‘Shteti i shpartalluar’

0
86

Nga Vili Minarolli, ish-ambasador

Nuk e pata të lehtë për ta vënë këtë titull. Në fund të fundit po shkruaja diçka për vendin tim. Mendova në fillim ta titulloja: “Shteti informal”, por m’u duk se nuk e shprehte atë dimension që kisha menduar për përmbajtjen. Kjo do të thotë, së pari, ne ta kemi shtetin në funksion, por me disa elementë jo normalë ashtu siç ndodh edhe në jo pak shtete të tjera. Pastaj më shkoi në mendje ta titulloja “Shteti inekzistent”. Përsëri ndryshova mendim, se nga ana formale, ne jemi shtet që e kemi një vend në listën e OKB-së. Kemi përfaqësi diplomatike dhe organizma ndërkombëtare që na monitorojnë, jemi anëtarë në organizma europiane, por jemi dhe anëtarë të Nato-s, pavarësisht se ndonjëherë aerodromet i kemi vënë në dispozicion të krimit të organizuar për transport droge apo kemi nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit radarët që monitorojnë detin, aq kohë sa trafikantët të mund të dërgonin ngarkesat me drogë nga ana tjetër e detit, që më pas të shpërndahet në Europë. Më shkuan në mendje edhe tituj të tjerë si “shteti në tranzicion”, por hoqa dorë menjëherë, sepse edhe pas tridhjetë vjetësh nuk i dihet fundi dhe ndoshta dikush mund të thotë se edhe kështu mund të ecet. Pastaj mendova se mund ta titulloja: “shtet i brishtë”. Në fakt ky titull m’u duk disi më afër të vërtetës tonë dhe dëshirës të shtetarëve tanë, sepse i bën të tjerët të ndjejnë keqardhje, kur të ndodh një fatkeqësi natyrore si tërmeti i nëntorit i vitit të kaluar, që gjithçka e pret nga jashtë me dorë të nderë, sepse vetë nuk ke asgjë për të ndihmuar fatkeqët. Ai që administron taksat e qytetarëve të këtij vendi, ka menduar të kënaqë vetëm klientët, që e mbajnë në pushtet. Po ashtu ky titull, pra “ shtet i brishtë”, mendoj se ofron shtete dashamirëse, si Gjermania, që duan të na ndihmojnë duke na treguar se ç’duhet të bëjmë që të rregullojmë brishtësinë tonë. Dhe na kanë vënë disa detyra shtëpie, shumë janë 15, por nuk është vështirë për t’i plotësuar…po të duam. Na thonë të bëjmë një ligj zgjedhor që ta bëjmë demokracinë funksonale. Jo një parlament me vota të vjedhura dhe të blera, jo me përfaqësues nga bota e krimit, shteti të shkëputet nga bashkëpunimi me krimin e organizuar, të funksionojë shteti ligjor për barazi për të gjithë qytetarët ndaj ligjit. Por kur e bën matjen me kutin tënd, të duket e lehtë të bëhen këto. Kollaj, bën ligjin që të bëhen zgjedhjet siç i bën e gjithë bota, bën funksionale strukturat e shtetit, dhe ndërton shtetin e së drejtës, që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe…ja u bëmë shtet normal. Kështu është për dikë që na gjykon nga jashtë. Dhe është interesant se pastaj ky i jashtmi, kur vjen këtu nuk sheh asgjë, as vjedhje të zgjedhjeve duke përdorur shitblerjen e votave, as mbushje të vendit me drogë, as krimin e organizuar që ka kapur në grykë shtetin, as…Dhe kur po mendoja të gjeja pse këta ndërkombëtarë nuk shikojnë asgjë veç shkëlqimin e pushtetit, m’u kujtuan zgjedhjet lokale të një viti më parë. Këtë rradhë as “engjëlli mbrojtës” i socialistëve shqiptarë, laburistja angleze, nuk ua certifikoi zgjedhjet si “ të pranueshme nga standardet, më të rregullta se herët e tjera, por duhen bërë disa përmirësime të kodit”, siç kishte bërë për gati njëzet vjetësh. Me mendimin se aktualisht kemi një administratë lokale copë- copë, e zgjedhur e pa dekretuar( pra antikushtetuese), e vendosa këtë titull në krye të shkrimit. Gjykimin e keni ju, i dashur lexues.

Në vitin 1748, Monteskje formuloi parimet e ndarjes të pushteteve, të pushtetit legjislativ, të pushtetit ekzekutiv dhe të pushtetit gjyqësor, që frymëzuan doktrinën kushtetuese liberale në SHBA. “Nuk mund të ketë regjim të ekuilibruar, as respektim të të drejtave të njeriut pa një ekuilibër real të pushteteve.”- shkruante atë kohë Monteskje. Zhan Zhak Rusoi në vitin 1762, në vepën e tij “Kontrata sociale”, afirmoi se sovraniteti politik varet ekskluzivisht nga populli. “Një shtet është demokratik – shkruan Rusoi – kur ai qeveriset nga përfaqësuesit e popullit, që ushtrojnë pushtetin në emër të këtij të fundit.

Për t’u ruajtur nga rreziku i arbitraritetit, shtetet demokratike disponojnë dhe i bëjnë funksionalë dy parime: Shtetin e të drejtës dhe ndarjen e pushteteve. Shteti i të drejtës është një shtet, ligjet e të cilit janë në përputhje me parimet kushtetuese. Sipas Monteskje, pushteti nuk duhet të jetë asnjëherë i përqendruar në duart e një autoriteti të vetëm, përkundrazi të tre funksionet e pushtetit, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, duhet t’u besohen organeve përkatëse. Në vitin 1998, u miratua me referendum Kushtetuta e re, në përshtatje me rendin e ri demokratik që mendonim të krijonim. Por shpejt e trajtuam atë jo si dokumentin themelor të shtetit, por si mjetin për të përligjur ambicie të caktuara politike. Nëqoftëse Kushtetuta e miratuar iu nënshtrua një diskutimi popullor, që zgjati disa muaj dhe përfundoi me referendum mbarë popullor, ndryshimet e vitit 2008, u bënë brenda një nate, më pak kohë dhe më pak diskutime se ç’mund të marrë një amendim i parëndësishëm i një ligji të zakonshëm. Dhe rezultati i këtij veprimi të qëllimshëm, u duk shumë shpejt. Në fund të fundit për atë qëllim edhe u bë. Shtetet demokratike moderne funksionojnë sipas parimeve të demokracisë përfaqësuese.

Kushtetutat e këtyre shteteve sanksionojnë, se sovraniteti kombëtar i përket popullit që e ushtron nëpërmjet përfaqësuesve, ose rrugës referendare. Sovraniteti mund të delegohet duke zgjedhur deputetët, të cilëve u besohet një mandat përfaqësues i tij. Tek ne, nuk ekziston ligji për referendumet, pra për mundësinë e funksionimit të demokracisë të drejtëpërdrejtë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, e zhveshën Kushtetutën edhe nga zbatimi i demokracisë përfaqësuese. Atëhere mbi cilat parime reale, pavarësisht se në Kushtetutë e kemi një emërtim të tillë, ne quhemi një shtet demokratik? Kjo është arsyeja që pas vitit 2013, ata që u quajtën “përfaqësues të popullit”, u zgjodhën të ishin njerëz që vinin nga bota e krimit dhe këtu kam parasysh, jo vetëm krimin e organizuar, por edhe krimin që u bë bashkëudhëtar i regjimit komunist, njerëz të pa arsimuar, njerëz që e mendonin dhe e përdorën pozicionin për të zhvatur prona publike dhe pasuri në rrugë korruptive, njerëz që epiteti “qelbësira” që i quajti dikush, ishte shumë i butë. Dhe vazhdon një betejë këmbëngulëse për ta mbajtur këtë mënyrë “përfaqësimi të popullit”, që do të vazhdojë të prodhojë një parlament me skllevër, buratinë, apo thjesht një kope e bindur njerëzish, pa gojë, pa veshë dhe pa sy. Jo vetëm kaq, por në mospërfillje të Kushtetutës, tashmë e kemi edhe të cunguar. Pra në referim të Kushtetutës, pushteti legjislativ nuk funksionon. Këtë e tregoi edhe krijimi i të ashtuquajturit Komitet Politik për hartimin e Kodit të ri zgjedhor, duke e eleminuar komisionin përkatës të parlamentit dhe duke e konsideruar thjesht parlamentin një noter të akteve të këtij Komiteti.

Në këtë rast duhej të ndërhynte Gjykata Kushtetuese, por ajo ka tashmë disa vjet që nuk ekziston. Dhe kur nuk ekziston kjo gjykatë që përbën shtyllën kryesore të pushtetit gjyqësor, atëhere edhe ky pushtet në “shtetin tonë demokratik” ka rënë. Tani parlamentarët tanë u dukën të ofenduar që do të shndërrohen thjesht noterizues të vendimeve që merren jashtë tij, por ata harrojnë se kanë disa vite që vetëm këtë punë kanë bërë, kanë miratuar ligje, jo vetëm pa i lexuar, se shumica e tyre kanë vështirësi të lexojnë, por edhe kur i kanë lexuar, nuk i kanë kuptuar. Dhe kur ushtruesi i Unitetit të Popullit ka kthyer shumë prej këtyre ligjeve si antikushtetues, ata “të ofenduar” ia kanë “thyer hundën” atij që ka guxuar të merret me “vendimet unanime” të tyre. Dhe janë prodhuar ligje që cënojnë rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të drejtën e pronësisë dhe zhvatjen e pronës publike dhe private, lirinë e shtypit dhe shumë ligje të tjera që cënojnë rëndë funksionimin e një shteti demokratik. Ka disa vite që flitet për reformë në Drejtësi, por ka disa vite që tek ne u shpartallua sistemi i drejtësisë. Dikujt i ka interesuar kjo situatë. Nuk është se ai sistem që ishte mund të quhej i tillë. Para se të quhej sistem drejtësie, ai mund të quhej sistemi politik i drejtësisë dhe me këtë mbrojtje nga politika, u kthye në një sistem tërësisht të korruptuar dhe krejtësisht jashtë funksionit të një shteti të së drejtës, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit. Dhe ishte shumë e mirëpritur një reformë e thellë e sistemit, për ta kthyer atë në një sistem normal dhe të rendësishëm të një shteti demokratik. Por ç’ndodhi?

Eleminimi i gjykatave kryesore që mbajnë në këmbë sistemin, zhvillimi i vetingut si një proçes selektiv me ndërhyrje të fshehtë, por edhe të hapur të politikës, rikthimi në postet drejtuese të sistemit të “ri” të figurave që kanë zhvilluar procese hetuesie dhe gjyqsore në regjimin komunist, vendosja në krye të organeve të reja të drejtësisë të personave me lidhje të ngushta me politikën sunduese, e tregon qartë se cili është drejtimi që ka marrë edhe sistemi, i ashtuquajturi i reformuar.”

Edhe pse thuhet zyrtarisht se disa organe të drejtësisë kanë filluar të funksionojnë, ndonëse janë bërë denoncime për shkelje të ligjeve që cënojnë të drejtat qytetare apo për korrupsion të personave të veshur me pushtet politik, nuk ka asnjë sinjal se do i jepet fund pandëshkueshmërisë për shkelsit e ligjit, apo të tregohet se ligji është i barabartë për të gjithë. Po qe se kjo nuk funksionon atëhere edhe ky pushtet i pavarur i një shteti demokratik është jashtë funksionit. Dhe së fundi, këtij shteti tonë të cunguar nga dy pushtetet , legjislativi dhe gjyqsori i mbetet vetëm ai ekzekutiv. Xhon Lok thotë: “Të drejtat e njeriut unë i kam quajtur të drejta natyrore”. Ato janë të drejta të patjetërsueshme, që i takojnë secilit si njeri, pra jo të huazuara nga pushteti. Dhe më tej: “Monopoli i pushtetit, -këtu është dallimi mes meje dhe Hobs-it, -përbën një rrezik të madh për qytetarët e lirë. Për këtë arsye është i nevojshëm themelimi i shtetit që të mbrojë qytetarët nga keq trajtimi.Është Kushtetuta që përcakton ndarjen e pushteteve dhe janë ligjet që përcaktojnë funksionin, detyrimet dhe të drejtat e çdo segmenti të pushtetit.” Kur Ministri i brendshëm citon Hobs-in që në shekullin e 17 ka thënë se dhuna është monopol i shtetit, dhe shteti atë kohë ishte mbreti(Monarkia absolute duhet të jetë forma e qeverisjes- sipas Hobbs-it), harron se ai ka marre përsipër me funksionin e tij që të sigurojë jo dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre kushtetuese, por të mbrojë qytetarët nga dhuna në shkelje të të drejtave kushteturse. Por gabimi qëndron tek ai që caktoi në këtë detyrë,(mund ta emëronte ministër të mbrojtjes, por ai e dinte se me ushtrinë që kemi, nuk do të dukej “interesant” në sy të shefit të tij), një ish oficer të lartë që ka studiuar, është stërvitur dhe kualifikuar të vrasë kundërshtarin, ose kur mbrohet ose kur sulmon, që për të quhet vetëm armik.

Ushtari dhe polici janë dy kategori krejt të ndryshme dhe për ish gjeneralin, që për një karierë të përkohëshme pushteti ekzekutiv, injoroi jetën e tij si ushtarak, është e pamundur të përshtatet me një ushtrues që ka për detyrë të mbrojë rendin dhe qetësinë publike. Por edhe nga formimi i tij ushtarak edhe nga ambicjet që ushqen, ai ka atë cilësi që i pëlqen çdo autokrati në krye të pushtetit, që është bindja e verbër ndaj urdhërave të eprorit dhe zbatimi i tyre pa i diskutuar. Madje edhe disa herë, edhe duke i tejkaluar. Meqënëse Ministri në fjalë e ka dëshirë t’i drejtohet Hobbs-it në fjalën e tij, unë po i kujtoj se po Hobbs-i ka thënë: “Aktin e lindjes të shtetit e kam quajtur marrëveshje shoqërore. Këtë marrëveshje shoqërore e lidhin qytetarët midis tyre dhe jo më sunduesit.” Në rastin e Ministrit të rendit është lidhur një marrëveshje me eprorin që ka interesa të ndryshme me ato të qytetarëve, prandaj ai nuk ka për të patur atë sukses që kishte kur shërbente në ushtri. Ai e di mirë se cilët ishin paraardhësit e tij dhe çfarë interesash realizonte shefi me anë të tyre. Ato interesa po i realizon edhe me këtë të riun, madje më me rezultat, sepse në këtë kohë Europa po sheh një superprodhim të drogës dhe krimit që eksportohet në dritën e diellit nga vendi që ka marrë përsipër për të vendosur rend dhe qetësi. Por në këtë kohë, kur është në rritje pakënaqësia e publikut për shkak të mungesë të qeverisjes, ose të qeverisjes nga fb, detyra e këtij ministri është të shtypë me çdo mjet, çdo kundërshti ndaj atij pushteti që tashmë është pjesë. Prandaj ai hapur e shkel ligjin, kur u hoqën me urdhërin e tij shenjat idendifikuese të policisë të shtetit, apo kur u krijuan struktura të reja dhune dhe u mbush policia me drejtues të strukturave të ish sigurimit famëkeq të diktaturës, apo me civilë që vinë nga bota e krimit. Dhe rezultati i kësaj pune u pa atë ditë kur ministri, ish gjenerali i djeshëm, drejtoi operacionin e shembjes të Teatrit Kombëtar me dhunën e paprecedent ndaj protestuesve që kundërshtonin paqësisht shkatërrimin e një vlere të trashëgimisë kulturore të vendit. Në këtë rast nuk vlen thenia e Biblës: “Zot fali, se nuk dinë se ç’bëjnë.” Shërbimi i jashtëm është një nga shtyllat kryesore të një shteti dhe pa asnjë dyshim ky shërbim është eskluzivitet si detyrë e rëndësishme e kreut të qeverisë si edhe i kreut të shtetit. Por të caktosh për të drejtuar një nga dikasteret më të rëndësishme të shtetit një çunak, pa asnjë përvojë politike apo diplomatike, pa njohuri për historinë e shtetit që i shërben, me një formim të dyshimtë, që ka zotësinë ta shesë shtrenjtë, dhe për më tepër, jo nga vendi që përfaqëson, është më tëpër se një naivitet apo padituri. Ai nuk është as profesionist si teknicien, as figurë politike e forcës që drejton vendin. Asnjë s’mund të thotë se ky emërim ishte një mesazh i patriotizmit të kreut të qeverisë, por mund të thuhet se të dy kishin të njëjtin mendim me coptimin e republikës të Kosovës, që u kundërshtua nga paraardhësi i çunakut, tani si ministër i jashtëm. Si ish pjestar prej shumë vitesh i shërbimit të jashtëm të shtetit tim, ndjej keqardhje që diplomacia jonë është futur në kolaps, kur shteti prej tridhjetë vjetësh ka bërë kujdes të krijojë një diplomaci me diplomatë të shkëlqyer, jo në shërbim të qeverive apo të politikës, por vetëm në shërbim të vendit. Tani kjo pasuri me vlerë kombëtare, është lënë në dorë të një njeriu, që asnjë nga homologët, nuk e merr seriozisht. Është shkelur ligji i qarkullimit të diplomatëve, ka më shumë se shtatë vite që nuk janë lëvizur titullarët e ambasadave, një normë ndërkombëtare për të rritur efektivitetin e punës të ambasadorëve, por edhe për orientimin e politikës të shtetit nëpërmjet figurës të titullarit. Më çudit fakti që kryetari i partisë socialiste, po shton rradhët e partisë dhe i cakton në detyra drejtuese njerëz, që akoma mendojnë se partia politike që drejton aktualisht vendin, quhet Rilindje. Dhe kjo Rilindje, nuk gjeti një anëtar me titullin “Profesor Doktor” për ta emëruar si ministër të arsimit, traditë që u krijua që nga viti 1987, dhe që tregoi se ishin figura jo vetëm me një arsim shumë solid, por misionarë dhe vizionarë që, megjithë vështirësitë e pafundme që solli tranzicioni ynë i tej zgjatur, u kujdesën të mos e kthejnë sistemin arsimor në një gjenerator të vazhdueshëm krizash dhe përplasjesh.

Nga një ministre që nuk e flet si duhet gjuhën shqipe, me arsimim gjysmak në shkolla të palicencuara private, të sistemit të kolegjeve apo të kurseve të zgjatura, që nuk e ka ushtruar asnjë ditë profesionin e mësuesit apo pedagogut, nuk mund të pretendohet për një drejtim cilësor të një sistemi arsimor, të një shteti që pretendon të jetë nesër pjesë e Europës. Për të mos u zgjatur me emra të tjerë, që nuk ndryshojnë nga të mësipërmit, ilustrimi më i saktë për ekzekutivin tonë është ajo që na tregoi një ish zv.ministër, që dha dorëheqje pas dy javësh në detyrë, ku tha se në një mbledhje qeverie ku mori pjesë, anëtarët e kabinetit raportonin për numrin e “Like-ve” që kishte marrë një postim i shefit të tyre në rrjetet sociale!!! Prandaj tashmë është krijuar mendimi se ne qeverisemi jo nga dikasteret dhe institucionet, por nga rrjetet sociale dhe portali “e-albania”. Tani më thuaj i dashur lexues, a është i përshtatshëm titulli i shkrimit?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here