Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi pas rreth dy javësh nga shpallja zyrtare e procedurës në një aktivitet të posaçëm garën për rrugën Milot-Fier. Në objekt të kontratës do të jetë “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar- Luzi i Vogël- Fier”. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe me kontratat të mëparshme të bëra publike(rasti më i fundit Aeroporti i Vlorës që ka mbetur pezull) shteti ka marrë përsipër të garantojë trafikun e munguar në këtë seksion rrugor.
Sipas dokumenteve qeveria është angazhuar që të garantojë maksimalisht 121 milionë euro për konceisonarin për 17 vitet e para të operimit nga vitit 2024 që parashikohet të jetë viti i parë deri në vitin 2040 teksa të ardhurat bazë përgjatë kësaj periudhe janë vlerësuar 1.7 miliardë euro. Konceisoni ka nje afat 35 vjecar por trafiku do te garantohet per me pak se gjysmen e viteve te operimit. Kjo është garancia maksimale që ka vlerësuar qeveria në dokumentet e saj dhe si kriter përzgjedhës për operatorin do të funksionojë skema se kush do kërkojë më pak garanci nga shteti.
“Koncesionari (fituesi i procedurës se konkurimit) mund të mbështetet nga Shteti, deri në shumën (e Garancisë) përcaktuar në ofertën e tij. Koncesionari mund ta marrë këtë “shumë mbështetëse për garancinë” përgjatë periudhës se Koncesionit dhe mbulon nga viti i pare i operimit deri ne 2040 – vjetore. “Shuma totale për garancinë”’ nuk mund të tejkalojë vlerën 121.324.770 Euro” thuhet në dokumente.
Qeveria ka parashikuar që kjo pjesë pra e garancisë së shtetit të ketë edhe shumicën e pikëve kur vjen puna tek vlerësimi i ofertës financiare me plot 40 pikë.
Sa i takon elementëve të tjerë të ofertës financiare Garancia e nivelit fillestar (nën nivelin e te ardhurave baze shteti nga viti i pare i operimit deri ne 2040) vlerësohet me 20 (Njëzet) pike.
“Çdo Ofertues ka të drejtë të përfshijë një “shumë mbështetëse për Garancinë” nga shteti në ofertën e tij. Ofertuesi mund të përcaktojë “nivelin fillestar” në bazë të së cilit mund të kërkojë një pjesë të “shumës mbështetëse” në lidhje me të ardhurat për çdo vit. Kjo do te shprehet si përqindje % sic parapërcaktohet ne tabelën e mëposhtme si baza shtetërore e te ardhurave. Për shembull, nëse një ofertues ofron -10% te te ardhurave të raportuara do të fitojë më shumë pike se një tjetër që ofron – 5%” thuhet në sqarimin e MIE.
Shkalla e tarifës për kilometra për automjet konsiderohet elementi i tretë i ofertës financiare dhe maksimalisht është lënë në nivelin 00.75 euro/km. “Ofertuesi me tarifën më të ulët të kategorisë 2 (dy) “Automjete te lehta, do të vlerësohet me më shumë pikë, ku 0.075 eur/km është niveli maksimal. Cdo oferte mbi nivelin maksimal (0.075 eur/km) do te s’kualifikohet” vlerëson MIE./MONITOR