Edhe strehimi jepet me koncesion, si do të përdoren PPP-të në sektorin më të ri…

0
84

Nevoja për strehimin e kategorive në nevojë që nuk përballojnë dot blerjen e një banese për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave apo të qenët në një grup vulnerabël ka qenë në rritje vit pas viti.

Por ligji për strehimin social, i miratuar pak vite më parë, synonte adresimin pikërisht të kësaj problematike, duke përfshirë një seri skemash për krijimin e stokut të nevojshëm të banesave për strehim social.

Një prej tyre ishte përfshirja në lejet e reja të ndërtimit e vlerës 3 për qind të sipërfaqes së ndërtimit, si fond që do të shkonte për strehim social.

Kjo mund të jepet në apartament ose në vlerë monetare, sipas preferencës së ndërtuesit. Një tjetër skemë është ajo e përfshirjes së koncesioneve në strehim.

Një konferencë online, e zhvilluar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE), dhe në bashkëpunim me “Housing Europe”, “UN-Habitat”, UNDP Tiranë dhe “Unioni për Mesdheun” u ndal pikërisht tek kjo tematikë.

“Politika Kombëtare mbi Strehimin në Shqipëri: Financimi për strehim të përballueshëm dhe roli i agjencive të strehimit” solli në vëmendje edhe mënyrën sesi mund të përfshihen koncesionet në sektorin e strehimit që ligji për PPP-të por edhe ai për strehimin social e parashikojnë.

Financat: Përdorimi i PPP në strehim, sfidat që sjell

Ministria e Financave dhe Ekonomisë përmes pjesëmarrëses së saj në këtë konferencë ka shpjeguar se përdorimi i PPP në sektorin e strehimit përbën, sfidë ashtu si përdorimi i tyre edhe në sektorë të tjerë.

“Elementi kryesor, i cili është një ndër faktorët vendimtarë për përcaktimin e vlerës për para në këto lloj projektesh, është parimi i ndarjes efektive të riskut, parim i cili mendojmë se duhet të jetë një ndër elementët bazë që duhet të mbahet parasysh nga personat e ngarkuar gjatë procedurës së lidhjes së kontratave në formën e PPP në fushën e strehimit social, procedurë e cila do të zbatohet në bazë të ligjit për strehimin social.

Ajo që do të sugjeronim të mbahet parasysh gjatë një procedure në fushën e strehimit social, e cila mund të zbatohet qoftë në bazë të ligjit për koncesionet dhe qoftë në bazë të ligjit për strehimin social është që personat e ngarkuar në zbatimin e tyre duhet të kenë njohuri të thelluara dhe një eksperience të gjatë në fushën e PPP-ve.

Kjo me qëllim hartimin e kontratave sa më mira, me detyrime të qarta dhe mekanizma përkatës mbrojtës në raport me risqet e identifikuar dhe alokuara.

Gjithashtu, ajo që do të sugjeronim që për hartimin e këtyre draftkontratave të merreshin për bazë aty ku është e mundur, draftkontratat me parashikime te standardizuara te cilat janë te publikuar ne faqen zyrtare te Bankës Botërore.

Duke qenë se këto kontrata mund të jenë afatgjata, me qëllim zbatimin efektiv të tyre dhe arritjen e një output sa më cilësor do të sugjeronim përcaktimin e klauzolave të forta monitoruese në kontratë si dhe struktura adekuate për monitorimin e zbatimit të saj” vlerësojnë Financat.

Tre opsionet e PPP-ve në strehim sipas ligjit, Bashkia e Tiranës nis aplikimin
Kështu sipas ligjit aktual për strehimin social përcaktohen tre opsione sesi mund të përdoren partneritetet publike private në sektor.

-Së pari financimi i ndërtimit nga subjekti privat në truallin në pronësi të Nj.Q.V-së, në këmbim të përfitimit nga kjo e fundit një përqindje të caktuar sipërfaqe ndërtimi.

Së dyti financimi i ndërtimit nga subjekti privat dhe shfrytëzimi si banesa sociale me qira për një periudhe kohe të përcaktuar në marrëveshje midis financuesit dhe Nj.Q.V-së . Për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin, të cilat do të realizohen sipas kësaj forme, kushtet e përgjithshme të marrëveshjes midis palës publike dhe asaj private, përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për koncesionet/partneritetin publik privat.

Referuar kësaj pike, projektet propozohen vetëm në formën e propozimeve të kërkuara.

Së treti bashkëfinancim i ndërtimit nga subjekti privat dhe Nj.Q.V-së nga buxheti i vet dhe/ose me mbështetje të buxhetit të shtetit, përkundrejt përfitimit të një numri banesash sociale dhe ose me kosto të ulët.

Aktualisht Bashkia e Tiranës ka nisur aplikimin e skemës së parë të PPP duke i dhënë në përdorim truallin subjekteve private për të përfituar nga ndërtimi final një pjesë të banesave.

Në prill të vitit të shkuar kjo bashki kaloi tek kompanitë Startek, Milo 2000, M.Petrela dhe Arlis Ndërtim një truall në pronësi të saj për të ndërtuar dhe zgjeruar ndërtimet që kanë nisur kompanitë në zonën aty pranë, ndërsa Bashkia do të marrë në këmbim 40% të sipërfaqes që mund ta përdorë për nevojat e saj si kopshte, çerdhe apo ambiente të tjera për strehim./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here