Standard.al

Pse njoftimi i prokurorit special është në të mirë të shqiptarëve

0

Nga Fatos Lubonja-

Pas bërjes publike të ak takuzës së Prokurorit Special ndaj Thaçit, Veselit e të tjerëve, Edi Rama deklaroi se shkoi në Kosovë “për të mësuar”. Por, nëse të mësosh do të thotë të ndryshosh, Rama provoi edhe një herë se duhet të presim një brez tjetër për të ndryshuar antropologjinë e politikanëve tanë, që, historikisht, kur ka ardhur puna që interesi i tyre ka dalë në kundërshtim me interesin e popullit të tyre, kanë zgjedhur, pa hezitim dhe me çdo çmim, interesin e tyre, – çka është edhe thelbi i kësaj ngjarjeje.

Kjo antropologji e pandryshuar është shfaqur jo vetëm në politikat e përditshme të brendshme, por edhe për sa u përket politikave të jashtme. Ata nuk kanë hezituar të shpallin armik bash atë që deri dje e kanë cilësuar mikun më të shtrenjtë të popullit shqiptar kur ky u ka vënë në rrezik interesin. Për të mos shkuar më herët, po kujtoj se Enver Hoxha e ka bërë tri herë këtë: me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën. Në të tria rastet, për interesat e tij i mbajti shqiptarët te zgjedhja më e keqe: stalinizmi. Kjo histori ka vazhduar edhe pas rënies së komunizmit – paçka se jo në dramacitetin dhe radikalitetin e asaj periudhe. Mjaft të kujtosh se si u prish Berisha me amerikanët në 1997 duke akuzuar CIA-n si nxitësen e trazirave të atij viti, që e rrëzuan atë nga pushteti.

E njëjta histori, në thelb, po përsëritet edhe tani me ngjarjet në Kosovë. Ka mjaftuar që prokurori i Gjykatës Speciale të deklarojë se ka ngritur akuzë kundër Thaçit e Veselit, që Thaçi dhe rrethi i tij, në bashkëpunim me Edi Ramën e të vetët, t’i bëjnë thirrje popullit shqiptar të bashkohen të gjithë kundër armikut, që deri dje ishte një Gjykate, e cila:

– është ndërtuar pas kërkesave këmbëngulëse të aleateve të konsideruar “partnerët tanë strategjikë”, që çliruan Kosovën;

– është ndërtuar me gjykatës e prokurorë nga këto vende;

– është vijuese e frymës e punës së gjykatës që ka dënuar liderët serbë, shkaktarë të gjenocidit në Jugosllavi e Kosovë;

– e ka miratuar vetë Parlamenti i Kosovës në vitin 2015.

Për të manipuluar shqiptarët, Thaçit dhe Ramës u intereson të mos shprehen qartazi për shkakun. Kanë lënë të nënkuptohet se prokurori Jack Smith është manipuluar politikisht, por kanë hezituar të thonë haptazi se prapa tij qëndrojnë aleatët strategjikë europianë (vetëm apo në bashkëpunim me demokratët amerikanë). Thaçi përdori fjalët “rastësi apo intrigë”; Rama “fletërrufe”, “e papërgjegjshme” që njollos epopenë e lavdishme të UÇK-së. Por të dy u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen kundër armikut të jashtëm. Për këtë ata u ndihmuan, pa dyshim, edhe nga ambiguiteti i administratës Trump.

AMBIGUITETI I ADMINISTRATËS TRUMP

Prokurori, në fakt, nuk ka hezituar ta thotë shkakun: e ka bërë sepse ka pasur indicie se Gjykata kërkohet të sabotohet. Dhe indiciet për këtë kanë qenë të shumta. Le të kujtojmë se çfarë deklaronte Delawie, ambasadori amerikan në Kosovë, në dhjetor 2018: “Jam këtu për të kujtuar angazhimin e Kosovës për drejtësi dhe për të ardhmen e saj si një vend demokratik dhe europian. Ky angazhim është vënë nën kërcënim serioz nga një iniciativë për të abroguar ligjin që ka autorizuar krijimin e Gjykatës Speciale”. “…ata që e mbështesin këtë iniciativë – dhe ata politikanë që e udhëheqin, ndonëse e mohojnë një gjë të tillë – do të përballen me pasoja të rrepta nëse kjo iniciativë realizohet. Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka për të siguruar që Gjykata të përfundojë mandatin e saj. Kosova nuk mund të jetë një vend ku sundon pandëshkueshmëria”.

Një vit më vonë, në nëntor 2019, Thaçi i ka dërguar Sekretarit të Shtetit, Pompeo, një letër ku ankohet për mosfunksionimin si duhet, sipas tij, të Gjykatës dhe i kërkon një reformim të saj. Në përgjigjen e tij, në mars të këtij viti, Pompeo përgjigjet: “SHBA e kanë mbështetur punën e rëndësishme të Gjykatës Speciale të Kosovës. Kjo përpjekje mbetet thelbësore për instalimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, për sigurimin e drejtësisë për viktimat si dhe për të aftësuar Kosovën që t’u qaset në mënyrën e duhur akuzave serioze që përmban ‘Raporti Marty’ i Këshillit të Europës. Prokurori aktual, Jack Smith, është amerikani i tretë që udhëheq hetimet për krimet e dyshuara. Zoti Smith dhe ekipi i tij gëzojnë mbështetjen e plotë të qeverisë sime”.

Edhe pas njoftimit së fundit të Prokurorit, e pyetur nga gazeta “Koha”, ambasada amerikane në Kosovë është përgjigjur se: “SHBA besojnë se dorëzimi i aktakuzës të paralajmëruar nga Zyra e pavarur e Prokurorit Dpecial paraqet hap përpara në procesin e drejtësisë dhe të pajtimit në Ballkanin Perëndimor”.

Janë deklarime që flasin qartazi në mbështetje të punës dhe aktit të prokurorit. Por, krahas tyre, nuk mund të mos shohim se Thaçi u inkurajua nga Grenell që të rrëzonte qeverinë Kurti, pasi donte të ishte ky negociatori me Vuçiç, dhe se ai po pritej në Uashington më 27 qershor. Nuk mund të mos ngresh, prandaj, dyshimin se diçka ka luajtur nën rrogoz në administratën amerikane. Me gjasa kemi të bëjmë me konfliktin midis vizionit që ka Trump-i për botën dhe vizionit dominues europian (deri para Trump-it edhe amerikan), apo me lobime të dyshimta, por nxitimi shqiptar për të braktisur partnerët europianë e për të shfrytëzuar politikat aventureske të Trump-it nuk mund të shpjegohet veçse me çfarë thashë në krye të këtij shkrimi: politikanët shqiptarë kanë vënë si gjithmonë interesin e tyre mbi interesin e vendit. Dita-ditës – së fundi me deklaratat e Boltonit dhe të Sonja Biserkos – ambiguiteti amerikan dhe lojërat nën rrogoz të Thaçit, Vuçiçit e Ramës, po bëhen më të qarta në papastërtinë e tyre.

PSE NJOFTIMI I PROKURORIT ËSHTË NË TË MIRË TË SHQIPTARËVE

Pavarësisht se Thaçi dhe Rama nuk e thonë hapur, shkaku i njoftimit të prokurorit (me apo pa ndërhyrje politike) është pengimi i marrëveshjes që parashikohej të gatuhej në Uashington, ku ndërthureshin dy probleme që i bashkoi “rastësia” Thaçi: ndryshimi i kufijve të Kosovës, si dhe një amnisti për krimet e luftës, që nënkupton moshetimin dhe mosgjykimin e krimeve serbe dhe shqiptare, d.m.th. edhe të Thaçit. Po, a janë këto kundër interesit të popullit të Kosovës apo në favor të tij?

Për sa i përket ndryshimit të kufijve, ka shumë argumente që provojnë se mosndryshimi është në favor të shqiptarëve, jo vetëm si shqiptarë, por edhe si aspirues për t’u bërë së bashku me serbët, maqedonasit, malazezët e të tjerë. qytetarë europianë. Shqiptarët i pranojnë lehtësisht argumentet në favor të interesit të tyre direkt, mosdhënia e territorit në Veri, por e kanë më të vështirë kulturalisht të pranojnë se është në interesin e tyre edhe mosmarrja, – në respekt të ruajtjes së paqes së tyre në shtëpinë e madhe ku banojnë.

Megjithatë, është shumë më e vështirë të bindësh një pjesë të shqiptarëve, se është në interesin e tyre edhe një hetim e gjykim i drejtë i krimeve të eksponentëve të UÇK. Po përpiqem të jap disa argumente për këtë.

Pompeo i shkruan Thaçit në përgjigjen e tij: “Bërja drejtësi ndaj viktimave të krimeve të dyshuara në raportin Marty, shumë prej të cilave krime ndaj shqiptarëve, nuk i minon përpjekjet për të kërkuar drejtësi ndaj viktimave të tjera të akteve të urryera e kriminale të kryera në Kosovë. Të gjitha viktimat meritojnë drejtësi. Shkaktarët e krimeve të dyshuara, që po hetohen nga Prokurori Special, nuk mund të meritojnë pandëshkueshmëri ngase kriminelë të tjerë nuk janë përballur ende me drejtësinë”.

Shumë shqiptarë nuk dalin hapur kundër këtyre fjalëve, për shkak se ato janë imponuar nga më i forti, por brenda tyre nuk i pranojnë ato. Një shumicë e madhe ose i mohon, ose i nënvlerëson krimet e kryera, duke përdorur argumentet se janë kryer në kushte të jashtëzakonshme, në vlim ndjenjash hakmarrjeje ndaj viktimave, apo pse, sikurse i shkruan Thaçi Pompeos, shumica e agresorëve serbë nuk janë ndëshkuar, kurse po ndëshkohen vetëm shqiptarët. Por, thellëthellë, ky refuzim i njohjes së krimeve vjen sepse te ne mbizotëron një kulturë tjetër nga ajo e Pompeos. Është kultura e gjakmarrjes, sipas së cilës ke të drejtë të vrasësh çdo të pafajshëm mbi 15 vjeç, nëse një familjar i tij ka vrarë një pjesëtar të familjes tënde e kombinuar me kulturën sipas së cilës drejtësinë e bën më i forti, i cili, në sajë të fortësisë është edhe i pandëshkueshëm. Gjykata Speciale u krijua për shkak të dështimit të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe kjo jo vetëm për paaftësi a faj të ndërkombëtarëve, por kryesisht për shkakun e kulturës në fjalë. Si pasojë e saj, asnjë prokuror vendor nuk ka guxuar të hetojë individë nga radhët e UÇK-së. Në gjyqet që janë bërë, gjykatësit shqiptarë kanë votuar kundër. Jo vetëm, por përveçse për gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, në Kosovë pati nevojë edhe për policë e gardianë të huaj, për shkak se të burgosurit nga radhët e UÇK-së i trajtonin gardianët shqiptarë (d.m.th. shtetin) siç trajton i forti të dobëtin. Për të mos folur për fatin e dëshmitarëve, që në vend të drejtësisë kanë përjetuar viktimizim të dytë.

Ajo që bie në sy është se në këtë kulturë, që veç të tjerash mbjell frikë dhe konformizëm në masë, përfshihet edhe LDK-ja që ka 60 militantë të saj të vrarë, thjesht për motive pushteti.

Sot ka në nëntokën serbe dhe kosovare 1700 të zhdukur. Nga këta, 1300 janë shqiptarë dhe 400 serbë. Pyetja shtrohet: A mund të kryhet dot një marrëveshje në interes të të dy popujve, që do t’i linte nën dhe këto viktima? Jo dhe jo! Kjo mund të jetë në interes të Vuçiçit, Thaçit e Ramës që u intereson vetëm pushteti e për këtë, të mbajnë gjallë kulturën e pandëshkueshmërisë së më të fortit dhe viktimizimin e të dobëtit, me pasoja që shqiptarët e serbët i vuajnë përditë, por jo në interes të shqiptarëve dhe serbëve. Ata kanë nevojë për një paqe të vërtetë midis tyre dhe jo për marrëveshje që e lënë farën e së keqes nëntokë, të gatshme për të shpërthyer më me virulencë nesër.

Fakti që hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës kryhet nga të huajt është një problem jo i vogël i pakapërcyer kulturor, që e dobëson, në mos e vë në dyshim efikasitetin e tij. Por gjithsesi, gjykoj se moskryerja e këtij procesi është gjë shumë më e rëndë, pasi do të ishte triumf i kulturës së vjetër. Ky proces, me gjithë problemet që mban, është në interes të shqiptarëve dhe jo aq pse do të dënoheshin disa kriminelë që sot, pas njëzet vjetësh, mund edhe të jenë bërë të tjerë njerëz, pse do të hiqeshin qafe disa politikanë të korruptuar, apo pse në rrafsh ndërkombëtar do të pastrohej imazhi i Kosovës. Ai është i rëndësishëm mbi të gjitha sepse do të ndikonte që shqiptarët të kryenin mutacionin kulturor për sa i përket raportit të tyre me drejtësinë dhe shtetin, që do t’i çonte nga shteti i të fortit të pandëshkueshëm dhe i frikës ndaj tij, drejt shtetit të tyre të barazisë përpara ligjit dhe të frikës vetëm përpara ligjit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.