Standard.al

Hendeku gjinor i korrupsionit, vetingu shkarkon më shumë burra se gra

0

Në qershor 2019, një gjyqtare Apeli e dëgjoi mes lotëve vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi në detyrë. Lotët vazhduan t’i rridhnin edhe pasi doli nga salla dhe eci në këmbë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në stacionin e autobusit – diçka e rrallë për magjistratët që zakonisht priten jashtë Pallatit të Kongreseve nga të afërm me makina të shtrenjta.

Gjyqtarja u përball me një proces rivlerësimi që u fokusua kryesisht te veprimet e ish-bashkëshortit të akuzuar për korrupsion. Gruas iu desh të provonte gjatë procesit se divorci kishte qenë serioz. Vetë gjyqtares nuk iu vunë në dukje probleme.

Ajo nuk është e para magjistrate që thirret para KPK-së dhe i kërkohen shpjegime për pasurinë apo veprimet e bashkëshortit para e pas martese apo të babait. Ndërkohë, e kundërta ka qenë më e rrallë. Numri i magjistratëve burra që janë detyruar të japin shpjegime për pasurinë e bashkëshortes mund të numërohet me gishtat e një dore.

Edhe numri i grave magjistrate që gjenden me probleme nga procesi i rivlerësimit në tërësi është më i vogël se ai i burrave. Sipas një analize të BIRN bazuar mbi 199 vendime të marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri në qershor të këtij viti, numri i grave magjistrate që shkarkohen për shkak të problemeve me pasurinë, profesionalizmin ose pastërtinë e figurës është 22 për qind më i ulët se ai i burrave.

Të dhënat tregojnë se ka një hendek gjinor në abuzim apo përfshirje të dyshuar korrupsion me gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut. Megjithatë, ekspertet janë të kujdesshme për mënyrën se si duhet të lexohen këto të dhënat, ndërsa më shumë se sa gjinisë ia veshin diferencën roleve që kanë gratë dhe burrat në shoqëri dhe strukturës së kësaj të fundit.

Elona Dhembo, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe autore e studimit “Përkatësia gjinore dhe korrupsioni në shërbimin civil”, ndan tre faktorë që mund të shpjegojën diferencën, raportin e ndryshëm të gjinive me rrezikun, mungesën e grave në atë që i uqan “klubet e ujqërve të vjetër” dhe pritshmëritë e ndryshme të shoqërisë ndaj grave e burrave.

Ndërkohë Marsela Dauti, studiuese në Universitetin e Upsalas në Suedi, thotë se e sheh diferencën si “simptomë e një sistemi që ka ushqyer më tepër me pushtet e privilegj, (për) grupin që historikisht ka dominuar”.

Megjithatë, jo të gjithë hulumtueset e korrupsionit dhe çështjeve gjinore i japin peshë të dhënave që vijnë nga vetingu dhe vlerën e provës që kanë këto statistika për të studiuar fenomenin.

Adela Halo, doktore shkencash në Universitetin ‘Queen Mary’ në Londër, e cila ka eksperiencë në studimin e korrupsionit si pjesë e organizatës Transparency International, tha se të dhënat duheshin marrë me rezervë.

“Duke qenë se integriteti dhe besueshmëria e vetë procesit të vetingut është vënë në dyshim në disa raste serioze, edhe statistikat e procesit duhen marrë me një dozë të mirë rezerve”, tha Halo.

Hendeku gjinor

Procesi i vetingut filloi me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në verë të vitit 2016. Ai është një proces administrativ, që vlerëson magjistratët apo kandidatët për vende në sistemin e drejtësisë bazuar në tre kritere: pasurinë, figurën dhe profesionalizmin.

Tre institucione janë ngritura për këtë proces, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si shkallë e parë administrative, Kolegji i Posaçëm i Apelimit që shqyrton ankimet dhe Komisionerët Publikë, që mund të ankimojnë vendimet e KPK-së nëse kanë dyshime. Ato monitorohen nga një trupë gjyqtarësh e prokurorësh të huaj njohur si Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM.

Shkarkimi i magjistratit parashikohet në nenin 61 të ligjit 84/2016  dhe për të mund të vendoset për pesë arsye që përfshijnë; deklarimin e më shumë se dyfishin e pasurisë që mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, kontaktet me krimin e organizuar apo kontaktet e papërshtatshme, deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, paaftësinë dhe në pikën e pestë “cënimin e besimit të publikut te drejtësia”.

Sipas statistikave të KPK-së shumica e magjistratëve testohen në të tre kriteret, por shkarkimi siç ka vërejtur BIRN është bazuar kryesisht te problemet në kriterin e pasurisë dhe pikën tre të nenit 61 të ligjit 84/2016 – “deklarimin e pamjaftueshëm” të saj.  Shkarkimi për “pamjaftueshmëri të deklarimit në kriterin e pasurisë” gjendet gati në të gjitha rastet edhe kur shkarkimi është bërë për më shumë se një arsye.

Për mënyrën se si zhvillohet procesi, në të cilin magjistratët janë të detyruar të sjellin prova dhe dëshmojnë të kundërtën e akuzave para të cilave vihen, ata nuk ngarkohen me përgjegjësi penale.  Shkarkimi në këtë sens nuk mund të barazohet me korrupsion, por gjasat janë që të ketë një abuzim me detyrën, fshehje të ardhurash e shkelje të ngjashme.

Të dhënat statistikore për shkarkimet janë nxjerrë nga vendimet e KPK, dhe vendimet finale në KPA. Ndërkohë një raport të ngjashëm gjinor ka edhe në ankimet e Komisionerit Publik.

Të dhënat tregojnë që burrat janë më të prekur se sa gratë nga shkarkimi. Nga totali i 199 gjyqtarëve e prokurorëve të rivlerësuar, 93 ose 47 për qind e magjistratëve që janë përfshirë në proces janë shkarkuar.  Por norma e shkarkimit te burrat është 54 për qind. Kështu nga 136 magjistratë burra 73 janë shkarkuar. Ndërkohë në 63 magjistrate gra që iu nënshtruan procesit, janë shkarkuar 20 ose 32 për qind.

Edhe pse nuk ka të dhëna statistikore nga vëzhgimi i procesit problemet e një pjese të grave të shkarkuara lidhen me personat e lidhur – kryesisht me bashkëshortët dhe në disa raste me baballarët.  Në këto të dhëna nuk janë marrë në konsideratë dorëheqjet dhe largimet nga sistemi për shkak të daljes në pension.

Statistikat po ashtu tregojnë për një sistem që ka qenë dhe është përgjithësisht i dominuar nga burrat. Sipas të dhënave të siguruara nga ILDKPKI nga 735 magjistratë – gjyqtarë dhe prokurorë, që ishin në listë për tu rivlerësuar 62 për qind ishin burra dhe 38 për qind gra.

Në total në gjykata në rolin e gjyqtarit janë 55% meshkuj dhe 45% femra, diferenca në prokurori janë më të thella.  Në rolin e prokurorit 72% janë meshkuj dhe 28% femra.

Po ashtu është e dukshme se sa më lart në sistem aq më i madh është hendeku gjinore. Gjykata e Lartë, para procesit të vetingut ka pasur vetëm 23 për qind të gjyqtareve gra. Pas vetingut gjykata ka vetëm 3 anëtarë – të tre burra, por procesi për plotësimin e saj është ende mjaft larg.

E ngjashme ishte situata në Kushtetuese, në të cilën vetëm 2 nga 9 anëtarët, ose 22 për qind, ishin gra. Këtu procesi i rivlerësimit dhe riformimit e ka përmbysur këtë situatë. Gjykata ka 4 anëtare dhe të katra janë gra.  Po ashtu institucionet kryesore të rivlerësimit dominohen nga gra. Saktësisht 9 nga 12 komisionerët e KPK dhe 4 nga 7 gjyqtarët e Kolegjit.

Diskutimi mbi të dhënat

Shifrat si më sipër ishin të qarta për pedagogen Elona Dhembo dhe studiuesen Marsela Dauti.

“A ka diferencë gjinore në këtë rast? Po! Këtë na e vënë në pah shifrat dhe ato janë kokëforta. Madje këto rezultate janë mëse të pritshme dhe aspak surprizuese”, tha Dhembo, që lidhi këto të dhëna me studimet në shërbimin civil, polici e gjetkë.

Ngjashëm Marsela Dauti, kërkuese në universitetin e Upsalas në Suedi dhe autore e një  studimi për rolin e grave në nxitjen e transparencës në këshillat bashkiakë, i sheh të dhënat si dëshmi që magjistratët burra janë më të korruptuar.

“Është e qartë nga të dhënat që burrat, statistikisht, kanë më shumë gjasa të shkarkohen për shkak të mospërmbushjes së kritereve”, tha ajo.

Dauti vuri në dukje se mënyra se si ishte ngritur procesi dhe kriteret e rivlerësimit ishin një mundësi e mirë për të kuptuar nëse kishim apo jo diferenca gjinore në korrupsion apo abuzim me detyrën.

“Teorikisht, kriteret që kanë drejtuar procesin e vetingut – si për shembull legjitimiteti i krijimit të pasurisë – na japin mundësinë të kuptojmë në mënyrë objektive nëse ka patur shpërdorim të interesit publik për qëllime private”, tha ajo.

Përndryshe studiuesja Adela Hado tha se kishte rezerva mbi statistikat që dalin nga vendimet e institucioneve të vetingut.

“Thënë ndryshe, një proces i kontestuar nuk mund të prodhojë statistika te besueshme”, tha Halo.

Ajo vuri në dukje se ndërsa ishin shkarkuar shumë magjistratë me pasuri të pajustifikuar, kishte të tillë të konfirmuar në detyrë dhe janë penalizuar disa raste jo-problematike në dukje.

Halo po ashtu shtoi se hendeku mes magjistratëve burra dhe gra për sa i përket korrupsionit edhe nëse ishte e tillë nuk kishte të bënte me gjininë.

“Për më tej, e gjej problematike idenë se dallimet morale burojnë nga dallime natyrore mashkull-femër,” tha ajo.  “Si burrat si gratë, në çdo sektor profesional, operojnë brenda një konteksti kulturor”, shtoi Halo.

Njësoj Dhembo vuri në dukje se diferencat nuk mund t’i atribuoheshin natyrës. Sipas saj studimet kishin treguar se sa më lart të shkohej në shkallët e pushtetit aq më e vogël ishte diferenca mes dy gjinive.

“Pra identiteti gjinor në këtë rast kryqëzohet edhe me pushtetin, dhe mesa duket, sa më shumë pushtet aq më shumë dobësohet “magjia” e përkatësisë gjinore”, tha ajo.

Pritshmëritë dhe aksesi te rrjeti i korrupsionit

Studieset shprehen se ka një mori arsyesh që mund të prodhojnë këtë diferencë. Halo thotë se në një ambient ku burrat promovoheshin pavarësisht meritës dhe abuzimit, një grua duhej të punonte “shumëfish për të afirmuar veten edhe për të eliminuar çdo justifikim penalizues, si për shembull abuzimi me detyrën”.

Dhembo shpjegoi se shihte tre arsye në hendekun që del nga të dhënat e vetingut. Sipas saj së pari kjo mund të lidhet me raportin e gjinive me rrezikun, duke qenë se korrupsioni e ka riskun e ndëshkimit. Ajo shpjegon se djemtë nxiten të ndërmarrin më shumë risqe në jetë.

Po ashtu sipas saj të rëndësishme janë dhe pritshmëritë e ndryshme ndaj gjinive.

“Pritshmëria që gratë të jenë më “të ndershme”, “më punëtore”, “më të shtruara” ngre stekën e vlerësimit për performancën e tyre dhe shton ashpërsinë e ndëshkimit”, tha Dhembo.

Përndryshe ajo tha se korrupsioni duhej të shihej si kulturë më vete dhe përfshirja në të kërkonte qasje në rrjete të caktuara që ta mundësonin dhe të jepnin mbrojtje. Gratë sipas saj kishin akses më pak në këto rrjete.

“Thënë më shkurt janë më të pakta dhe më të reja në lojë!”, shtoi Dhembo.

Edhe Marsela Dauti beson se shpjegim për hendekun e vërejtur në veting mund të shërbenin rrjetet shoqërore e politike në të cilat burrat kishin më shumë akses.

“Këto rrjete përdoren në mënyre aktive për të bërë favore e përfituar. Rrjetet krijojnë një lloj “imuniteti’”, tha Dautaj.

Ajo tha se gratë i krijonin lidhjet në këto rrjete kryesisht përmes partnerëve apo babait.

Ndryshe për Halon rrjetet e tilla funksionojnë njësoj si për gratë dhe për burrat.

“Nëse lidhjet dhe influencat politike apo shoqërore ofrojnë imunitet në një shoqëri, atëherë si gratë si burrat pjesë e rrjeteve të mbrojtura do të kenë një motivacion më shumë për të apo për tu korruptuar”, tha ajo.

Nga ana e saj Elona Dhembo tha se studimet, përtej Shqipërisë, kishin dëshmuar një “korrelacion midis shkallës së korrupsionit dhe pabarazive gjinore”. Sipas saj shoqëritë që kanë korrupsion në nivele të larta janë ato që manifestojnë edhe pabarazi gjinore më të thella.

Sipas saj pavarësisht se nuk ka prova që të na tregojnë “se gratë janë ‘natyralisht’ më pak të korruptueshme se burrat, ka evidencë që na tregon se ato në përgjithësi tentojnë të jenë më pak të përfshira në korrupsion”.

Dhembo vë në dukje se një përfshirje më e madhe e grave në jetën publike është një mundësi për tu “shëruar” pjesërisht nga korrupsioni.

“Edhe nëse kjo nuk ndodh (në shkallën) që presim, të paktën do çojë në një shoqëri më të barabartë që, siç na tregon  shkenca, gjasat janë të larta të shoqërohet me ulje të korrupsionit”, përfundoi ajo./BIRN

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.