Kompanitë publike të energjisë pësojnë humbje 10 mln euro në janar-mars

0
113

Kompanitë publike të sektorit të energjisë rezultuan me humbje prej 1, 3 miliard lekësh (10,2 mln euro) në 3-mujorin e parë të vitit 2020, raportoi Ministria e Financave.

Të ardhurat pësuan një rënie prej 1.2 miliard lekësh ose 5.9 për qind, ndërkohë që, shpenzimet janë rritur me 159 milion lekë ose 0.7 për qind. Për pasojë rezultati financiar për këtë tre mujor është negativ. Konkretisht sektori rezulton me humbje prej rreth 1.3 miliard Lekë.

Ministria e Financave raporton se, një rol të konsiderueshëm në rezultatin e sektorit ka Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE sh.a. Për tre mujorin e vitit 2020, referuar të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave OSHEE ka rezultuar me humbje 1 miliard Lekë. Kjo situatë pritet të vazhdojë edhe në muajt në vijim duke konsideruar efektin që do të ketë periudha e pandemisë Covid-19 në ndryshimin e strukturës së konsumit të energjisë elektrike.

Sipas buxhetit të vitit 2020 të OSHEE sh.a të ardhurat pritet të jenë rreth 54.6 miliard Lekë dhe rezultati i pritshëm vjetor të jetë me një fitim prej 3.7 miliard Lekë.

Niveli i pritshëm i arkëtimeve për vitin 2020 është 97 për qind e shumës së faturuar dhe humbjet parashikohet të jenë 21 për qind.

Sipas parashikimeve më të fundit të KESH sh.a dhe OSHEE sh.a ,deri në fund të vitit 2020 pritet që energjia e parashikuar që do të sigurohet nga KESH sh.a për OSHEE sh.a do të jetë në nivelin e 3.95 Gwh megjithëse sipas raporteve të OSHEE sh.a kjo sasi pritet që të reduktohet në 3.3 Gwh.

Importi i energjisë, sipas përllogaritjeve të OSHEE, do të jetë rreth 788 MWh me një çmim prej rreth 8.630 Lekë/MWh , me një kosto totale prej 6.8 miliard lekë.

Të ardhurat e parashikuara nga shitja e energjisë priten në masën 54.6 miliard lekë, ose 1% më të ulëta se plani i në 2019 ose 5.4 miliard Lekë më të ulëta se të ardhurat faktike të vitit 2019 të cilat rezultuan 57.7 miliard Lekë.

Ministria e Financave analizon se, kjo situatë mund të sjellë vështirësi financiare kryesisht për OSHEE sh.a, pasi këtë mungesë do të duhet ta përballojë me energji të siguruar në tregun e lirë të energjisë, me çmim shumë herë më të lartë se sa ai me të cilin e siguron nga KESH sh.a.

Gjithashtu situata e krijuar pas gjendjes së emergjencës për fatkeqësinë natyrore të muajve të fundit pritet që ti shkaktojë një humbje prej rreth 1 miliard Lekë e cila mund të thellohet nëse periudha e rikthimit në gjendjen normale do të zgjasë më gjatë.

Kushtëzuar nga situata e pafavorshme hidrike e vitit 2019, situata financiare në të cilën gjendet kompania dhe sektori, si dhe periudha në të cilën po kalon vendi, Ministria e Financave kërkon rivlerësim të pozicionit financiar, duke konsideruar zhvillimet e pritshme në prodhimin vendas të energjisë. Gjithashtu kërkohet rishikim me ulje i planit të investimeve për vitin 2020. /Monitor/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here