolonat. Pra, në rastin më të mirë, rrumpallë!

 

A është normale që bëhet projekt restaurimi, dhe nuk fton autorin e gërmimit, kur jeni ju pasardhës i arkeologut Hasan Ceka, dhe ja ku jemi bashkë sërish me të njëjtin fenomen – e kemi diskutuar dhe herë tjetër, – që specialistët vendas, këtu, shpërfillen. Sigurisht ju do të kërkonit llogari përse ndodh thyerja e kolonave, por pse ndodh kjo shpëfillje e specalistëve ka një shpjegim?

 

Respekti për autorin e gërmimit është një detyrim minimal për sa herë ndërhyhet në një monument. Në rastin e kolonave të Nymfeut të Apollonisë detyrimi ishte ndaj meje, që kam punuar katër vjet në gërmimin e atij monumenti, si arkeolog asistent i prof. Hasan Cekës. Është një vërejtje që ja kam bërë edhe ministres II në rastin e Zgërdheshit, ku përmendi (për herë të parë) prof. S. Islamin si zbulues të monumenteve të Zgërdheshit, por jo L. Papajanin, si restaurues të tyre dhe as E. Metën, si vazhduese e gërmimeve në një monument, ku Ministria e Kulturës është në nivelin korrëse ferrash. Po ashtu në rastin e Apollonisë ministres II nuk ia zuri goja emrin e H. Cekës si zbulues i tij. Ndoshta nuk i pëlqen partisë. Shqetësuese është se kjo filozofi e promovuar nga ministrja I për t’i mohuar arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë të drejtën e autorësisë mbi monumentet e zbuluara dhe që po ndiqet nga ministrja II, po sjell dëme të rënda në administrimin e trashëgimisë kulturore. Prapa kësaj arrogance injorantësh, që kujtojnë se dijnë gjithçka mbi atë trashëgimi, kur shkruajnë pa ju dridhur dora se promovuesi i parë europian i asaj trashëgimie, Eduard Lear, ishte hollandez, qëndron strategjia për të përjashtuar specialistët e mirfilltë shqiptarë nga çdo projekt ku ka para! Kjo sepse është provuar se ka qenës shumë më e lehtë për “specialisten” e zyrës së BE në Tiranë dhe kolegen e saj të IKTK që të derdhnin metro kub beton herë euro, plus metro linear tuba, plus metro katror pllaka shtrimi, me firma të partisë në pushtet, sesa të harxhonin një të tretën e tyre me rezultate të dukshme, nën drejtimin e arkeologëve shqiptarë e francezë, që punojnë prej njëzet vitesh në Apolloni.

 

Në Bylis, BE ka marrë vendimin për të dhënë 6 milion euro me qëllim për të ndikuar dhe në zhvillimin e krahinës. Një mundësi e artë, sigurisht, në kushtet kur flitet se nuk jemi në ditë të mira për arkeologjinë, një projekt që do udhëhiqet në rang ndërministror. Por nga zyra e ambasadorit Soreca duket se ka pasur përplasje, dhe ju keni deklaruar se “projekti i financuar nga BE po shkon drejt korrupsioni”…Çfarë parashikon ky projekt, dhe pse tek ju ka pasur kundërshtim të fortë?

 

Kam folur mjaft në media dhe kam shkruar për rrugën e gabuar që ka nisur   projekti më i rëndësishëm i BE në Shqipëri. E kam takuar personalisht z. Soreca dhe i kam thënë se Bylisi është rezultat i një pune 40 vjeçare të realizuar nën drejtimin e Institutit të Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave. Personalisht me një financim të deritanishëm prej rreth 10 milion euro nga qeveria shqiptare kam drejtuar gërmimin e gjithë monumenteve antike të Bylisit, me murin rrethues 2300 m të gjatë, teatrin për 7500 spektatorë, stadiumin me cisternën e tij unike në arkitekturën antike të vendit tonë, shëtitoren prej 144 m, nga më të mëdhatë dhe të bukurat e qyteteve antike, ashtu siç kolegu im S. Muçaj ka zbuluar pesë bazilika të zbukuruara me mozaikët më të ruajtur e më të bukur të Shqipërisë. I kam thënë se Instituti i Arkeologjisë drejtoi, së bashku me kolegë francezë, zbulimin e pesë bazilikave, të që ka ndërmarrë këto gërmime vazhdon punën në Bylis  nën drejtimin e një profesori tjetër, L. Përzhitës, ndërkohë që prej vitesh është ndërprerë puna restauruese nga Instituti i Monumenteve, e drejtuar dikur nga L. Papajani. Në mënyrën më civile i kam shpjeguar se përvoja e Apollonisë me shpërdorimin skandaloz të fondeve bujare të BE, ka qenë rezultat i koordinimit të moskompetencës së nëpunësve të tij me moskompetentët e Ministrisë së Kulturës dhe se nuk mund të ketë qenë e rastit përzgjedhja e kompanive klienteliste politike për implementimin e atij projekti. I kam thënë se si ishprokuror duhet t’i bëjnë përshtypje disa veprime të njerës nga bashkëpuntoret e tij, që ka marrë pjesë në një grup interesi në ndërhyrjet që i janë bërë Ligjit të Trashëgimisë kulturore, para se të kalonte në parlament, se ishte po ajo nëpunëse që vendosi arbitrarisht emrat e profesorëve të Institutit të Arkeologjisë në draftin e barkorrësve të Ministrisë së Kulturës, etj, etj,dhe se këto fakte mund të paraqiten një ditë edhe në SPAK. Në Shqipëri themi fol me atë gur, fol me atë mur!

Me z. Soreca kam edhe nje diskutim tjetër, që del jashtë caqeve të arkeologjisë dhe ka të bëjë me autointervistën e tij (besoj të bërë nga e njejta nëpunëse), të bërë sapo doli nga porta e ministres II, ku u diskutua mbi Bylisin. Natyrisht ajo intervistë drejtohej kundër vërejtjeve të mija, por shkon shumë më larg se aq, në shpërdorimin që i bën rastit të Bylisit, duke e barazuar me tenderat e BE për stallat e lopëve. Sipas tij niveli bazë për konkurimin e vendit të drejtuesit për menaxhimin e projektit Bylis është diploma master! Kjo, sipas tij lejon një pjesëmarrje të gjerë të konkuruesve, diçka që na sjell ndër mend parimin e rrolit marksist të masave. Pra, sipas ideologjisë progresiste të BE përvoja e profesoratit shqiptar me dyzet vjet gërmime në Bylis, që përfshijnë tre periudha të mëdha historike, me monumente të shumllojta, mozaikë, modele të ndryshme arkitektonike, skulptura, mbishkrime, monedha, qeramike e objekte  të periudhave të ndryshme, është e barabartë me buzëqumshtat e BE (apo partiakët gjenialë të IKTK!) të sapodalë nga universitetet. Teza e dytë e z. Soreca është se drejtuesit e projektit Bylis nuk mund të zgjidhen në bazë të reputacionit të tyre! Pra të keshë qenë zbulues i monumenteve të Bylisit, me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, si prof. N. Ceka, prof. S. Muçaj, apo prof. L. Përzhita je automatikisht i përjashtuar nga drejtimi i projektit për t’i lënë vend bilmezave që drejtuan shpërdorimin e fondeve në Apolloni, Finiq, apo Butrint. Pra sa më injorant të jesh, aq më europian konsiderohesh! Postulati i tretë i ambasadorit të nderuar është se formuluesit e termave të referencës nuk marrin pjesë në implementimin e tij, për shkak të konfliktit të interesit. Po lemë mënjanë dinakërinë e nëpunëses së tij për të vendosur emrat e profesorëve naivë në një dokument paçavure të Ministrisë së Antikulturës, që u trajtua si TOF nga zyra e BE në Tiranë, por a mund t’i shpjegojë ambasadori shqiptarëve se ku qëndron ky konflikt interesi dhe se çfar interesash kanë ata profesorë, përveç zbatimit më të mirë të atij projekti në një qendër antike, së cilës i kanë kushtuar së bashku 100 vjet nga jeta e tyre? Natyrisht këto pyetje retorike nuk kanë asnjë vlerë për një vend të autotrajtuar si i botës së tretë, ku gjithçka vendoset nga bisedat e parregjistruara midis ministres I dhe II dhe një ambasadori, që mendon se edhe profesorët më të ndritur shqiptarë nuk vlejnë në këtë vend aq sa anëtari më i fundit injorant  i partisë në pushtet. Në këtë llogore është ai, kur thotë se realizimi i projektit nuk synon të ndryshojë strukturat egzistuese. Pra lëre kënetën ashtu siç është, si në rastin e Apollonisë, ku pasi u avulluan 800 000 euro, nuk shihet të ketë ndryshuar asgjë; ku drejtuesi emrohet pa asnjë kriter shkencor dhe nuk ka asnjë program kualifikimi, ku turistët rrijnë nën diell, kalojnë në të njejtat rrëke, presin në rradhë në ËC e restorantit (Zyrës së BE nuk i dolën paratë për të bërë qoftë edhe një ËC për ta!) dhe zot na ruaj po të bjerë një zjarr në muze, sepse sistemi fantashkencor i antizjarrit është vetëm për të vaditur. Ky është problemi që i kam paraqitur z. Soreca, në detyrimin e deputetit të parë të opozitës që hyri në parlamentin shqiptar me programin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Kjo është arsyeja që kam kundërshtuar zbatimin e kësaj metodologjie të bazuar në racizmin kulturor edhe në Bylis, që në vend të na çojë drejt BE, na kthen në kohën e sulltan Abdyl Hamitit! Natyrisht shqiptarët mund të pyesin; kur zyra e BE bashkëpunon me qeverinë për t’i grabitur punën një arkeologu që ka qenë deputet, ministër, nënkryetar parlamenti, ambasador, çfarë mund ti bëjnë ata një studiuesi të thjeshtë shqiptar? Dhe, në fund të fundit, çfarë besimi mund të kemi tek ata se mund të bashkëpunojnë për një reformë në drejtësi?

 

Aktualisht, çfarë pune është bërë në Bylis?

 

Aktualisht në Bylis po punon vëtëm Instituti i Arkeologjisë, me një financim modest prej 5000 euro në vit, por që nuk na ka penguar që të jemi njëqind vjet para Zyrës së BE dhe Ministrisë së Antikulturës. Di vetëm që ajo nëpunsja e termave të referencës u nis një ditë së bashku me atë drejtoreshën me diplomë master të IKTK për në Bylis për të diskutuar atje TOR të përgatitura nga barëkorrësit e Bylisit, por humbën rrugën dhe mezi e gjetën se ku ndodhej Parku Arkeologjik. Kot nuk thonë që me të pyetur gjen Stambollin, por jo Brukselin!

 

Gjithashtu dime se, ka fonde nga BE për të orientuar profesionalisht të rinjtë shqiptarë, por në të vërtetë si është gjendja?

 

Në Institutin e Arkeologjisë nuk kemi dëgjuar për këtë program. Besoj së Zyra e BE na konsidern si “highqualified”! Pastaj tek dera e Institutit tonë nuk presin kompani ndërtimi të partisë në pushtet.

 

Si përfundim po përsëris një pyetje, shqetësim të juristit Agron Alibali se, a nuk do të ishte me vend që Qeveria, Kuvendi, Akademia e Shkencave, por edhe qytetarët, të ruajnë dhe të mbrojnë Parkun Kombëtar të Butrintit në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me Konventën e Parisit të v, 1972, dhe, pa humbur kohë, të mbështesin dhe të ndërmarrin nismën ligjore për abrogimin e të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë?

 

Këto janë detyra për një parlament serioz. Le të presim edhe ca!

 

Nuk mund ta anashkalojmë këtë bisedë pa përmendur se Sgarbi bëri një gabim kulturor, siç e keni vlerësuar ju, kush mund ta sqaronte këtë zotëri për “faktet” që tha për Bylisin?

 

Diskutimin me Sgarbin e quaj të mbyllur në planin kulturor, kur ai kuptoi se në Bylis kemi të bëjmë me një qytetërim paralel në boten e globalizuar helenistike të kohës. Pra kemi fenomenin e njohur edhe tek mesapet, lukanet, samnitet, etruskët dhe vetë latinët në Itali, që përvehtësojnë arritjet e kulturës helene në një stad të zhvillimit të tyre të brendshëm ekonomik dhe politik, duke ruajtur identitetin e tyre etnik. Ajo që është shqetësuese, është qëndrimi i Ministrisë së Antikulturës në anën e gabuar në këtë diskutim dhe mosrregjistrimi i asnjë përvoje. Ministrja I, ashtu si ajo II, nuk janë aq të ndërgjegjshme se të jesh ministër kulture do të thotë që të jesh së pari shqiptar. Unë shpresoj që ai diskutim, që pati më shumë interes ato ditë se sa çështjet jetike të kodit zgjedhor dhe eurobondit, të jenë një mesazh si për ministren II, ashtu edhe për zyrën e BE në Tiranë, se tek shqiptarët ka një ndjeshmëri shumë të lartë kur vjen puna tek identiteti kombëtar dhe se në atë identitet prejardhja Ilire ka një peshë të konsiderueshme. Pra, Albanian minds matter! standard.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.