Standard.al

Prokurori special Uilliamson ‘rrëfehet’ për akuzat ndaj Hashim Thaçit

0

Klint Uilliamson, Prokurori special që ka hetuar për akuzat e bëra nga Dick Marty, në një intervistë ekskluzive për SYRI TV, thotë se akuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit janë për individët, jo për UÇK-në.

BISEDOI: BLEDIAN KOKA

Le të nisim me aktakuzat e ngritura ndaj zotit Thaçi dhe Veseli. A janë ngritur këto akuza personalisht ndaj tyre dhe jo ndaj UÇK-së? Pra a janë ngritur këto akuza kundër tyre apo kundër luftës së UÇK-së gjatë konfliktit me Serbinë?

Në fakt nuk kam pasur mundësinë të shoh aktakuzën, nuk mund të flas për specifikat e akuzave, por aktakuza, çdo aktakuzë do të vinin nga Gjykata Speciale e Kosovës, ashtu sikurse ka ndodhur në çdo tribunal tjetër në të kaluarën, do të ngriheshin për individin. Si individ, jo si një organizatë.

 

Thaçi dhe Veseli kanë qenë udhëheqësit kryesor të UÇK-së. A hedhin dritëhije këto aktakuza mbi luftën që zhvilloi UÇK gjatë konfliktit?

Jo, ky është i gjithë kuptimi i Gjykatës Ndërkombëtare, si në rastin e Tribunalit të Jugosllavisë dhe Hagës, përpjekje që ndodhën në Gjykatën Shtetërore të Bosnjës, janë për të mbajtur përgjegjës individët në mënyrë që ti të mos fajësosh një grup të tërë njerëzish për krime që individët kanë kryer. Pra nuk është një çështje ku të gjithë serbët mbahen përgjegjës, apo të gjithë shqiptarët janë përgjegjës ose të gjithë kroatët, boshnjakët. Është për individë të cilët kanë luftuar në ushtri në grupe paramilitare, apo në polici ose në lidershipin politik të këtyre vendeve apo subjekte të ndryshme, të cilët janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për krime të ndryshme. Besoj se kjo është një veçanti e rëndësishme që duhet bërë, ky është edhe kuptimi i gjithë këtij procesi.

Ka një debat i cili po zhvillohet këtu edhe në Kosovë gjithashtu, për kohën e publikimit të këtyre aktakuzave kundër Thaçit dhe Veselit, pak orë para se Thaçi të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë ku pritej të niste një epokë e re negociatash mës Kosovës dhe Serbisë. A ka të bëjë koha e publikimit të aktakuzave me negociatat që priteshin të zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë? Në opinionin tënd…

Ajo çka unë mund të them për këtë çështje është se janë spekulime.  Nuk kam një njohuri të brendshme se cila ishte arsyeja që ndezi një njoftim të tillë në këtë kohë. Qartazi ka një sërë procesesh që duhet të ndodhin brenda gjykatës që përfshinë Zyrën e Prokurorit dhe gjykatësit për publikimin e çdo informacioni. Ajo çka mund të them është se ky proces është ndjekur, por cila ishte arsyeja e publikimit në këtë periudhë, këtë thjesht nuk mundem ta them.

Le t’i qëndrojmë thelbit të kësaj pyetje. A shihni ju publikimin e këtyre aktakuzave si një vendim politik kundër Thaçit, dhe Veselit, sidomos ndaj Thaçit para se ky i fundit të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë? Pra e shihni si një vendim politik, pasi zoti Thaçi, në daljen e tij të fundit foli për prapaskena të tilla?

Sërish do të thosha atë që thashë pak më parë. Nuk e di se cilat janë prapaskenat në këtë moment. Deklarata që u lëshua nga Zyra e Prokurorit komentoi faktin që ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të nënvlerësuar apo për të ndalur procesin. Pra nuk kam një vizion të qartë përtej deklaratës, dhe ashtu sikurse thash, për mua do të ishin thjesht spekulime nëse do të thosha se çfarë fshihej pas saj, dhe besoj se kjo do të ishte e papërshtatshme.

Fakti që të dy prokurorët janë amerikanë, a ka vend për një interpretim apo ata thjesht po bëjnë punën e tyre?

Nuk mund të flas për prokurorin aktual, Jack Smith, por mund të them se në kapacitetin tim, në kombësinë time, nuk e ka prekur aspak punën që unë kam bërë.  Kam punuar si prokuror në Shtetet e Bashkuara, si prokuror ndërkombëtar dhe kam shërbyer si ambasador i SHBA-së, dhe pavarësisht rolit që mua më jepet, duhet të jem besnik ndaj institucionit për të cilin unë punoj. Sa i takon Gjykatës Speciale të Kosovës, kjo është një gjykatë e themeluar nga Bashkimi Evropian në lidhje me Kosovën dhe përfaqësohet nga profesionistë të ndryshëm nga vendet e BE-së, ashtu sikurse edhe nga SHBA-të, Kanadaja dhe disa vende të tjera kontribuese. Megjithatë, njerëzit të cilët e bëjnë këtë punë, duhet ta lënë kombësinë e tyre mënjanë kur bën një punë të tillë…

Kur flet për drejtësinë…

Po… gjithçka bazohet në prova, fakte dhe ligji. Unë kam një konsideratë të madhe për prokurorin aktual, Jack Smith dhe besoj se ai është besimplotë për situatën aktuale.

Zoti Uilliamson, ju përmendët pak më parë CV-in tuaj, por ju keni qenë gjithashtu drejtori i Departamentit të Drejtësisë në Kosovë pas luftës. çfarë njohurish keni ju për aktakuzat e ngritura kundrejt Thaçit dhe Veselit? VITIN E KALUAR, në Bruksel, ju folët për natyrën e akuzave, se cilat ishin ato. Për çfarë e kishit fjalën?

Ka qenë në vitin 2014 kur unë publikova gjetjet tona paraprake të hetimit. Realiteti është se kanë kaluar tashmë gjashtë vjet që nga ajo kohë, ndaj nuk kam njohuri se cila është aktakuza aktuale, e cila është depozituar për konfirmim. Besoj se ajo që është e rëndësishme për t’u thënë është se këto aktakuza nuk janë konfirmuar ende ndaj nuk është ende zyrtar deri në momentin që ai proces të ketë përfunduar në gjykatë. Ajo për çfarë unë fola në atë kohë ishte se cilat ishin provat që ne kishim në dispozicion në 2014-ën.

Unë kam qenë në kontakt me pasardhësit e mi përgjatë këtyre viteve, por nuk kam folur për specifikat, të cilat ata kanë në dorë momentalisht, cilët janë dëshmitarët dhe cilat janë akuzat që ata po nxjerrin. Ajo çka mund të them unë për provat e 2014-ës, është se ato mund të kenë ndryshuar në mënyrë drastike në këto 6 vjet.

A mund të jenë mbledhur më shumë akuza apo mund të jenë shkatërruar? Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Mbase të dyja bashkë, natyrisht një në një periudhë gjashtëvjeçare mund të ketë dëshmitarë, të cilët nuk gëzojnë më shëndet të mirë, mbase janë ndarë nga jeta, ke njerëz të cilët vendosin të mos jenë më pjesë e procesit. Jam i sigurt se disa dëshmitarë që ne kishim në 2014-ën, nuk janë më pjesë e procesit. Në të njëjtën kohë besoj se kanë marrë dëshmitarë të ri, të cilët kanë informacione shtesë që ne nuk i kishim në atë kohë. Kur ti heton, kur ti flet me një dëshmitar, ata mund të tregojnë historinë e tyre, dhe shpesh herë ata mund të identifikojnë persona të tjerë të cilët mund të kenë informacione të ngjashme, më pas ti nis e flet me ata persona. Pra provat ndërtohen me kohën. Pra, ashtu sikurse thash, shuma e provave që ekzistojnë tani jam i sigurt që është ndryshe nga çfarë ka qenë në 2014-ën.

Përse merr 20 vjet për të formuluar provat kundër Thaçit dhe Veselit, dhe siç ju pyeta pak më parë, a paraqitet ndonjë rrezik që gjatë kësaj kohë provat të jenë anuluar apo zhdukur?

Sigurisht, ka kaluar një kohë e gjatë dhe fatkeqësisht, proceset e Gjykatave Ndërkombëtare kanë një tendencë për të qenë të ngadalta, këtë e kemi dëshmuar edhe me Tribunalin e Jugosllavisë kur u krijua në 1993-shin. Jam i sigurt se askush nuk e priste që të zgjaste mbi 20 vjet për të përfunduar punën e saj. Ka pasur vështirësi në çështjet e prokurorimit, e njëjta situatë edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Përgjatë këtyre viteve të fundit, njerëzit që ishin kriminelë nazistë, rojet e kampeve të përqendrimit, janë arrestuar 70 vjet pas kryerjes së krimeve. Pra ndonjëherë merr një kohë të gjatë për t’i bërë bashkë çështjet, për t’i nxjerrë individët para drejtësisë për krimet që ata kanë kryer. Sa i takon këtyre deklaratave për Kosovën, kanë qenë një sërë çështjesh që e kanë ndaluar procesin. E para, ishte se Juridiksioni i Gjykatave të Jugosllavisë përfundoi në duart e konflikteve të armatosura më 12 Qershor të 1999-ës. Çdo gjë që ndodhi më pas, doli jashtë juridiksionit të Gjykatës Jugosllave. Ks patur vështirësi në çështjet e prokurorimit brenda Kosovës nën UMNIK, EULEX, ka pasur probleme me ndërhyrjen politike, intimidim ndaj dëshmitarëve. Pra të gjitha këto çështje ngadalësuan procesin, por jam dakord që 20 vjet janë shumë si për ata njerëz të cilët kanë pretendime të tilla që u varen mbi kokë, dhe në veçanti, viktimat dhe të mbijetuarit, njerëz të cilët të cilët kanë humbur të dashurit e tyre si rezultat i këtyre krimeve.

Në njohurinë tuaj si drejtor i drejtësisë pas luftës në Kosovë, aktakuzat kundër Thaçit dhe Veselit, janë ngritur për veprimet e tyre gjatë apo pas luftës?

Sërish, nuk mund të flas për aktakuzat aktuale. Prioriteti në hetimet tona ishin ato të kryera pas konfliktit. Pra, sërish bazuar në provat e 2014-ës, shumica e tyre janë pas 12 qershorit të 1999-ës, edhe pse mendoj se ka pasur incidente edhe para kësaj periudhe, por nuk mund të them se çfarë ka në aktakuzat aktuale.

Zoti Uilliamson, a mendoni ju se Gjykata Ndërkombëtare po e trajton Kosovën në të njëjtën mënyrë si Serbinë? Rikujtojmë se Kosova ishte viktima, ndërsa Serbia agresori.

Jam i vetëdijshëm për këtë, e kam thënë edhe në deklaratën e gjetjeve. Kam qenë në Kosovë në 99-ën, kam parë se çfarë ka ndodhur aty, kam udhëhequr hetimet e Gjykatës Ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë, për krimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës. Kam qëndruar në Tiranë gjatë shumicës së bombardimeve, duke drejtuar zyrën e Gjykatës Ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë në Tiranë, duke folur më refugjatët nga Kosova, duke marrë deklarata të dëshmitarëve, mbledhje provash… Kam qenë aty përgjatë gjithë asaj vere, duke marrë pjesë në ekzaminimin e varreve masive. Pra e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur… Nuk ka as edhe një dyshim mbi faktet që kanë ndodhur gjatë asaj periudhe. Edhe pse mund të themi se Kosova ka qenë një viktime e agresionit serb, kjo nuk i justifikon krimet e kryera nga individë të cilët janë në shkelje të ligjit ndërkombëtar mbi luftën.

Edhe nëse vendi yt sulmohet dhe ti e mbron atë, kjo nuk të jep ty një licencë për të vrarë civilë apo të ekzekutosh të burgosur të luftës. Këto janë gjëra të ndaluara, qoftë vendi yt agresori apo mbrojtësi i agresionit.

A mund të supozojmë se këto që sapo përmendët janë aktakuzat e ngritura kundër Thaçit dhe Veselit?

Më fal, a mund ta përsërisni pyetjen?

Ju përmendët pak më parë disa krime që janë kryer gjatë luftës. A janë këto disa nga krimet për të cilat Thaçi dhe Veseli po akuzohen?

Nuk do të spekuloja rreth aktakuzës aktuale pasi nuk e kam parë dhe nuk dëshirojë të jap një përshtypje se kam njohuri të brendshme pasi nuk kamë.

Pyetja e fundit. Cila është e vërteta mbi deklaratën e fundit të senatorit zviceran zotit Dick Marty për trafikun e organeve gjatë luftës në Kosovë? Me sa mbaj mënd, ju e keni përmendur një fakt të tillë në një konferencë tuajën për shtyp…

Po e kam thënë. Ato ishin gjetjet tona në 2014-ën. Gjetjet tona në 2014-ën përbëheshin gjerësisht me gjetjet e Dick Marty gjatë pyetjeve të tij për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të BE-së. Por ashtu sikurse e thashë, gjatë asaj kohe, në 2014-ën, nuk besoja se kisha prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht. Ka pasur prova që ato gjëra kanë ndodhur, por niveli i provave ishte i pamjaftueshëm për ti ndjekur penalisht. Nuk mund të them se mbi cilat baza qëndrojnë provat aktuale sepse nuk e kam atë informacion. Megjithatë pozicioni im është i njëjtë me deklaratën që kam bërë në atë kohë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.