Letra e 1948/ Koliqi zbardh bisedën me një funskionar të lartë në Itali, informacioni i DASH për shqiptarët në Amerikë

0
104

Kuvend letrash me miqtë, botuar  OMSCA-1 në 2012, ka pasur dy vëllime, një letërkëmbim i pasur i Mustafa Krujës dhe familjes Gjomarkaj, e prof. Zef Nekës, ku po ashtu në këtë letërkëmbim përfshihen edhe profesorëve të shquar të universiteteve të ndryshme të botës, njëkohësisht ndër personalitetet më të spikatura të jetës kulturore shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit. Gazeta “standard” i ka publikuar këto letra, me të drejtë ekskluzive, nga botuesi, përgjatë viteve 2013-2014, dhe tan i risjellim nga debati i hapur për çështjen Camaj-Koliqi. Në këto numra do të publikojmë letërkëmbimin që Kruja ka pasur me Koliqin, një epistolary që ka përfshirë datat 30 prill 1948 – 10 dhjetor 1958

 

 

 

 Pa nji koalicjon të forcave t’emigracjonit nuk e besoj se i a arrijmë (asnjâni grup) m’e vu n’udhë problemin shqiptar për zgjidhje.ja pse?

 

Kuvend letrash me miqtë, botuar  OMSCA-1 në 2012, ka pasur dy vëllime, një letërkëmbim i pasur i Mustafa Krujës dhe familjes Gjomarkaj, e prof. Zef Nekës, ku po ashtu në këtë letërkëmbim përfshihen edhe profesorëve të shquar të universiteteve të ndryshme të botës, njëkohësisht ndër personalitetet më të spikatura të jetës kulturore shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit. Siç thotë Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, kjo është një nismë e familjes për t’i paraqitur lexuesit të sotëm letërkëmbime të Tij me personalitete të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë. “Ideja, për të botuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, është nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si E. Koliqi apo K. Gurakuqi kanë shprehur për to”, thotë Eugjen Merlika, duke sjellë dy citime të Koliqit e të Gurakuqit.
Koliqi në revistën Shęjzat me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së M. Krujës shkruan se “Aty ku Mustafa, mendoj, arrin në përsosje letrare âsht stili epistolar. Ata qi patën fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun visar i paçmim i shqipes”. Nga ky letërkëmbim i Mustafa Krujës vjen atmosfera politike e mogracionit, ku “nji pjesë e udhëheqësve të t’cilit qenë angazhue thjesht për me kapë dollarë prej amerikanëve e s’tregonin as ma të voglin vullnet e zell për me organizue nji aktivitet konkret kundër regjimit të Tiranës”, shkruan prof.Ardian Ndreca në hyrje të vëllimit të dytë të “Kuvend letrash me miqtë”. Sipas tij në këto letra ndihet gjithnjë e më tepër, me kalimin e viteve besimi në rritje i Mustafa Krujës ndaj figurës së sovranit, “të cilin ai e trajton si nji element që mundet me favorizue bashkimin e të gjitha forcave politike jashtë atdheut”. Nga ana tjetër prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirësia për të bashkërenduar veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që i duhet të përballjë një grushti të vogël idealistësh atdhetarë që jeta “i ka hjedhë e shpërnda pa plang e pa shtëpi”.
Gazeta “standard” i ka publikuar këto letra, me të drejtë ekskluzive, nga botuesi, përgjatë viteve 2013-2014, dhe tan i risjellim nga debati i hapur për çështjen Camaj-Koliqi. Në këto numra do të publikojmë letërkëmbimin që Kruja ka pasur me Koliqin, një epistolary që ka përfshirë datat 30 prill 1948 – 10 dhjetor 1958

 

LETËRKËMBIM/ MUSTAFA MERLIKA – KRUJA ERNEST KOLIQI

 

 

Rapallo, 23.IX.1948

Via Aurelia Orientale,  45

 

I dashuni Mustafë,

 

Tekembrâmja kam rá në fashë në kët heshtje plot dritë të kalthërt të Rapallo-s dhe po mundem me u mbledhë nji herë mendt e me blue në qetësí përshtypjet e gjalla të verës, plot peritina, qi shkoi.

Me 14 gusht mbërrijta në Romë me nji bankjer sirian e u solla me të, aty e në Salsomaggiore e në Milan, deri me 3 shtatuer. Puna, për të cilën u dogja në diell të Misirit, dështoi kryekëput. Nxora vetëm shpenzimet e udhëtimit. Tue qënë se n’at punë kisha ngulë shpresa të mëdhaja për nji zgjidhje të përkohëshme të problemit t’amëshuem të familjes s’ime, lajmi i dështimit më ka tronditë dhe m’a ka lanë shpirtin mbushë me idhënim.

Prap njaty më 10 shtator u nisa për Romë e pardje kam këthye. Këtë herë pata rasë me bisedue mâ gjatë me Kapidanin, me Ismailin dhe me tjerë. Ndoshta, edhe për dobi të çâshtjes, s’âsht keq qi këtu me t’i tregue shkurtas disa përshtypje dhe idéna të mija.

Të lutme, gjithmonë merr parasŷsh ndryshimin e atmosferës s’Aleksandrís me atë të Romës. Jo pse unë u jap randësi thanethashavet të horave, por me të bâ me prekë me dorë ç’farë kandari përdoret aty dhe këtu. Po të kallzoj ç’opinione qarkullojnë në Romë. Në se atje dikush më paraqet si nji nxânës makiavelik jezuitësh qi në nji ânë flet për bashkëpunim dhe në  tjetrën këtë e saboton dhe e siluron, këtu (në Romë) thonë disa se i jam shitë Zogut dhe kam për qëllim të mshefët zhgatrrimin e Blokut.

Ti e din se atje unë mprova sinqerisht thezën e Blokut, pa tërthorzime; këtu fola çiltas për sa i përket nevojës së nji bashkëpunimi të përzëmërt me Legalitetin. Kemi fatin, këtu, qi âsht Kapidani, i urtë e i arsyeshëm. Nji fjalë e matun e tija vlen sa nji qind fjalime t’ona, qi e mbajmë veten të pajisun me kulturë akademike. Edhe Ismaili âsht i nderuem dhe peshon. Tjerët lëshohen, shumica, në hysterizëm e tash mbështetun në nji anë dhe të nesërmen pa kurrfarë vishtirsije në të kundërtën. Mjerisht Ekrem Libohova, njerí i ekuilibruem dhe ekuilibrues, âsht shtri në dyshek me nji smundje qi zor se ka për t’a falë. Por me forcue prirjet e njerzvet t’urtë i a arrini me kohë Xhafer Deva, i cili me energjinë e njoftun zhdavariti shum mosmarreveshje qi e kishin bazën në nji shitje t’ime hypotetike në treg të Zogut (Po t’u bânte shitja me peshë, nuk do t’ishte keq për mue….!? me tul qi më rrethon anëkand.).

Shkurt triumfoi tendenca e urtís e, mbas sodit, do t’i kushtohet i gjithë kujdesi afrimit, bashkëpunimit, besëlidhjes. Këto deshire laçë në Romë. Përgjegja e letrës së Legalitetit niset në këto ditë.

Pa nji koalicjon të forcave t’emigracjonit nuk e besoj se i a arrijmë (asnjâni grup) m’e vu n’udhë problemin shqiptar për zgjidhje. Deri tash ky ishte nji opinjon i emi, tashti âsht bâ aksiomë. E ja pse.

Gjatë qindrimit t’im në Romë prej 14 deri në 24 gusht, Ministria e Jashtme më kishte kërkue gjithkah. Më gjetën e shkova tash (me 14 shtatuer).

Nji funksjonar shum i naltë më tha:

“Si mbas fjalës qi ju dhamë në fund të majit, kjo Ministri âsht interesue pranë Departamentit të Shtetit për çâshtjen e juej. Departamenti i Shtetit na ka përgjegjë se pak gjâ din mbi problemin shqiptar, se ajo shka din âsht krejt negative: n’Amerikë i vetmi komb qi me mish e me shpirt mpron komunizmin janë Shqiptarët, këta në kët mënyrë kanë marrë nji rrymbë antiamerikane dmth. veprojnë kundra interesavet të vendit qi i hospiton; – asnji zâ kundërshtar s’ka dalë me thye kompaktecën e shumicës. Departamenti i Shtetit tregohet shkeptik dhe mbi seriozitetin e nji lëvizjeje refugjatësh antikomunista mbasi qi këta paraqiten krejt të dám. Me gjithë këtë do të pëlqehej nga Departamenti i Shtetit nji interesim i italjanvet, tue qenë se këta kanë eksperiencë në çâshtje shqiptare, i cili interesim të kishte për qëllim nji koalicjon të grupeve politike shqiptare n’emigracjon. Funkcjonari më siguroi se ai s’ishte i autorizuem të më thonte për t’i a tregue eksponentave shqiptarë të ndryshëm, natyrisht atyre qi s’e përhapin ndër kafehane por dijnë se ç’âsht diskrecjoni në të tilla punë delikate.

Po u realizue nji koalicjon ndërmjet shumicës së grupevet, pasaportat për Amerikë janë gati për delegatë dhe ndoshta shpenzimet e udhëtimit. Në rasë t’arrijtjes shtypi do të flitte – me shtytje të Departamentit të Shtetit. – mbi çâshtje shqiptare dhe nji antar i delegacjonit t’onë do t’u pranonte në Komitet formue nga eksponentat e vendeve danubiane-ballkanike robnue nga Sovjetët, komitet qi ka për kryetar  Mikolajcik  (burrë shteti polak). Si e  shef puna ka baza të shëndosha. Kam folë edhe për bursa e shefi i sekcjonit përkatës më ka premtue 10 (dhetë) për vjetin e ardhëshëm akademik. Për Koço Mukën dhe Ali Këlcyrën i kërkova visa-t dhe më premtuenë me i dërgue sa mâ parë.

Si e shef un këtu, n’at t’emen, jam përpjekë. Mos rrini pa punue ju atje. Koalicjoni i partive nuk duhet të trembi askënd, i vjen dobí çâshtjes së kundrueme në dritë të realizimit dhe qet jashtë e derrmon utopit qesharake të parvenu-vet në politikë.

Të fala të gjithë shokvet e ma fort posaçërisht Ago Agajt e Nexho Qorraliut

 

Të përqafoj.

Ernesti

 

Ka edhe gjana tjera por nuk mund të shkruhen me letër: duhet me punue për formimin e nji komiteti, pse munden me e bâ tjerët para nesh!

 standard.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here