Kodet e Hashim Thaçit në deklaratën e tij para Hagës!

0
111
*

Nga Enver Bytyçi

Presidenti i Kosovës të martën e kaluar u është drejtuarve qytetarëve të vendit me qëllim që të njoftojë se të hënën e ardhshme do të shkojë për intervistë në Hagë. Por kjo deklaratë nuk ka tiparet e një informacioni që Hashim Thaçi dëshiron ta ndajë më qytetarët e tij. Ajo ka shumë dritë-hije. Kryesore është se zoti Thaçi nuk dëshiron të njoftojë publikun se çfarë përbën kjo intervistë. Kush e organizon dhe kush e zhvillon atë? Cila do të jetë përmbajtja dhe tematika? Ai nuk na thotë nëse paraqitet në Gjykatën Speciale si i akuzuar apo si dëshmitar, apo si “opinionist”?! Me cilën këmishë do të shfaqet para prokurorit apo gjykatësit special? E ndërkohë nuk na tregon nëse janë njëri ose tjetri apo të dy këta si intervistues. Të gjitha këto ai i le në hije qëllimisht, sepse nuk dëshiron të plasë debati nëse “Hashim Thaçi duhet të shkojë në Hagë si qytetar i Kosovës dhe ish-komandant i UÇK-së, apo si president në detyrë i Republikës së Kosovës”. Megjithëse ky është problemi themelor me të cilin ballfaqohet Kosova, doja të analizoja dy pjesë të komunikimit të zotit Thaçi me qytetarët e tij. Së pari, ai thoshte të martën e shkuar se “Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Çdo kujt i lindin disa dilema lidhur me këto perifrazime: – Çfarë kupton zoti Thaçi me unitet qytetar? Unitet në projektet e tij për zhbërjen e gjykatës speciale e për faljen e krimeve të luftës (pasi s’ka çka kërkohet përgjegjësi pas 20 viteve, siç shprehet mentori i tij, Baton Haxhiu?! Unitet qytetar për ta këmbyer miqësinë me dikë me ndarjen e Kosovës, pra me faljen e pasurive dhe territoreve të veriut Serbisë?! Pse zoti Thaçi u flet qytetarëve të vendit të tij vetëm për “suksesin” e projektit të Vuçiç, mbështetur prej tij dhe Edi Ramës dhe asnjëherë nuk flet për koston e këtij “suksesi”?! Por ai gjithashtu spekullon kur flet për miqësi me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse projektet e tij të larpërmendura kundërshtohen ashpër nga vendi kryesor i BE-së, Gjermania. Dhe një projekt që shkon në kundërshtim me Europën dhe interesat e saj nuk mund të çojë në një miqësi me BE-në. Nga ana tjetër në SHBA shumica e administratës dhe politikës është kundër projektit Thaçi-Vuçiç-Rama bazuar në tri komponentët që i lanson zëdhënësi i përbashkët i tyre, Baton Haxhiu. Zoti Thaçi bën thirrje për stabilitet të institucioneve! Po cilin stabilitet e të cilave institucioneve?! Të qeverisë së krijuar në Beograd me Listën Srpska?! Të një parlamenti që në vend të respektojë vullnetin e zgjedhësve, respekton vullnetin e Hashim Thaçit?! Të një presidenti në ikje, të cilin tashmë e kanë bojkotuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë?! Institucionin e një presidenti që për interesat e Rusisë dhe Serbisë prej tri vitesh po e bën lëmsh politikën shqiptare në përgjithësi dhe atë kosovare në veçanti?! Besimin e vendos vota e qytetarëve dhe përkushtimi i të zgjedhurve për mbrojtjen e Kushtetutës, të integritetit territorial e sovranitetit shtetëror, si dhe për rritjen e vazhdueshme të mirëqenies ekonomike, financiare dhe sociale të njerëzve që qeverisen! Nëse këto nuk ndodhin, atëherë nuk ka as besim, e për pasojë as stabilitet institucional! Tani që Thaçit i duhet stabiliteti institucional, thërret me të madhe për këtë, sepse me këtë aksiomë ai dëshiron të ruajë trashëgiminë e tij politike në Prishtinë, gjithnjë në interes të Beogradit! Por kur Kosovës i duhej në kulmin e pandemisë ky lloj stabiliteti, zoti Thaçi bëri të kundërtën, e shkatërroi stabilitetin institucional. Sigurisht jo vetëm! Së dyti, presidenti i Kosovës në deklaratën e tij u bën edhe një thirrje bashkëluftëtarëve të tij, kur thotë se “Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”. Në këtë pasazh unë zbuloj delirimin e zotit Thaçi. As ai, njësoj si Rama nuk i shpëton delirit të madhështisë! Ndaj fatin e tij e barazon me fatin e Kosovës! Ndërkaq më duhet të them se shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit ishte fat për Kosovën, ishte shpëtimi i saj! Përkundrazi, nëse Hashim Thaçi nuk do të kishte shkuar në Hagë, Kosova do përballej me sfida të rrezikshme e të rënda! Ndaj unë i lutem çdo ditë atij vendimit, qoftë dhe politik, të prokurorit special, i cili për ta shpëtuar Kosovën nga gërshërërt e Serbisë, ia ndaloi Hashim Thaçit të bëhet bashkëppromovues i ndarjes së saj! Dhe kur thuhet se akuza ndaj Thaçit ishte dhe mbetet fat për Kosovën, kjo nënkupton se thirrja e tij në Hagë është edhe mundësi e artë për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Hagë do të përballen me drejtësinë individët që akuzohen për krime dhe jo UÇK! Prandaj asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka pse ndihet bashkëfajtor me Thaçin, siç ai u bën thirrje në këtë promemorje! Për të gjitha këto arsye besoj se dita e hënë do të jetë një ditë e bekuar për Kosovën, edhe pse jo për Thaçin. Por do të jetë gjithashtu një ditë e zezë për institucionet e Kosovës, nëse Hashim Thaçi shkon para akuzës i veshur me petkun e presidentit të vendit. Bota do të thotë se “Në Hagë u paraqit presidenti i Republikës së Kosovës”! Nuk do të thotë se atje u paraqit Hashim Thaçi, ose ish-presidenti! Ndaj mendoj se zoti Thaçi, nëse nuk jep dorëheqjen, edhe në ditën e lamtumirës dëshiron ta ndëshkojë vendin e tij! Dhe kur këtë e bën presidenti, kujt mund t’ia kërkojmë të keqen?!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here