Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve, opozita e bashkuar kërcënon me destabilitet: S’i bindemi Ramës…

0
82

Opozita e bashkuar kërcënon me destabilitet pas vendimit të shumicës dhe opozitës parlamentare për të hapur listat dhe hequr koalicionet parazgjedhore. Opozita përmes një deklarate të përbashkët shprehet se i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës duke mos i njohur ndryshimet. Ndryshimet, që pritet që të vulosen në 30 korrik në Kuvend, opozita i cilëson si të njëanshme dhe tentativë për të prishur paktin e 5 qershorit.

Tentativa për prishjen e dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe  shoqëror të vendit.

Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës.

Opozita e Bashkuar është e vendosur ti shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri” thuhet në deklaratë.

Për PD-në, kjo është vetëm një hapje e pjesshme e listave duke rrëzuar alibinë e Edi Ramës, pasi qëllimi i tij është vetëm heqja e koalicioneve parazgjedhore.

Bie alibia, Rama nuk hap listat, por heq vetëm koalicionet parazgjedhore. Është zbardhur sot drafti i miratuar nga Komisioni i Ligjeve, ku PS ka bërë ndryshimet e saj në draftin e opozitës parlamentare. Në draftin e miratuar përcaktohet se listat e hapura shtrihen vetëm për 2/3 e listave, ndërkohë që 1/3 e listës caktohet në mënyrë të pandryshueshme nga partia.

“Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore” – thuhet në draftin e miratuar. Kjo nënkupton që nëse në Tiranë ka 34 kandidatë për deputetë, atëhere 11 kandidatë listohen nga partia dhe janë të pandryshueshëm, (pra lista gati fituese është e mbyllur), ndërkohë që qytetarët mund të zgjedhin nga mandati i 12 e në vijim.

Pra, nëse një parti politike fiton 15 mandate në Tiranë, atehere 11 janë në listat e mbyllura të partisë dhe të caktuar prej saj dhe vetëm 4 deputetë mund të zgjidhen nga qytetarët. Praktikisht pjesën fituese të listës e cakton partia dhe jo qytetarët. Kjo rrëzon alibinë e Edi Ramës se do të hapte listën, duke dalë zbuluar që qëllimi i vetëm i ndryshimit është heqja e koalicioneve parazgjedhore” deklaron PD-ja.

Provokim që sjell konflikt politik dhe që do të marrë përgjigjen e merituar. Kështu e cilëson nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho në një intervistë për Report Tv vendimin e Komisionit të Ligjeve dhe Legjislacionit për të miratuar ndryshimet kushtetuese që hap listat dhe ndalon koalicionet parazgjedhore.

Opozita ka dalë me një qëndrim zyrtar për këtë maskaradë që po ndodh pas marrëveshjes së 5 qershorit. Duhet të sqaroj që cështja e sistemit apo listave të hapura nuk është se opozita është kundër, por kemi një marrëveshje në 5 qershor. Tentativa e Ramës është provokim për të minuar këtë marrëveshje. Frika e Ramës nga zgjedhjet dhe koalicioni jo thjesht opozitar por i të gjithë qytetarëve.

Jemi për të diskutuar për sistemin zgjedhor, ok hajdeni ulemi sërish në tryezë. Duhet një debat i gjerë për sistemin dhe vendimmarrja u takon qytetarëve. Edhe për hapjen e listave që ka disa variante. Kjo nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Gjithë përgjegjësia është e atij kryeministri që minon marrëveshjen e 5 qershorit. Opozita do ta shprehin me votë revoltën. Kjo lojë aspak e drejtë e Ramës do të ketë përgjigjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Vendimmarrja e njëanshme dhe të gjithë këto përpjekje do të shkaktojnë një konflikt politik, kushtetues që askush nuk e dëshiron. Ky provokim do të ketë përgjigjen e duhur në momentin e duhur. Opozita e bashkuar do të marrë vendimet e duhura. Ky është një karshillëk që Rama u bën qytetarëve shqiptarë. Është vendosur në dijeni presidenti dhe ndërkombëtarët” tha ajo.

Megjithatë, pavarësisht se akuzon Edi Ramën se ndryshoi rregullat e lojës, Xhixho thotë se hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve nuk e penalizon LSI-në. “LSI nuk ka asnjë penalizim nga kjo, kemi kaluar 2009, pas marrëveshjes së 2008 dhe sfida të tjera. Problemi më pak i vogël është ku do të jetë LSI-ja, por ku do të jetë vendi” u shpreh ajo. Por a do të hyjë LSI-ja në zgjedhje? “As nuk diskutohet që ne do të hyjmë në zgjedhje dhe do të fitojmë bindshëm“.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here